Kosova ‘shkatërron’ Qipron, ‘shfryhet’ për humbjen e dhimbshme nga Rumania
Kosova ka shënuar fitore të thellë me rezultat 4-0 në udhëtim tek Qipro, ndeshje kjo e vlefshme për edicionin e ri të Ligës së Kombeve. Një reagim i tillë pritej nga ‘Dardanët’ pas asaj humbje të dhimbshme që pësuan në ‘Fadil Vokrri’ me rezultat 3-0 ndaj Rumanisë. Kosova fillimisht epërsinë e mori në minutën e […]
Kosova ka shënuar fitore të thellë me rezultat 4-0 në udhëtim tek Qipro, ndeshje kjo e vlefshme për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
Një reagim i tillë pritej nga ‘Dardanët’ pas asaj humbje të dhimbshme që pësuan në ‘Fadil Vokrri’ me rezultat 3-0 ndaj Rumanisë.
Kosova fillimisht epërsinë e mori në minutën e tetë me anë të Vedat Muriqit i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë për 1-0.
Po i njëjti lojtar doli sërish në skenë në minutën e 20-të, kësaj radhe duke shënuar me kokë pas asistimit të Donat Rrudhanit.
‘Dardanët’ patën edhe një tjetër mundësi të artë shënimi me anë të Ermal Krasniqit, i cili në minutën e 38-të dështoi të shënojë përballë portierit.
Të besuarit e Franco Fodës nuk u ndalën as në pjesën e dytë duke arritur që të tundin rrjetën edhe në dy raste të tjera.
I inkuadruari në pjesën e dytë, Albion Rrahmani arriti që të shënojë për 3-0 në minutën e 48-të pas një asistimi të Milot Rashicës.
Goditjen përfundimtare qipriotëve ua dha Lumbardh Dellova, i cili në cilësinë e sulmuesit realizoi një gol të bukur për 4-0 në minutën e 55-të.
Me këtë fitore Kosova tani pozicionohet në vendin e dytë në tabelë me pikë të barabarta me Qipron dhe me Rumaninë që me fillim nga ora 20:45 do përballet me Lituaninë.