Krahasim mes urimeve amerikane për Pavarësinë e Kosovës në shtatë vite, qe qysh nisi të binte ‘entuziazmi’
Se si është formuluar urimi amerikan në ditën e Pavarësisë e Kosovës ka herë ka qenë e rëndësisë së veçantë për t’u analizuar në përmbajtësinë dhe frazimet e saj. Përveç urim, ajo gjithherë ka shërbyer për t’u (in)formuar mbi qëndrimet dhe mesazhet politike drejtuar edhe Serbisë, si sfiduesja më e madhe e shtetësisë së Kosovës;
Se si është formuluar urimi amerikan në ditën e Pavarësisë e Kosovës ka herë ka qenë e rëndësisë së veçantë për t’u analizuar në përmbajtësinë dhe frazimet e saj. Përveç urim, ajo gjithherë ka shërbyer për t’u (in)formuar mbi qëndrimet dhe mesazhet politike drejtuar edhe Serbisë, si sfiduesja më e madhe e shtetësisë së Kosovës; investim ky i madh dhe produkt me hise amerikane.
Edhe në këtë shtatëmbëdhjetë vjetor të mëvetësisë së vendit, urim erdhi nga Departamenti i Shtetit, Sekretari Marco Rubio. Miqësia dhe vlerat “mes popujve tanë”, ishin ajo në çka u përkthye marrëdhënia Kosovë – ShBA.
“ShBA-ja krenarishëm ka mbështetur udhëtimin e Kosovës për t’u bërë vend sovran, demokratik, multietnik dhe i begatë”, thuhet në urimin e Marco Rubios lëshuar si komunikatë shtypi në DASh.
Megjithatë, komunikata del të jetë e shkurtër, gati se thjesht-protokollare, në tone të zbehta dhe disa oktava më poshtë nga ç’ka marrë Kosova më parë nga Departamenti i Shtetit. Për më tepër, “njohja e ndërsjellë” mes Kosovës dhe Serbisë, siç ka qenë lajtmotiv i qëndrimit amerikan, nuk ka. Nacionale analizon komunikatat për shtyp të DASh në retrospektiv.
2024
Ndonëse në vitin 2024 Kosova pa një rënie të madhe në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rrafshin bilateral, urimi nga ish-Sekretari, Anthony Blinken, ishte përplot përmbajtje dhe kualifikime. Flitej për “partneritet jetëgjatë” të rrënjësuar në “mirëkuptimin e ndërsjellë”.
Boshti ishte aty, ndonëse edhe ajo kishte pësuar zbehtësime: “njohje eventuale” mes Kosovës dhe Serbisë – bashkë me atë që Kosova, në optikën amerikane, “e ka vendin në BE dhe në institucionet euroatlantike”.
2023
Urimi i vitit 2023 ishte i frazuar fuqishëm, pa ekuivoke se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin “partneritet të fuqishëm” – frazim ky i cili për shumëkënd tashmë ka mbetur veçse nostalgjik. Për më tepër, ky urim vinte mu në kohën kur Kosova kishte pranuar marrëveshjen franko-gjermane me sponzorizim të madh edhe amerikan.
“ShBA është e përkushtuar ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”, shkruante Anthony Blinken në urimin e tij.
Tjetra: çështjet me Serbinë, shkruante Blinken, ShBA-ja i sheh “të qendërzuara në njohje të ndërsjellë eventuale”.
2022
Anthony Blinken në vitin 2022 në urimin e katërmbëdhjetë vjetorit të pavarësisë së vendit, në letër do të shkruante se çka do të thotë për ShBA-në kjo pavarësi e Kosovës për ShBA-në.
“Pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të pakthyeshme dhe të paprekshme”, shkruante Anthony Blinken.
Për Serbinë dhe çështjet që Kosova duhet zgjidhur me të, ShBA e kishte përgjigjen se në çka përkthehet ajo:
“Normalizim të marrëdhënieve të qendërzuara në njohje të ndërsjellë”.
Raportet bilaterale, shpreheshin ata, “forcohen edhe më tej”.
2021
Anthony Blinken, që sapo kishte marrë postin e Sekretarit të Shtetit, shkruante se si Shtetet e Bashkuara jo veç në rolin e tyre të hershme për pavarësimin e Kosovës por “edhe të vazhdueshëm” qëndron njëjtë
Kërkonte marrëveshje gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi “të qendërzuar në njohje të ndërsjellë”.
ShBA, shkruante ai, “do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike”.
2020
Ish-Sekretari i Shtetit i administratës së parë të Donald Trump, Mike Pompeo, në urimin e pavarësisë afirome se sa kyçe është pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës për stabilitetin rajonal, dhe konfirmimin amerikan ndaj saj.
“Sovraniteti dhe pavarësia e Kosovës mbetet kyçe për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkant Perëndimor”.
2019
Mike Pompeo në urimin e pavarësisë së Kosovës më 2019, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë e quante “pikë qendrore” për sukesin e vendit.
“Marrëveshja gjithpërfshirëse me Serbinë, me njohjen e ndërsjellë si pikë qendrore të saj, mbetet thelbësore për suksesin e Kosovës”, shkruante Pompeo.