Interpelanca kundër Ilire Dautit: Përplasen partitë politike, edhe jashtë Kuvendit të Maqedonisë së Veriut

Interpelanca ndaj Ilire Dautit, deputete e Frontit Europian dhe kryetare e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini po shkakton debat edhe jashtë mureve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut edhe pas votimit 10 janarit, ku me 61 vota ‘për’, 22 ‘kundër’ dhe asnjë ‘të përmbajtur’, deputetët përkrahën interpelancën e partisë ‘E Majta’ për shkarkimin […]

Jan 13, 2025 - 20:00
 0  4
Interpelanca kundër Ilire Dautit: Përplasen partitë politike, edhe jashtë Kuvendit të Maqedonisë së Veriut
Deputetja Ilire Dauti. Foto nga faqja e saj zyrtare në Facebook

Interpelanca ndaj Ilire Dautit, deputete e Frontit Europian dhe kryetare e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini po shkakton debat edhe jashtë mureve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut edhe pas votimit 10 janarit, ku me 61 vota ‘për’, 22 ‘kundër’ dhe asnjë ‘të përmbajtur’, deputetët përkrahën interpelancën e partisë ‘E Majta’ për shkarkimin e saj nga detyra e kryetares së komisionit me të cilën udhëhiqte, raporton Portalb.mk.

“Interpelanca e votuar në Kuvend, ashtu siç u miratua edhe konkluza nënkupton largimin tim ose veprimin tim nën diktatin e Levicës dhe VMRO-së. Përballë të zgjedhurit në mes humbjes së pozicionit të Kryetares së Komisionit dhe veprimit nën diktat, sipas kushteve të përcaktuara nga Levica dhe të propozuara si Konkluzion nga Afrim Gashi, mos keni asnjë dyshim që do pranoj lirinë e veprimit si deputete, ashtu siç e kam bërë gjer tani, e lirë dhe e pavarur. Ashtu duhet të jetë edhe çdo qytetarë pavarësisht diversitetit që kemi”, ka deklaruar deputetja Dauti.

Partitë me argumente të ndryshme rreth pozitës së deputetes Ilire Dauti

Debatin mes partive politike pas votimit të interpelancës e ka nxitur kumtesa e Kuvendit, me të cilën institucioni sqaroi situatën: “çka pas interpelancës?”

Theksojmë se vota e interpelancës është shprehje e deputetëve dhe nuk ka pasoja juridike detyruese për shkarkim dhe nuk ka efekt juridik. Emërimet dhe shkarkimet rregullohen nëpërmjet procedurave të tjera të veçanta të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit, ligjet dhe Kushtetutën”, sqaroi kabineti i Kryetarit të Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, në lidhje me shkarkimin e Ilire Dautit.

Për partinë “ZNAM” është e pakuptimtë që Ilire Dauti të vazhdojë të ushtrojë funksionin pas votimit të interpelancës ndaj saj. Nga aty kërkojnë propozim të ri nga Fronti Europian.

“Është tërësisht e palogjikshme që pasi të votoni interpelancë, të konstatoni përgjegjësi te dikush se nuk i ka respektuar Kushtetutën dhe ligjet ose Rregulloren e Kuvendit dhe nuk ka vepruar me përgjegjësi gjatë punës së tij, të vazhdojë të bëjë punën. Praktikisht, nëse me votim nuk ka veprime të tjera juridike të detyrueshme, atëherë e kotë që keni konstatuar shkelje nëse për atë shkelje nuk ka sanksione. Për ne, kolegia Dauti nuk mundet më të jetë kryetare e këtij komisioni dhe absolutisht Fronti Evropian duhet të propozojë kandidat të ri për këtë funksion”, deklaroi Boban Karapejovski, ZNAM.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, kuadër i VLEN tha se e mbështesin deputeten Dauti.

“Konfirmoj se Ilire Dauti ka qenë kryetare e Komisionit dhe do të mbetet kryetare e tij. Mund të kemi shumë kundërshtime, por kur ka një nismë nga e majta, jemi kundër. Prandaj do ta mbështesim Dautin”, tha Mexhiti.

Nga Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë së Veriut përmes një reagimi për media thonë: “Tashmë që është votuar interpelanca, apo mocioni i mosbesimit, është edhe përgjegjësi e Kryetarit të Kuvendit të bëjë të ditur se çfarë do të bëjë dhe cilat janë hapat e tij të ardhshëm.

Mile Lefkov, deputet i VMRO-DPMNE-së, tha se me votimin e interpelancës kundër Ilire Dautit është shprehur edhe qëndrimi i partisë.

“61 vota me të cilat kërkohet përgjegjësi për punën, është qëndrim i thënë mjaft qartë”, tha Lefkov.

Si erdhi deri te interpelanca ndaj deputetes Dauti? 

Kryetarja e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, deputetja Ilire Dauti u akuzua nga E Majta se ka bllokuar Ligjin për ‘Branitellat’.

Deputetja Ilire Dauti pati paralajmëruar se nuk do ta vendosë në rend dite Ligjin për ‘Branitellat’ nëse luftëtarët e UÇK-së nuk trajtohen në mënyrë të njëjtë. 

Çfarë përmban ligji? 

Ligji i ‘Branitellave’ përcakton statusin dhe të drejtat për pjesëtarët e forcave të sigurisë maqedonase të cilat morën pjesë në konfliktin e armatosur në vitin 2001

Debati për këtë ligj është ngritur mbi atë se të drejtat që u takojnë ‘branitellave’ nuk u takojnë ushtarëve të UÇK-së.

Ndryshe, përkundër interpelancës ndaj deputetes Dauti e cila kaloi. Deputetët me votat e tyre nuk kaluan asnjë nga katër interpelancat të cilat i referoheshin zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mjedisit Jetësor Izet Mexhitit, zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve Ivan Stoillkoviq, ministrit të Brendshëm Pançe Toshkovskit si dhe zëvendësit Astrit Iseni.