Kumanovarët detyrohen të kalojnë nëpër rrugë të shkatërruar për t’i ikur pikë-pagesës për në Shkup e cila është e shtrenjtë
Në mënyrë që t’i ikin pikë-pagesës rrugore prej 60 denarëve në Milladinovc e cila për qytetarët e Kumanovës është e lartë, ata kalojnë nëpër rrugën rajonale nga fshati Rramanli e cila është shumë e dëmtuar me plot gropa. Kumanovarët kërkojnë ose uljen e çmimit të pagesave rrugore ose të rregullohet rruga rajonale. Megjithatë, nga ana […]
Në mënyrë që t’i ikin pikë-pagesës rrugore prej 60 denarëve në Milladinovc e cila për qytetarët e Kumanovës është e lartë, ata kalojnë nëpër rrugën rajonale nga fshati Rramanli e cila është shumë e dëmtuar me plot gropa. Kumanovarët kërkojnë ose uljen e çmimit të pagesave rrugore ose të rregullohet rruga rajonale. Megjithatë, nga ana e autoriteteve nuk ka shpresë se kërkesat e tyre do të zgjidhen, shkruan Portalb.mk.
Për të shkuar nga Kumanova në Shkup dhe anasjelltas, vetëm pikë pagesat rrugore kushtojnë 200 denarë, njëra kushton 60 denarë kurse tjetra 40 denarë.
Çmime të larta dhe rrugë me gropa
Qytetarët e Kumanovës ankohen se pikë-pagesa Kumanovë – Milladinocë e cila lidhet me autostradën e Kumanovë – Shkup është shumë e shtrenjtë, ata për Portalb.mk u shprehën të revoltuar duke theksuar se detyrohen t’i shmangen pikës pagesore, dhe të kalojnë rrugës nga fshati Rramanli në të cilën një pjesë e rrugës ka shumë gropa dhe është e dëmtuar.
Qytetarja K.O. nga Kumanova kërkoi që të ulen çmimet e pikë-pagesave rrugore nga Kumanova për në Shkup, pasi siç thotë udhëtojnë çdo ditë.
“Unë punoj në Shkup dhe kur e llogarisë se shpenzoj mbi në 4 mijë denarë vetëm për tarifën e rrugës është shuma e madhe për një rrogë mesatare, dhe për këtë arsye jam e detyruar të kaloj rrugës nga fshati Rramanli, edhe pse një pjesë e rrugës është krejt gropa të mëdha dhe mezi arrijë të kaloj, mirëpo detyrohem t’i iki pagesës. Kërkoj nga institucionet përkatëse ta rregullojnë rrugën, ose ta ulin çmimin e pikës pagesore”, tha K.O.
Qytetari L.R. u shpreh i revoltuar, ai tha se e rruga në hyrje të fshatit Rramanli është e shkatërruar dhe e njëjta duhet të rregullohet, madje dëmtojnë edhe veturat.
“Sa i përket rrugës gjithçka është e shkatërruar duke filluar nga autostrada në të cilën asfalti nuk është siç duhet, ndërsa kur i bie nga fshati Rramanli rruga është krejt me gropa dhe ka raste kur veturën e kam dëmtuar, një pikë-pagesore kushton 60 denarë dhe të gjitha këto janë katastrofë. Mendoj se duhet t’i marrin më seriozisht problemet dhe ankesat e qytetarëve”, tha L.R.
Qytetarja M.M. nga fshati Çerkez Komuna e Kumanovës u ankua se çmimet për pikë-pagesat rrugore janë të larta dhe se nuk përputhen me rrogat që qytetarët marrin.
“Unë shpesh kaloj nga fshati Rramanli por rruga është në gjendje të keqe, në të cilën herën e fundit e dëmtova edhe makinën nga gropat e mëdha. Kishte qenë mirë që të rregullohet kjo rrugë sepse ne udhëtojmë çdo ditë, ose te ulet pagesa në pikat pagesore. Shpresojmë në një zgjidhje të shpejtë të problemit”, tha M.M.
Institucionet nuk e kanë në plan t’i zgjidhin këto probleme
Shpresat se rruga në fshatin Rramanli e cila lidhet me autostradën Kumanovë – Shkup të paktën edhe për vitin e ardhshëm i shuan nga Komuna e Kumanovës.
”Në programin 2025 për zhvillimin e tokës ndërtimore nuk parashikohen fonde për rregullimin e rrugës”, thanë nga Komuna e Kumanovës.
Ndërkaq në lidhje me atë nëse parashikohet që të ulen çmimet e pikë-pagesave, nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore theksuan se çmimet i përcakton Qeveria.
“Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore është përgjegjëse për menaxhimin e rrugëve shtetërore dhe është themeluar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, kurse çmimet e tarifave, gjegjësisht shuma dhe mënyra e arkëtimit të kompensimit për shfrytëzimin e rrugës caktohen nga Qeveria e RMV-së me vendim që rregullon këtë. Për momentin nuk ka njoftime për ndryshim të çmimit të tarifës së përdorimit të rrugës”, thanë nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore.
Nga Qeveria e RMV-së nuk treguan nëse do të ulin çmimet e pikë-pagesave, por vetëm ta treguan mënyrën se pagesës sipas llojit të automjeteve.
“Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore është përgjegjëse për menaxhimin e rrugëve shtetërore dhe është e themeluar nga Qeveria, kurse çmimet e tarifave, gjegjësisht lartësia dhe mënyra e arkëtimit të tarifave për shfrytëzimin e rrugëve, i përcakton Qeveria me vendim të vitit 2019 që rregullon këtë tarifë, në të cilën thuhet se për përcaktimin e shumës së tarifës së përdorimit të rrugës (taksës) për lloje të ndryshme mjetesh, në varësi të llojit të mjetit, numrit të akseve dhe lartësisë së boshtit të përparmë, automjetet ndahen në pesë kategori”, thanë nga Qeveria.
Ndryshe, më 3 shtator 2024 u bë e ditur se në muajin gusht për herë të parë në RMV janë grumbulluar mbi 7.8 milionë euro nga pagesat rrugore.