(Kundër)ligjshmëria në emërimin e Sashko Llafçiskit për Kryeshef të Shtatmadhorisë së ARM-së
Pas reagimeve të disa partive politike dhe shkrimeve në media se avancimi i Sashko Llafçiskit dhe emërimi i tij në krye të Shtatmadhorisë së Armatës është kryer në mënyrë të paligjshme, nga zyra e Kryetares së Shtetit, Gordana Siljanovska – Davkova, në përgjigje të pyetjeve të “360 gradë”, i mohojnë pretendimet e tilla, transmeton Portalb.mk. […]
Pas reagimeve të disa partive politike dhe shkrimeve në media se avancimi i Sashko Llafçiskit dhe emërimi i tij në krye të Shtatmadhorisë së Armatës është kryer në mënyrë të paligjshme, nga zyra e Kryetares së Shtetit, Gordana Siljanovska – Davkova, në përgjigje të pyetjeve të “360 gradë”, i mohojnë pretendimet e tilla, transmeton Portalb.mk.
Llafçiski zyrtarisht u bë Kryeshef i Shtatmadhorisë së ARMV-së më 18 gusht kur në ceremoninë solemne në Ohër me rastin e Ditës së Armatës ai e shpalosi flamurin që simbolizon pozitën, të cilin ia dorëzoi Kryetarja Gordana Siljanovska-Davkova. Vetëm disa orë më vonë, Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës doli me një reagim në të cilin e kanë problematizuar emërimin e tij, duke thënë se ai në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme ka marrë pozitën që duhet t’i takonte një oficeri shqiptar.
Qëndrimin e Aleancës e përcolli nënkryetari i partisë dhe ish-ministër i drejtësisë Krenar Lloga, i cili ndër të tjera tha se Llafçiski nuk i plotëson kushtet e nevojshme për këtë pozitë, gjegjësisht ka qenë katër nivele nën standardet e kërkuara për kreun e Shtatmadhorisë.
Në ndërkohë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) konfirmuan se pas pranimit të një ankese kanë hapur lëndë në lidhje me emërimin e Llafçiskit në krye të Shtatmadhorisë së ARMV-së.
“Ne kemi hapur një lëndë dhe i është caktuar një anëtari të KSHPK-së. Është pranuar ankesë dhe është iniciuar procedurë për sigurimin e dokumenteve për verifikimin e pretendimeve”, na tha kryetarja e KSHPK-së, Tatjana Dimitrovska.
Përgjigje e përgjithshme nga kabineti i Siljanovska-Davkovës
Nga kabineti i Siljanovska-Davkovës thonë se kanë vepruar ligjërisht.
“Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova gjatë zbatimit të kompetencave të saj udhëhiqet gjithmonë nga Kushtetuta dhe ligjet. Kështu është edhe me emërimin e Kryeshefit të ri të Shtatmadhorisë të Ushtrisë, gjeneral-major Sashko Llafçiski, i cili është emëruar në detyrë në përputhje me dispozitat pozitive ligjore”, thuhet në përgjigjen e shkurtër nga kabineti i Kryetares së shtetit për pyetjet tona.
Krahas përgjigjes ndaj informacioneve të shpërndara në opinion se Llafçiski është avancuar dhe emëruar në mënyrë të paligjshme për Kryeshef të Shtatmadhorisë, nga kabineti i Siljanovska-Davkovës kërkuam edhe që t’i theksojnë dispozitat specifike ligjore sipas të cilave u bë avancimi i tij i jashtëzakonshëm dhe emërimi në krye të Shtatmadhorisë së ARMV-së.
Por, siç shihet edhe më lart, në përgjigjen e kabinetit nuk ka asnjë referencë për dispozita konkrete ligjore sipas të cilave është marrë vendimi.
Pse i kërkuam këto informacione?
Kushtet ligjore për avancim të jashtëzakonshëm
Avancimi i oficerëve është i rregulluar me nenin 61 të Ligjit për Shërbim në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në paragrafin 1 të këtij neni thuhet se oficeri mund të avancohet në gradë të drejtpërdrejtë më të lartë nëse në gradën që e ka aktualisht ka kaluar më së paku:
- Në gradën nëntoger………………………… dy vite,
- Në gradën toger……………………….. katër vite,
- Në gradën kapiten………………………………gjashtë vite,
- Në gradën major……………………………… pesë vite,
- Në gradën nënkolonel……………………….. pesë vite,
- Në gradën kolonel………………………. katër vite,
- Në gradën gjeneral…………………… tre vite
Neni 61 i Ligjit për Shërbim në Armatën e Republikë së Maqedonisë së Veriut
Ky i fundit i referohet Kryeshefit të ri të Shtatmadhorisë dhe po të kemi parasysh se kur Llafçiski u gradua në gjeneral brigade dhe më pas në gjeneral – major, mund të vërehet se kjo ka ndodhur në një periudhë më të shkurtër se tre vjet.
Përkatësisht, sipas shpalljeve në “Gazetën Zyrtare”, Llafçiski është graduar nga kolonel në gjeneral brigade më 17 gusht të vitit 2022.
Më 15 gusht të këtij viti Kryetarja e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, me dekret e avancoi Llafçiskin nga gjeneral brigade në gjeneral-major. Të nesërmen, më 16 gusht, ajo e shkarkoi Vasko Gjurçinovskin nga posti i Kryeshefit të Shtatmadhorisë dhe e zëvendësoi me Sashko Llafçiskin.
Të tre dekretet, përfshirë edhe atë të 15 gushtit, me të cilin Llafçiski avancohet nga gjeneral brigade në gjeneral-major, janë me shënim që të ekzekutohen më 18 gusht të vitit 2024.
Që Kryeshefi i ri i Shtatmadhorisë të Armatës i ka ngjitur para kohe shkallët në hierarkinë e përgjithshme është e pakontestueshme, por a është e paligjshme?
Në nenin e njëjtë 61 të Ligjit për Shërbim në Armatë, paragrafi 2 thuhet:
“Oficeri mund të avancohet me gradë të drejtpërdrejtë më të lartë, një vit më herët nga koha e përcaktuar në paragrafin (1) të këtij neni, vetëm nëse:
- tre herë të njëpasnjëshme është vlerësuar me shkallën “dallohet veçanërisht”, sipas të gjitha kritereve nga neni 52 i këtij ligji,
- kryen detyrë komanduese ose udhëheqëse,
- arrin rezultate të shkëlqyeshme në komandimin ose udhëheqjen dhe
- propozohet nga dy këshilla kadrovikë në nivel të brigadës ose më lartë”.
Kushti i parë i këtij paragrafi nuk vlen për Llafçiskin sepse, sipas nenit 52 të Ligjit, zyrtarët me grada gjenerali nuk vlerësohen.
Dilemë për ligjshmërinë e avancimit të jashtëzakonshëm hap kushti i katërt që thotë se oficeri duhet të jetë “propozim i dy këshillave kadrovikë në nivel brigade ose më lartë”.
Nuk ka informacion të disponueshëm publikisht nëse dhe kur Llafçiski është propozuar nga “dy këshilla kadrovikë në nivel brigade ose më lartë”.
Meqenëse nga kabineti i Siljanovska-Davkovës nuk morëm përgjigje se në cilat dispozita ligjore konkretisht bazohet avancimi i jashtëzakonshëm i Llafçiskit, “360 gradë” dorëzoi kërkesë në bazë të Ligjit për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik deri te Kabineti i Kryetares së Shtetit dhe Ministria e Mbrojtjes që të na dërgojnë fotokopje të procesverbaleve të mbledhjeve të këshillave kadrovikë në të cilat u propozua që Sashko Llafçiski të avancohej në gradë më të lartë të gjeneralit.
Afati ligjor për një përgjigje nga të dyja institucionet përfundon më 10 shtator.
Pa u avancuar në gjeneral-major, Llafçiski nuk mund të bëhej Kryeshef i Shtatmadhorisë të ARMV-së
Nga ana tjetër, avancimi i jashtëzakonshëm i Llafçiskit në gjeneral-major është një parakusht kyç që ai të emërohet Kryeshef i Shtatmadhorisë të Ushtrisë.
Në aktin e formacionit të miratuar nga kreu i shtetit, parashihet që si Kryeshef i Shtatmadhorisë mund të emërohet një oficer me gradën gjeneral-nënkolonel, gjegjësisht gjeneral. Rregullat thonë se në detyrë mund të vijë edhe dikush me gradën një shkallë më të ulët (gjeneral-major), me kusht që të ngjitet në gradën tjetër sapo të krijohen kushtet ligjore për këtë.
Pra, Sashko Llafçiski nuk do të mund të bëhej Kryeshef i Shtatmadhorisë nëse nuk do të ishte avancuar në gjeneral-major dhe nuk do të mund të avancohej në gjeneral-major nëse nuk do të ishte propozimi i “dy këshillave kadrovikë në nivel brigade ose më të lartë”. Presim provat nga Kryetarja e Shtetit dhe Ministria e Mbrojtjes nëse ka qenë.