Kosova ende pa Kryeprokuror,Miftaraj: KPK mund të vazhdojë me shkelje të obligimit kushtetues pa pasoja
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se përkundër kërkesave të shumta, brenda dhe jashtë vendit, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk po shpreh vullnet politik për të hapur konkursin për Kryeprokurorin e Shtetit. Fatkeqësia më e madhe, siç ka thënë Miftaraj, qëndron se kjo situatë mund të vazhdojë me […]
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se përkundër kërkesave të shumta, brenda dhe jashtë vendit, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk po shpreh vullnet politik për të hapur konkursin për Kryeprokurorin e Shtetit.
Fatkeqësia më e madhe, siç ka thënë Miftaraj, qëndron se kjo situatë mund të vazhdojë me vite të tëra, sepse të gjitha kompetencat i ka vetë KPK-ja, e cila nuk ka filluar ende as me procedurat e para për zgjedhjen e Kyreprokurorit.
Ai ka theksuar se ligjet e Kosovës i japin një pavarësi aq të madhe KPK-së, “e cila ka vendosur që të mos jetë llogaridhënëse as ndaj Kushtetutës, as ndaj ligjit, as ndaj publikut”, andaj, Këshilli mund të vazhdojë në pafundësi me shkelje të këtij obligimi kushtetues dhe ligjor pa pasoja.
Miftaraj ka thënë se është shumë e rëndësishme që të dëshmohet integriteti i këtij institucioni dhe vullneti i tij që kjo pozitë të plotësohet me një person i cili i ka të gjitha kompetencat, siç e parasheh edhe Kushtetuta.
“Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka potencuar së paku në vitin e fundit që KPK-ja pas kthimit të procesit në pikën zero do të duhej që menjëherë të fillonte me procedurat e plotësim-ndryshimit të rregullave të brendshme dhe me shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit. Kjo kërkesë është po ashtu e bërë edhe në raportin e fundit të progresit për Kosovën dhe ka pasur kërkesa nga të gjithë akterët relevante ndërkombëtare si ambasadat e zyrat e BE-së që KPK-ja të procedojë me konkursin. Fatkeqësisht nuk ka vullnet politik nga ana e KPK-së që ky proces të vazhdojë me tutje dhe kemi ardhur në një situatë ku jemi me ushtrues detyre të Kryeprokurorit për një kohë jashtëzakonisht shumë të gjatë”.
Miftaraj ka shtuar se i mbetet KPK-së në dorë që t’i ndryshojë aktet nënligjore për shpalljen e konkursit, pasiqë as Zyra e Presidentes nuk ka asnjë kompetencë për këtë proces “të kthyer në pikën zero”.
Sa më shpejt që kjo të bëhet, është më mirë për shtetin, ka theksuar ai.
“Tani nuk ka as një kompetencë në dorë Zyra e Presidentes për këtë proces sepse procesi është kthyer në pikën zero. Kështu që i mbetet KPK-së për të ndryshuar aktet nënligjore për të shpallur konkursin. Kur mungon ky vullnet nga ana e KPK-së, atëherë mund të mbesim në këtë gjendje edhe me vite të tjera”,
“Ne e kemi të qartë se Kryeprokurori i Shtetit nuk është që ka kompetenca shumë të mëdha në Sistemin Prokurorial. Por për shtetin, për Republikën, për institucionet është e rëndësishme të dëshmohet integriteti i KPK-së, vullneti i tyre që kjo pozitë të plotësohet me një person i cili i ka të gjitha kompetencat e autorizimet në bazë të Kushtetutës dhe ligjit. Ndaj, sa më shpejt që kjo bëhet, është më mirë për sundimin e ligjit në Kosovë. Ligjet e Kosovës i japin një pavarësi aq të madhe KPK-së, të cilët do të thotë kanë vendosur që të mos janë llogaridhënës as ndaj Kushtetutës, as ndaj ligjit, as ndaj publikut. Andaj, mund të vazhdojnë në pafundësi me shkelje të këtij obligimi Kushtetues dhe ligjor dhe të mos kenë pasojë. Vetë qasja e kulturës së pandëshkueshmerisë në këtë sistem ka ndërtuar një sistem i cili nuk i raporton pothuajse askujt dhe kështu që kemi mbetur në një situatë që varet nga ata nëse duan që ta përmbushin këtë obligim ose jo”,
Njëjtë është shprehur edhe avokati Xhevdet Smakiqi, i cili ka thënë se është hera e parë prej pavarësisë së Kosovës që kandidati i propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk dekretohet për këtë pozitë.
Siç ka thënë Smakiqi për Ekonomia Online, ky është një rast i “paprecedentë” që e dëmton rëndë sistemin prokurorial të Kosovës.
Ai ka shtuar se Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit nuk i ka kompetencat e plota siç do t’i kishte Kryeprokurori.
“Fatkeqësia është që për herë të parë, prej që është shpallur pavarësia e Kosovës asnjë qeveri dhe asnjë president nuk ka refuzuar që ta dekretojë kandidatin të cilin është duke e propozuar Këshilli Prokurorial i Kosovës që është organ kushtetues. Sipas Kushtetutës së Kosovës edhe Ligjit për Këshillin Prokurorial dhe Ligjin për Prokurorin e Shtetit ruan dhe i garantohet pavarësia. Është një rast i paprecedentë dhe kjo në sytë e ndërkombëtareve edhe të monitoruesve siç janë nga BE-ja, nga organizatat e tjera ndërkombëtare shihet si një dështim dhe dobësim i sistemit prokurorial të Kosovës. Sepse nuk kemi kompetenca të plota si me një ushtrues detyre, si me një kandidat të cilin veç e ka propozuar KPK-ja”.
Smakiqi ka thënë se do të kishte suksese më të mëdha sikur të mos ishte kjo krizë institucionale, siç e ka quajtur ai.
“Siç e keni parë edhe në këtë refuzim Blerim Isufaj, si kandidat i ka rezistuar presionit politik dhe ka pasur shumë suksese edhe sa i përket edhe arrestimit të anëtareve të bandës së Rajdoqicit, të cilët tashmë pritet që të ju ngritet aktakuza. Të gjitha këto sikur të ishte kandidat i përzgjedhur nga presidentja. Ju e dini edhe kryeministri në Kuvendin e Kosovës ka thënë se sa të jem unë kryeministër nuk do të zgjedhet. Kjo e dobëson krejt sistemin edhe juridik edhe politik edhe është fatkeqësi sepse do të kishte suksese me të mëdha sikur të mos ishte kjo krizë institucionale”, ka thënë avokati për EO.