Lafçiski për dilemat me ngritjen në detyrë: Nuk komentoj dekrete dhe urdhra që janë në përputhje me ligjin
Pas çështjes që u hap në opinion për emërimin e tij në postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjeneralmajor Sashko Lafçiski në deklaratën e tij të parë sot për media për këtë temë tha se nuk dëshiron të komentojë dekrete dhe urdhra që janë në përputhje […]
Pas çështjes që u hap në opinion për emërimin e tij në postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjeneralmajor Sashko Lafçiski në deklaratën e tij të parë sot për media për këtë temë tha se nuk dëshiron të komentojë dekrete dhe urdhra që janë në përputhje me ligjin, transmeton Portalb.mk.
Lafçiski këtë e ka thënë duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me rastin që Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) e ka hapur së fundi lidhur me emërimin e tij në këtë pozitë, pas parashtrimit të një ankese.
Lidhur me atë se a është kontaktuar nga KSHPK-ja, Lafçiski është përgjigjur drejtpërdrejt – “jo” dhe ka sqaruar se kjo çështje është në përgjegjësi të kryetares së shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova.
“Së dyti, para së gjithash unë jam ushtar, e shihni që vesh uniformë, jam këtu para së gjithash për të komanduar dhe menaxhuar ushtrinë dhe për t’i shërbyer Maqedonisë. Unë nuk do të komentoja asnjë urdhër, asnjë dekret të presidentes, aq më pak të komentoja dekretet dhe urdhrat që janë në përputhje me ligjin”, tha Lafçiski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas ngjarjes pranim-dorëzimit të pajisjeve nga Republika e Turqisë në ushtri.
Duke u ndërlidhur me Lafçiskin, komentin e vet e dha edhe ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski, i cili shprehu besimin se në rastin e shefit të ri të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjithçka është në përputhje me ligjin dhe të gjitha rregulloret.
Ai ka konfirmuar se Ministria ka pranuar një shkresë nga Komisioni Kundër Korrupsionit lidhur me ankesën dhe se do t’i përgjigjet sa më shpejt që mundet.
“Po, ka arritur pretendimi, pra kërkesë nga KShPK-ja, do t’i përgjigjet sa më shpejt Ministria dhe sigurisht shefi, pra Shtabi i Përgjithshëm. Supozoj se i është dorëzuar edhe presidentes, kështu që të gjithë së bashku do të përgjigjemi, por dua t’ju siguroj të gjithëve se është në përputhje me ligjin dhe në përputhje me të gjitha rregulloret”, tha Misajllovski.
Paraprakisht, në përgjigje të pyetjeve të “360 Gradë” nga nga zyra e presidentes Siljanovska-Davkova, janë mohuar pretendimet e disa partive politike dhe shkrimet në media se promovimi i Sashko Lafçiskit dhe emërimi i tij në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë është kryer në mënyrë të paligjshme.
“Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova gjatë zbatimit të kompetencave të saj udhëhiqet gjithmonë nga Kushtetuta dhe ligjet. Kështu është edhe me emërimin e shefit të ri të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, i cili është emëruar në detyrë në përputhje me rregulloret pozitive ligjore”, thanë nga presidenca.
Nga aty nuk iu përgjigjën kërkesës së 360 Gradë për të treguar dispozitat specifike ligjore sipas të cilave u bë gradimi dhe emërimi i tij i jashtëzakonshëm në postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ARM-së.
Llafçiski zyrtarisht u bë Kryeshef i Shtatmadhorisë së ARMV-së më 18 gusht kur në ceremoninë solemne në Ohër me rastin e Ditës së Armatës ai e shpalosi flamurin që simbolizon pozitën, të cilin ia dorëzoi Kryetarja Gordana Siljanovska-Davkova. Vetëm disa orë më vonë, Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës doli me një reagim në të cilin e kanë problematizuar emërimin e tij, duke thënë se ai në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme ka marrë pozitën që duhet t’i takonte një oficeri shqiptar.
Që Kryeshefi i ri i Shtatmadhorisë të Armatës i ka ngjitur para kohe shkallët në hierarkinë e përgjithshme është e pakontestueshme, por a është e paligjshme?
Dilemë për ligjshmërinë e avancimit të jashtëzakonshëm hap kushti i katërt që thotë se oficeri duhet të jetë “propozim i dy këshillave kadrovikë në nivel brigade ose më lartë”.
Nuk ka informacion të disponueshëm publikisht nëse dhe kur Llafçiski është propozuar nga “dy këshilla kadrovikë në nivel brigade ose më lartë”.
Meqenëse nga kabineti i Siljanovska-Davkovës nuk morëm përgjigje se në cilat dispozita ligjore konkretisht bazohet avancimi i jashtëzakonshëm i Llafçiskit, “360 gradë” dorëzoi kërkesë në bazë të Ligjit për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik deri te Kabineti i Kryetares së Shtetit dhe Ministria e Mbrojtjes që të na dërgojnë fotokopje të procesverbaleve të mbledhjeve të këshillave kadrovikë në të cilat u propozua që Sashko Llafçiski të avancohej në gradë më të lartë të gjeneralit.
Afati ligjor për një përgjigje nga të dyja institucionet përfundon më 10 shtator.
Pa u avancuar në gjeneral-major, Llafçiski nuk mund të bëhej Kryeshef i Shtatmadhorisë të ARMV-së
Nga ana tjetër, avancimi i jashtëzakonshëm i Llafçiskit në gjeneral-major është një parakusht kyç që ai të emërohet Kryeshef i Shtatmadhorisë të Ushtrisë.
Në aktin e formacionit të miratuar nga kreu i shtetit, parashihet që si Kryeshef i Shtatmadhorisë mund të emërohet një oficer me gradën gjeneral-nënkolonel, gjegjësisht gjeneral. Rregullat thonë se në detyrë mund të vijë edhe dikush me gradën një shkallë më të ulët (gjeneral-major), me kusht që të ngjitet në gradën tjetër sapo të krijohen kushtet ligjore për këtë.
Pra, Sashko Llafçiski nuk do të mund të bëhej Kryeshef i Shtatmadhorisë nëse nuk do të ishte avancuar në gjeneral-major dhe nuk do të mund të avancohej në gjeneral-major nëse nuk do të ishte propozimi i “dy këshillave kadrovikë në nivel brigade ose më të lartë”. Presim provat nga Kryetarja e Shtetit dhe Ministria e Mbrojtjes nëse ka qenë.