21 vjeçari, Liridon Demiri, me origjinë nga Kumanova, kandidon në zgjedhjet komunale që mbahen më 13 tetor në komunën Evere të Brukselit, në Belgjikë. Ai është i renditur në vendin e 5-të në listën e partisë MR.
Në një postim në Facebook, i riu nga Kumanova, ka shkruar se ambicia e tij është që të kontribuoj për një të ardhme më të qëndrueshme, më të shëndetshme, për të gjithë banorët që jetojnë në komunën ku garon.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë postimin e tij.
Të dashur miq dhe mikesha shqiptarë,
Me emocion të thellë ju njoftoj kandidaturën time për zgjedhjet komunale më 13 tetor në Evere (Bruksel), në vendin e 5-të në listën e MR.
Si një i ri me prejardhje shqiptare, i lindur këtu, në Belgjikë, unë jam rritur dhe kam jetuar gjithë jetën time në Evere, një komunë që më ka parë të rritem dhe të zhvillohem.
Që nga mosha e re, kam qenë dëshmitar i sfidave me të cilat përballet komuniteti ynë, por gjithashtu edhe i pasurisë dhe potencialit të tij. Rruga ime, e shënuar nga vite të tëra angazhimi sportiv dhe shoqëror, si dhe nga roli im si kryetar i këshillit të të rinjve, më ka shtyrë të bëj më shumë. Dhe sot, dua t’i tregoj rinisë së komunës sonë, veçanërisht të rinjve shqiptarë, se gjithçka është e mundur.
Ne mund të kemi sukses, pavarësisht nga mjedisi ynë social ose ekonomik. Jam këtu për t’ju thënë se nuk ka asnjë pengesë të pakapërcyeshme, asnjë ëndërr që është shumë e madhe.
Dua të jem zëri i rinisë, dua të inkurajoj çdo të ri që të investojë në të ardhmen e tij, qoftë përmes studimeve, karrierës, sipërmarrjes apo angazhimit qytetar.
Ëndërroj një Evere ku secili ndihet i sigurt, ku pastërtia nuk është një luks, por një e vetëkuptueshme. Kam parë se si komuna ime është përkeqësuar gjatë viteve, dhe refuzoj të mbetem spektator i kësaj realiteti.
Ambicia ime është të kontribuoj për një të ardhme më të qëndrueshme, më të shëndetshme, për të gjithë ne, për fëmijët tanë, për brezat e ardhshëm.
Të dashur shqiptarë, së bashku, ne mund t’i japim komunës sonë shkëlqimin që meriton. Në tetor, unë llogaris në mbështetjen tuaj për të bërë që zërat tanë të dëgjohen dhe mesazhi ynë të ngrihet lart: e ardhmja e Everes është në duart tona dhe ajo fillon me ne.
Faleminderit nga zemra për mbështetjen dhe besimin tuaj. Ju lutem mos hezitoni ta shpërndani këtë postim kudo që dëshironi për të më mbështetur.