Kushtet për Serbinë/ A mund të anëtarësohet Serbia në BE pa njohjen e Kosovës?
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, shprehu bindjen se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE), por normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore me të. Në një intervistë për edicionin e 13 qershorit të së përjavshmes NIN, Hill tha se evropianët po i kërkojnë Beogradit “pikërisht atë […]
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, shprehu bindjen se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE), por normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore me të.
Në një intervistë për edicionin e 13 qershorit të së përjavshmes NIN, Hill tha se evropianët po i kërkojnë Beogradit “pikërisht atë që thonë se po e kërkojnë, që është normalizimi i marrëdhënieve” dhe shtoi se BE-ja dëshiron paqe dhe siguri në rajon, natyrisht edhe mes Kosovës dhe Serbisë.
“Mendoj se ata e kanë thënë shumë qartë se ka vende anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja, e rëndësishme, është të përpiqemi të arrijmë normalizimin ku ata kufij nuk do të jenë kufij që ndajnë, por kufij që bashkojnë, kufij që i bashkojnë ata realisht”, ishte dekalrimi i Hill.
Ndryshe nga Hill mendon ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Ai duke e përsëritur deklaratën e kancelari gjerman, Olaf Scholz, që deklaroi më 10 qershor të 2022-së gjatë vizitës në Kosovë, se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës
“Vetëm sa për të rikujtuar: Lexojeni deklaratën e qartë të kancelarit gjerman Scholz gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi në qershor të vitit 2022 për normalizimin, përfshirë njohjen reciproke. Kjo qëndron ende: Rruga është aty. Zbatim i plotë i marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit nga të dyja palët sa më parë”, ka pohuar ai.
Njohësit e çështjeve politike dhe profesorë universitar nga Kosova thonë se Serbia nuk mund të anëtarësohet në asnjë mënyrë në Bashkimin Evropian pa normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.
Gashi: Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së pa njohjen e Kosovës
Profesori universitar, Ibrahim Gashi thotë për “Front Online” se Serbia nuk mundet të behët anëtare e BE-së pa normalizuar plotësisht marrëdhëniet me Kosovën, që nënkupton njohjen e saj.
“Sipas të gjitha praktikave por edhe akteve normative të BE-së Serbia nuk mundët të bëhet anëtare e BE-së pa normalizuar plotësisht marrëdhëniet me Kosovën, që nënkupton njohjen e saj”, tha Gashi.
Gashi thotë se me politikën agresive që ka shteti serb, nuk duhet shpërblyer më anëtarësim sepse pastaj ajo më shumë gjasë do të behët pengesë për anëtarësim të Kosovës në BE.
“Për më shumë me politikën aktuale agresive që shteti serb ndjek ndaj Kosovës mendoj që çon mesazh të qartë në Bruksel se Serbinë nuk duhet shpërblyer më anëtarësim sepse pastaj ajo më shumë gjasë do të behët pengesë për anëtarësim të Kosovës në BE“, potencoi ai.
Ujkani: Anëtarësimi i Serbisë në BE pa normalizim të raporteve me Kosovën është absolutisht i pamundshëm
Emrush Ujkani njohës i çështjeve politike dhe integruese thotë për “Front Online” se Serbia e ka të pamundur për tu anëtarësuar në BE dhe do ta ketë të pamundur në rrethanat aktuale për tu anëtarësuar pa njohje të Kosovës.
“Deri para dy muajve ka pasur zëra që kanë mundur të vijnë në konstatim që Serbia mund të jetë anëtare e BE-së. Juridikisht nuk ka pasur pengesa edhe pa e njohur Kosovën ose pa i normalizuar raportet me Kosovën. Por pas përfshirjes së kapitulit 35 të negociatave të BE-së me Serbinë dhe Kosovën, që do të thotë që Serbia duhet t’i normalizojë raportet me Kosovën, e që për shumicën e vendeve do të thotë njohje të Kosovës, atëherë realisht Serbia sot e ka të pamundur për tu anëtarësuar në BE dhe do ta ketë të pamundur në rrethanat aktuale për tu anëtarësuar pa njohje të Kosovës“, tha ai.
Ujkani thotë se deklarata e Ambasadorit amerikan në Beograd, Hill është krejt normale, pasi ka për synim t’i t’i sjellë në nivel tjetër raportet SHBA-Serbi.
“Ato janë në nivel politik, natyrisht njëri vepron në Serbi, si ambasador i SHBA-së atje dhe është i dedikuar për t’i sjellë në nivel tjetër raportet e Serbisë me SHBA, që është krejt normale. Ajo çka e thotë BE-ja në këtë rast, edhe z.Rohde dhe vetë Brukseli është më bindëse sepse natyrisht që BE-ja është ajo që vendos për vetën e vet”, tha ai.
Arifi thotë se pavarësisht deklaratave që mund të jenë kundërthënëse, anëtarësimi i Serbisë në BE pa normalizim të raporteve me Kosovën është absolutisht i pamundshëm.
Mazreku: Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa normalizim të raporteve me Kosovën
Avni Mazreku njohës i çështjeve evropiane thotë për “Front Online” nuk mundet Serbia me qenë pjesë e BE-së pa e njohur Kosovën në qoftëse merret parasysh se si merren vendimet e BE.
Ndërsa, Mazreku thekson po ashtu se vend anëtar nuk mund të bëhet Kosova asnjëherë përderisa nuk e kanë njohur të gjitha shtetet.
“Nuk mundet Serbia me qenë pjesë e BE-së pa e njohur Kosovën në qoftëse e marrim parasysh se si merren vendimet e BE. Asnjëri nga shtetet anëtare në BE nuk e konteston pavarësimin e Serbisë duke e njohur si shtetin anëtar të BE-së, në aspektin formal juridik Serbia mund të bëhet vend anëtare nga procesi se si merren vendimet në BE, ndërsa vend anëtar nuk mund të bëhet Kosova asnjëherë përderisa nuk e kanë njohur të gjitha shtetet“, tha ai.
Mazreku shpjegon se nëse vendet anëtare të BE-së vendosin kriter që është në fakt njohja në mënyrë indirekte, nëse nuk ndryshon ky kriter, Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE.
“Nëse vendet anëtare të BE-së vendosin kriter që është në fakt njohja në mënyrë indirekte, nëse nuk ndryshon ky kriter, Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE. Nga aspekti i vendimmarrjes së BE-së, asnjëri nga shtetet anëtare nuk e konteston njohjen e Serbisë. Një shtet nuk mund të anëtarësohet në BE pa e njohur të gjitha shtetet anëtare”, tha ai.
Ai tutje thekson se kapitujt e BE-së për anëtarësim të vendeve të reja, ku në raportin me Serbinë përfshihet kapitulli i 35-të, që është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.
“Në 35 kapitujt që janë për anëtarësim në BE është kapitulli 35-të që quhet “të tjera” apo “të ndryshme” i jep të drejtë BE-së për të vendosur kritere, në këtë rast një nga kriteret që është vendosur për Serbinë të kapitullit 35-të është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Kjo nënkupton njohjen e Kosovës, se stabilizim nuk mund të ketë të një shteti që aspiron me pas brenda vetës një territor tjetër”, tha Mazreku.
Ndryshe, në prill të këtij viti Komisioni Evropian dhe Shërbimi i veprimit të jashtëm i BE-së (EEAS) kishin dorëzuar propozimin e tyre për ndryshimin e kushteve nga kapitulli 35 i kornizës negociuese në procesin e negociatave të anëtarësimit me Serbinë, në Këshillin e BE-së ende nuk është arritur konsensusi i nevojshëm për miratimin e këtyre ndryshimeve.
Kapitulli i 35-të i negociatave të anëtarësimit, i cili quhet “çështjet tjera”, nuk ka të bëjë me legjislacionin e BE-së, por në këtë kapitull vendosen gjërat specifike që kërkon BE-ja apo ndonjë vend anëtar. Në rastin e Serbisë ai përfshin edhe normalizimin e raporteve me Kosovën.
Ky kapitull ishte hapur ndër të parët qysh në dhjetor të vitit 2015, për të përcjellë përmes tij përparimin drejt normalizimit të raporteve. Deri në vjeshtën e vitit të kaluar, Komisioni Evropian zakonisht e ka vlerësuar sjelljen e Serbisë në dialog si “konstruktive” dhe ka konstatuar se në këtë mënyrë ajo përmbush kriteret për të avancuar në procesin e negociatave të anëtarësimit. Por, në Raportin e Progresit nga vjeshta e vitit 2023 është konstatuar se Serbia, në disa fusha, ka bërë hapa prapa në respektimin e obligimeve nga dialogu për normalizimin e raporteve me Kosovën.
Për mungesë të përparimit në zbatimin e obligimeve BE-ja e ka qortuar edhe Kosovën, madje edhe duke vendosur masa restriktive ndaj saj. Këto masa janë ende në fuqi./Front Online/