Kurti vizitoi kampin veror të SOS Fshatrat e Fëmijëve
Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, vizitoi kampin veror të SOS Fshatrat e Fëmijëve. Gjatë një bashkëbisedimi me stafin e SOS Fshatrat, Kurti u njoftua rreth qëllimit dhe rezultateve të Programit të Fuqizimit të Familjes, rreth mbarëvajtjes së punëve në përgjithsësi, […]
Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, vizitoi kampin veror të SOS Fshatrat e Fëmijëve.
Gjatë një bashkëbisedimi me stafin e SOS Fshatrat, Kurti u njoftua rreth qëllimit dhe rezultateve të Programit të Fuqizimit të Familjes, rreth mbarëvajtjes së punëve në përgjithsësi, si dhe aktiviteteve në kuadër të kampit veror dhe organizimet e ndryshme në SOS Fshatrat.
Programi i Fuqizimit të Familjes zbatohet në Prishtinë, Fushë Kosovë e Graçanicë dhe qëllim ka fuqizimin e familjeve për të parandaluar braktisjen. Programi punon direkt me familjet në katër shtylla kryesore: prindësi të mirë, edukim, shëndetësi, përkrahje psikosociale dhe fuqizim ekonomik. Familjet që janë pjesë e programit të Fuqizimit të familjes janë familje, të cilat ballafaqohen me shumë sfida dhe si rezultat i sfidave, janë në rrezik të humbjes së kujdesit prindëror. Një familje qëndron në programet e SOS prej tri deri ne pesë vite dhe gjatë kësaj kohe mbështetet në vazhdimësi nga stafi i përgatitur dhe professional. Momentalisht Programi i Fuqizimit të familjes mbështet rreth 900 përfitues prej të cilëve 661 fëmijë dhe të rinj dhe familjet e tyre. Ndërsa, përgjatë tri viteve të fundit, 92 familje me mbi 200 fëmijë në rrezik, kanë dalë nga programi si familje të fuqizuara, të cilat falë programit të fuqizimit të familjes mund t’u ofrojnë fëmijëve të tyre ngrohtësinë e familjes dhe t’i përkrahin në zhvillimin e potencialit të tyre të plotë.
Kryeministri Kurti u shpreh i kënaqur me organizimin e këtij programi dhe përgëzoi stafin për punën dhe kujdesin e vazhdueshëm që kanë për fëmijët. Gjatë bisedës me sfafin ai nënvizoi miratimin në dhjetor të vitit të kaluar të Ligjit për Shërbimet Sociale dhe Familjare, ligj ky, i cili do të fuqizojë përkrahjen për fëmijët që përkujdesjen e gjejnë në SOS Fshatrat.
Kryeministri gjithashtu u shoqërua me fëmijët që po marrin pjesë në këtë kamp veror, nga të cilët pranoi edhe një dhuratë simbolike punëdore.
Kampi veror, i organizuar në kuadër të Qendrës Mbështetëse për Fëmijë dhe Familje, nën moton “Një verë me shumë ngjyra”, u vlerësua i sukseshëm. Në të kontribuuan donatorë dhe vullnetarë të shumtë që e bënë të mundur një javë plot argëtim, lojëra dhe kujtime të bukura për fëmijët pjesëmarrës.