Letër e hapur deri te Komisioni Evropian nga EDRI: t’i rezistojë presionit politik të kompanive teknologjike kundër rregullave të BE-së
Mbi 35 grupe të interesit publik që përfshijnë organizata të shoqërisë civile, sindikata dhe biznese të cilat janë anëtare të Rrjetit Evropian për të Drejtat Digjitale (EDRI) kërkojnë nga Komisioni Evropian që t’i rezistojë presionit politik nga kompanitë e mëdha teknologjike kundër rregullave të BE-së, si dhe të mbrojnë demokracinë dhe ekonominë. Nënshkruese e kësaj […]
Mbi 35 grupe të interesit publik që përfshijnë organizata të shoqërisë civile, sindikata dhe biznese të cilat janë anëtare të Rrjetit Evropian për të Drejtat Digjitale (EDRI) kërkojnë nga Komisioni Evropian që t’i rezistojë presionit politik nga kompanitë e mëdha teknologjike kundër rregullave të BE-së, si dhe të mbrojnë demokracinë dhe ekonominë. Nënshkruese e kësaj letre nga Maqedonia e Veriut si anëtare e këtij rrjeti është Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”, transmeton Portalb.mk.
Më poshtë e përcjellim letrën e plotë dhe nënshkruesit.
E nderuara Kryetare von der Leyen,
E nderuara Zëvendëskryetare Ekzekutive Ribera,
E nderuara Zëvendëskryetare Ekzekutive Virkkunen,
Ne, organizatat e shoqërisë civile, sindikatat dhe bizneset, e nënshkruara më poshtë, ju kërkojmë t’i rezistoni presionit politik nga kompanitë e mëdha teknologjike (Big Tech) dhe t’i jepni përparësi veprimeve të guximshme për të mbrojtur demokracinë dhe ekonominë tonë. Nëse BE-ja dëshiron të ruajë sovranitetin e saj, ajo nuk duhet të ndalojë ose dobësojë zbatimin e rregullave të saj.
Kemi vëzhguar me shqetësim në rritje se si drejtorët ekzekutivë të kompanive të mëdha teknologjike amerikane kanë ndërruar drejtimin për të lajkatuar me administratën e Presidentit Trump, pjesërisht për ta mobilizuar atë kundër rregullave të BE-së, si Ligji i Tregjeve Digjitale (LTD), politika e konkurrencës dhe Ligji i Shërbimeve Digjitale (LSHD).
Drejtori Ekezekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg, ka deklaruar publikisht se kompania do të kërkonte të punonte me Presidentin Trump për të minuar ligjet në BE, duke synuar drejtpërdrejt LSHD-në, por edhe zbatimin e politikës së konkurrencës. Në mënyrë të ngjashme, Drejtori Ekzekutiv i Apple, Tim Cook thuhet se i ka kërkuar drejtpërdrejt Trumpit që ta kursejë atë nga gjobat e vendosura nga BE-ja pas një hetimi për ndihmën shtetërore.
Ndjemë një ndjenjë lehtësie kur ju dëgjuam se mbeteni plotësisht të përkushtuar ndaj zbatimit të rreptë të LTD-së dhe LSHD-së dhe zbatimit të këtyre rregullave kudo ku kompanitë nuk i respektojnë ato plotësisht, pas raporteve të shtypit që sugjeronin se Komisioni po shqyrtonte ndalimin e hetimeve që janë në vazhdim e sipër.
Organizatat e nënshkruara më poshtë ritheksojnë në termat më të fortë të mundshëm se zbatimi i LTD-së, LSHD-së dhe politikës së konkurrencës është thelbësor për mbrojtjen e njerëzve nga abuzimet më të këqija në internet, për mbrojtjen e demokracive tona kundër ndërhyrjeve të huaja, për krijimin e mundësive për novatorët evropianë, për ruajtjen e pluralizmit mediatik, dhe për të kufizuar fuqinë e rrezikshme politike dhe të tregut që kanë sot korporatat e mëdha teknologjike. Ne ritheksojmë mbështetjen tonë për shërbimet e Komisionit që bëjnë punën e përditshme të zbatimit dhe ju bëjmë thirrje që të merrni vendime të guximshme duke u bazuar në vlerësimet e tyre.
Megjithatë, kjo kohë tregon më shumë se kurrë më parë se për të frenuar kompanitë e mëdha teknologjike, BE-ja gjithashtu duhet të investojë në teknologji që mundëson një sferë publike digjitale më të larmishme dhe të decentralizuar.
Ndërprerja e zbatimit do të nënkuptonte pranimin e humbjes në punën tuaj për ta bërë sferën digjitale të drejtë dhe të sigurt
Përpjekja e drejtorëve ekzekutiv të kompanive të mëdha teknologjike për të fituar favorin e administratës amerikane nuk është befasi. Në fakt, kompanitë e mëdha teknologjike kanë arritur dominimin e tyre të jashtëzakonshëm në treg pjesërisht duke përdorur fuqinë e tyre për të shmangur respektimin e ligjeve, si për shembull mbrojtjen e të dhënave dhe politikën e konkurrencës, në të kaluarën. Ata të gjithë kanë lobuar shumë kundër përdorimit të mjeteve të konkurrencës nga BE-ja dhe LTD-së që kur propozimi u diskutua fillimisht. Apple dhe Meta u përpoqën gjithashtu të bllokonin zbatimin e LTD-së me veprime ligjore kundër Komisionit duke vënë në dyshim statusin e tyre të mbrojtësit.
Tani drejtorët ekzekutivë të kompanive të mëdha teknologjike po kërkojnë të mobilizojnë administratën e Presidentit Trump për të mbrojtur aftësinë e tyre për të shfrytëzuar përdoruesit dhe bizneset që varen prej tyre, duke përfshirë zhvilluesit e aplikacioneve, botuesit, reklamuesit dhe të tjerët, të gjitha këto duke vazhduar të ngulfatin konkurrentët e mundshëm. Ky shfrytëzim jo vetëm që ka krijuar një ekonomi të padrejtë digjitale; ka ndikuar drejtpërdrejt në dinamizmin dhe pluralizmin e ekonomisë evropiane.
Ri-futja e konkurrencës, drejtësisë dhe zgjedhjes në tregun digjital do të jetë edhe ashtu një detyrë e vështirë. Nëse ndalojmë ose dobësojmë zbatimin, rrezikojmë ta bëjmë të pamundur.
Evropa nuk duhet të maltretohet nga njerëz si Musk dhe Trump për ta dobësuar zbatimin e LSHD-së dhe LTD-së së saj
Në të njëjtën kohë, veprimet e ndërmarra nga X dhe Meta janë një kujtesë e fortë se sa e cenueshme është Evropa në varësinë tonë nga platformat më të mëdha online.
X në veçanti ka shkelur detyrimet e tij sipas LSHD-së për disa kohë, siç nënvizohet nga vetë gjetjet paraprake të Komisionit. Mënyra se si Musk dhe aleatët e tij oligarkë e përdorin platformën për propagandë politike antidemokratike, gënjeshtra dhe ngacmime të synuara, është një kërcënim serioz për demokracinë dhe diskursin tonë politik në Evropë. Ne jemi thellësisht të shqetësuar për fuqinë që ata e përdorin tani përmes makinës së manipulimit algoritmik që mbështet burimet e rrjetit social X.
Meta kohët e fundit njoftoi një ulje të madhe të qasjes së tyre të moderimit të përmbajtjeve në platformat e tyre. Ky ndryshim shfuqizon disa nga mbrojtjet më themelore të të drejtave të njeriut, duke lejuar shprehimisht shënjestrimin e komuniteteve të margjinalizuara dhe duke inkurajuar ekstremistët. Ndërsa këto ndryshime janë njoftuar se do të zbatohen fillimisht për përdoruesit amerikanë, Facebook, Instagram dhe Threads janë platforma globale. Përmbajtja në gjuhën angleze me bazë në SHBA në mënyrë të pashmangshme do të shihet dhe shpërndahet gjithashtu nga përdoruesit e Zonës Ekonomike Evropiane, dhe këta përdorues kanë shumë të ngjarë të përjetojnë pasojat e këtij degradimi të moderimit të përmbajtjeve. Me të drejtë do të pyesin se si i mbron ata LSHD-ja.
Tani është koha për të dyfishuar angazhimin për sovranitetin teknologjik të BE-së
Kjo nuk është një përplasje mes BE-së dhe SHBA-së, por më tepër një sulm nga kompanitë e mëdha teknologjike kundër të gjithë të tjerëve.
Kjo është arsyeja pse ju kërkojmë sot një lidership politik të guximshëm që jo vetëm do t’i rezistojë maltretimeve nga kompanitë e mëdha teknologjike, por edhe do t’i japë përparësi zbatimit të fortë të rregullores digjitale. Për më tepër, ju bëjmë thirrje që të investoni në një sferë digjitale të larmishme dhe të decentralizuar, e cila është pjesë e një bashkësie sovrane digjitale dhe që nuk zotërohet dhe qeveriset nga korporata teknologjike pronësore, pavarësisht se ku gjenden ato.
Me respekt,
‘NEVER AGAIN’ Association, Poloni,
Access Now, Globale
AlgorithmWatch, Gjermani
Aspiration, SHBA
Avaaz, Globale
Balanced Economy Project, Globale
Bürgerbewegung Finanzwende, Gjermani
Center for Countering Digital Hate, SHBA/MB
Corporate Europe Observatory, BE
Commons Network, Holandë
Cryptee, Estoni
Danes je nov dan, Slloveni
Defend Democracy, Holandë/Belgjikë
Democracy Reporting International (DRI), Globale
Digital Action, Globale
Digitale Gesellschaft,
Zvicër Državljan D / Citizen D, Slloveni
EKŌ, SHBA
European Public Services Union (EPSU), BE
European Digital Rights (EDRi), BE
FEMNET, Gjermani
Germanwatch e.V., Gjermani
Goliathwatch, Gjermani
Gong, Kroaci
Homo Digitalis, Greqi
Irish Council for Civil Liberties, Irlandë
Lobbycontrol, Gjermani
Matrix.org Foundation, MB
Fondacioni Metamorfozis, Maqedonia e Veriut,
Nextcloud, Gjermani
Open Markets Institute, SHBA
Panoptykon Foundation, Poloni
People vs Big Tech, Globale
Politiscope, Kroaci
Rebalance Now, Gjermani
SHARE Foundation, Serbi
SOMO, Holandë
The Good Lobby, BE
The London Story, Belgium / Holandë
Transnational Institute (TNI), Holandë
Vrijschrift.org, Holandë
Xnet, Institute for Democratic Digitalisation, Spanjë