Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 66 vota “për” votoi propozimin për shpalljen e konkursit për anëtarët e Këshillit Programor në RTVM

Me 66 vota “për”, Kuvendi miratoi vendimin për shpalljen e konkursit publik për emërimin e anëtarëve të rinj të Këshillit Programor në RTVM, me ç’rast në seancë nuk u paraqit asnjë deputet për të marrë fjalë në debat të përgjithshëm para se propozim-vendimi të vihet në votim, raporton RTVM. Kandidatët për emërimin e anëtarëve të […]

Mars 10, 2025 - 20:00
 0  4
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 66 vota “për” votoi propozimin për shpalljen e konkursit për anëtarët e Këshillit Programor në RTVM
Kuvendi, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Me 66 vota “për”, Kuvendi miratoi vendimin për shpalljen e konkursit publik për emërimin e anëtarëve të rinj të Këshillit Programor në RTVM, me ç’rast në seancë nuk u paraqit asnjë deputet për të marrë fjalë në debat të përgjithshëm para se propozim-vendimi të vihet në votim, raporton RTVM. Kandidatët për emërimin e anëtarëve të Këshillit Programor në RTVM aplikojnë në afat prej 15 ditëve nga dita e shpalljes së këtij vendimi në Gazetën Zyrtare të Maqedonisë së Veriut. Kandidatët e paraqitur duhet t’i plotësojnë kushtet e konkursit publik të përfshira në vendimin e Kuvendit.

“Gjithsej votuan 66 deputetë prej të cilëve 66 votuan “për”, nuk ka “kundër”, nuk ka “të përmbajtur”. Konstatoj se Kuvendi miratoi vendimin për shpalljen e konkursit publik për emërimin e anëtarëve të Këshillit Programor të Radio Televizionit të Maqedonisë.”, –  deklaroi nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshovski.

Vendimi hyn në fuqi nga dita e shpalljes në Gazetën Zyrtare të shtetit, ndërkaq do të publikohet edhe në gazetat ditore “Slloboden Pecat”, “Nova Makedonija” dhe “Koha”. Këshilli Programor, si organ udhëheqës në RTVM, duhet të mbrojë interesat e publikut në drejtim të përmbajtjes programore që transmetohet në RTVM dhe të kujdeset për realizimin e interesave, objektivave dhe kompetencat e këtij institucioni. Sipas statutit të servisit publik, Këshilli Programor përbëhet nga 13 anëtarë të emëruar në Kuvend me afat pesëvjeçar, me të drejtë të edhe një mandati vijues.

“Që nga muaji dhjetor i vitit 2018 Parlamenti po e shtyn emërimin e Këshillit Programor të Shërbimit Radiodifuziv Publik dhe Këshillit të Rregullatorit Mediatik”, është kjo kritika kryesore që është shkruar në Raportin e Komisionit Evropian (KE) për progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane për vitin 2023. Komisioni Evropian tashmë për disa vite me radhë thekson se Radiotelevizioni i Maqedonisë (RTVM) dhe Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA) duhet të bëhen me struktura të reja udhëheqëse që do të zgjedhen nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Krahas kësaj, ndër rekomandimet kryesore që autoritetet maqedonase duhet t’i përmbushin në vitin 2024, në kapitullin kyç 23 për sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, në lidhje me lirinë e shprehjes, KE thekson se Maqedonia e Veriut duhet ta përmirësojë zbatimin e strategjisë për reforma të transmetuesit publik dhe t’i finalizojë emërimet në Këshillin Programor të Shërbimit Radiodifuziv Publik dhe në Këshillin e Rregullatorit Mediatik.