Ligji për mbrojtjen e fëmijëve përsëri në seancë plenare, pas mosdekretimit nga ana e presidentes Siljanovska- Davkova

Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve kthehet përsëri në procedurë parlamentare në seancën e sotme të 31-të, pasi presidentja Gordana Siljanovska Davkova kohë më parë nuk e nënshkroi dekretin për shpalljen e Ligjit, transmeton Portalb.mk. Deputetët e votuan këtë ligj më 24 dhjetor 2024 në seancën e 27-të plenare, me […]

Jan 21, 2025 - 14:00
 0  5
Ligji për mbrojtjen e fëmijëve përsëri në seancë plenare, pas mosdekretimit nga ana e presidentes Siljanovska- Davkova
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve kthehet përsëri në procedurë parlamentare në seancën e sotme të 31-të, pasi presidentja Gordana Siljanovska Davkova kohë më parë nuk e nënshkroi dekretin për shpalljen e Ligjit, transmeton Portalb.mk.

Deputetët e votuan këtë ligj më 24 dhjetor 2024 në seancën e 27-të plenare, me shumicë të thjeshtë dhe Badenter. Me mosnënshkrimin e Dekretit, ndryshimet ligjore kthehen në Kuvend dhe nëse votohen sërish, presidentja do të duhet ta nënshkruajë dekretin.

Në shpjegimin e presidentes thuhet se ndryshimet e votuara të Ligjit përmbajnë disa dispozita kontestuese. Në sqarim ajo thekson se ka bërë analiza të thella dhe konsultime me ekspertë, pas së cilës kërkon rishikimin e dispozitave të neneve 9 dhe 10 të Propozim- ligjit.

“Besoj se Kuvendi, si bartës i pushtetit legjislativ do t’i marrë parasysh vërejtjet dhe sugjerimet e mia gjatë shqyrtimit të dispozitave të nenit 9 dhe nenit 10 të Ligjit për ndryshim dhe plotësim të ligjit për mbrojtjen e fëmijëve të cilin e miratoi më 24 dhjetor 2024 dhe do të krijojë zgjidhje të qarta, të sakta konform me Kushtetutën”, thuhet në dokument.

Në sqarimin e saj, presidentja thotë se nenet e parashikuara të ligjit duhet të rishikohen në prizmin e amendamentit 5 të Kushtetutës dhe ligjit ekzistues për përdorimin e gjuhëve.

Presidentja ngre pluhur mbi këtë çështje, pavarësisht se Ligji për përdorimin e gjuhëve saktë e precizon se:

“Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj”.

Presidentja thekson edhe dispozitën e nenit 182, paragrafi 5 i Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve i cili rregullon mënyrën e marrjes, vazhdimit dhe revokimit të licencës për punë, formën dhe përmbajtjen e formularit të licencës të cilat i përcakton ministri.

Siljanovska-Davkova në një deklaratë dhënë gjatë festës së Krishtlindjeve tha se nuk e ka ndërmend të përdor veto apo të fyejë ndonjë gjuhë.

“Shpjegova që nuk jam ligjvënëse, nuk do të propozoj zgjidhje, nuk jam Gjykatë Kushtetuese, ndaj nuk do ta vlerësoj me veto, thjesht bëra thirrje që të shqyrtohen edhe një herë nenet 9 dhe 10 dhe edhe një herë të mendohet nëse kjo mënyrë e kalimit dhe marrjes së licencës nuk do të prezantojë apo do t’i lërë hapësirë ​​autoritetit diskrecional. Unë nuk jam e njëanshme, por partitë që synojnë kualifikime. Sapo u nisa nga një fakt i njohur kushtetues dhe juridik se, së pari, ka një dispozitë në vetë ligjin, ku thuhet se, ndër të tjera, mënyra e dhënies së provimit dhe mënyra e dhënies së licencave rregullohet me aktet e ministrit. Në nenin 9 dhe 10 ka dispozita që mendoj se përbërja parlamentare duhet t’i rishqyrtojë”, deklaroi Silljanovska-Davkova.

Edhe nga qeveria paralajmëruan se ligji do të përpunohet dhe përsëri do të dërgohet në Kuvend në afate ligjore.

Faktori politik shqiptar pati reagime në lidhje me aktin e mosnënshkrimit të Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve.

Kujtojmë se debatin për kushtetutshmërinë e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në fund të vitit të kaluar (2024) e solli Gjykata Kushtetuese, e cila më 11 dhjetor 2024, vendosi të caktojë seancë përgatitore me të cilën synohet që ekspertë të fushave të ndryshme t’i përplasin argumentet me kontestuesit e Ligjit në fjalë, ndërsa gjykata ka kërkuar ‘mendim miqësor’ për këtë edhe nga Komisioni i Venedikut. Seanca është caktuar të mbahet më 20 mars 2025.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2019-të. Ai u miratua në 11 janar 2018, në mungesë të VMRO-DPMNE-së në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë.

Në një analizë të Portalb.mk, ekspertët juridik kanë treguar rrugën politiko-juridike që duhet të ndjekur për tu mbyllur një herë e përgjithmonë çështja e gjuhës shqipe dhe debati për të njëjtën.