Kryqi i Kuq deri sot ka mbledhur mbi 128 milionë denarë, familjeve nga tragjedia e Koçanit u janë paguar mbi 86 milionë

Në apelin e Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë, me datë 17.04.2025, për viktimat e zjarrit në Koçan janë mbledhur 128.011.651,00 denarë, transmeton Portalb.mk. Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë sot ka transferuar mjete për 62 familje të të ndjerëve. Deri më tani për familjet e prekura janë paguar gjithsej 86.100.000,00 denarë. “Kryqi […]

Prill 17, 2025 - 17:00
 0  7
Kryqi i Kuq deri sot ka mbledhur mbi 128 milionë denarë, familjeve nga tragjedia e Koçanit u janë paguar mbi 86 milionë
Varrimi i viktimave nga zjarri në diskotekën e Koçanit. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Në apelin e Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë, me datë 17.04.2025, për viktimat e zjarrit në Koçan janë mbledhur 128.011.651,00 denarë, transmeton Portalb.mk.

Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë sot ka transferuar mjete për 62 familje të të ndjerëve. Deri më tani për familjet e prekura janë paguar gjithsej 86.100.000,00 denarë.

“Kryqi i Kuq, së bashku me partnerët tanë, vazhdon të ofrojë mbështetje psikosociale dhe mbështetje të tjera për popullatën”, thonë nga Kryqi i Kuq.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më pas dy pacientë ndërruan jetë dy javë pas tragjedisë, duke e çuar numrin total të viktimave në 61. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 45 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim. Midis tyre është edhe zyrtari i BDI-së, Kreshnik Bekteshi.