Lufta e studentëve dhe qytetarëve në Serbi nuk rresht

Kanë kaluar më shumë se tre muaj nga tragjedia në stacionin e trenit në Novi Sad të Serbisë, ndërsa protestat e qytetarëve dhe bllokadat e studentëve me kërkesa për përcaktimin e përgjegjësisë për aksidentin dhe zbatimin e të drejtave dhe drejtësisë po vazhdojnë ende, Meta.mk ishte në Beograd, transmeton Portalb.mk. Bllokadat vazhdojnë, ndërsa sot në […]

shkurt 7, 2025 - 09:00
 0  5
Lufta e studentëve dhe qytetarëve në Serbi nuk rresht
Protestat e studentëve në Beograd. Foto: Meta.mk

Kanë kaluar më shumë se tre muaj nga tragjedia në stacionin e trenit në Novi Sad të Serbisë, ndërsa protestat e qytetarëve dhe bllokadat e studentëve me kërkesa për përcaktimin e përgjegjësisë për aksidentin dhe zbatimin e të drejtave dhe drejtësisë po vazhdojnë ende, Meta.mk ishte në Beograd, transmeton Portalb.mk.

Bllokadat vazhdojnë, ndërsa sot në Beograd janë mbajtur disa tubime, ndër të cilat edhe një para Ministrisë së Arsimit.

Mëngjesin e sotëm qindra studentë, profesorë dhe qytetarë janë mbledhur para godinës së Ministrisë së Arsimit, ku të bashkuar në organizatën joformale “PULSI i shkollave fillore të Beogradit”, i kanë dorëzuar një letër ministres së arsimit Sllavica Gjukiq Dejanoviq me kërkesat për të cilat duan të bisedojnë.

Punonjësit e arsimit nga shkollat ​​e Beogradit nga Ministria e Arsimit kërkojnë një siguri më të madhe për nxënësit dhe mësimdhënësit, ndërprerjen e targetimit të mësimdhënësve, lehtësimin e pjesës administrative të punës së tyre në mënyrë që ata t’u kushtojnë më shumë kohë nxënësve, si dhe ndryshime në ligjin për grevat e mësimdhënësve dhe zgjedhjen e drejtorëve.

Studentët e bllokuan rrugën “Nemanjina” para Ministrisë së Arsimit të Serbisë, pas çka u drejtuan drejt Parkut të Studentëve.

Protesta e punonjësve të arsimit dhe e studentëve. Foto: Meta.mk

Tubimi i sotëm kaloi pa incidente, ndërkohë që për sigurinë u përkujdesën pjesëtarët e policisë së Beogradit dhe policisë rrugore.

Pas përfundimit të tubimit studentët u shpërndanë drejt fakulteteve të tyre, por mesazhi i tyre mbeti i dukshëm në të gjithë qytetin. Mbishkrimet, pankartat dhe format e tjera të protestave mund të shihen në shumë vende anembanë Beogradit, e sidomos në kampuset studentore, ku pakënaqësia e të rinjve është më e theksuar.

Emrat e viktimave të fatkeqësisë në stacionin e trenit në Novi Sad, të shkruara në një pankartë në Fakultetin Filozofik në Beograd. Mes tyre është edhe emri i Vasko Sazdovskit nga Maqedonia, i cili humbi jetën në këtë aksident / Foto: Meta.mk

Rrugët e Beogradit dëshmojnë për një valë më të thellë të aktivizmit studentor që e reflekton revoltën e tyre kundër padrejtësisë.

Gjatë ditës protestuan edhe studentët e fakulteteve të mjekësisë, ndërsa mjekët e ardhshëm në të njëjtën kohë dolën në protesta në Beograd, Novi Sad, Nish dhe Kragujevc.

Në thirrjen e përbashkët drejtuar anëtarëve të Kuvendit të Shoqatës së Mjekëve të Serbisë, studentët bënë apel për mbrojtjen e vlerave etike dhe parimeve morale.

“Ne nga ju kërkojmë që të na mbroni dhe, si ata që ia kushtuan jetën shëndetit të njeriut, tani të luftoni për jetën e të gjithë atyre që janë të ekspozuar ndaj goditjeve të makinave, shisheve të qelqit, shufrave metalike dhe çdo strehe të ardhshme”, theksojnë studentët e mjekësisë në një deklaratë të përbashkët.

N1 njoftoi se kërkesat e studentëve nga katër fakultetet e mjekësisë sot janë mbështetur zyrtarisht nga Kuvendi i Shoqatës së Mjekëve të Serbisë.

Me thirrje të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Beograd pasditen e sotme dhjetëra qytetarë e bllokuan trafikun për 15 minuta në kryqëzimin mes rrugës “Palmotiqeva” dhe bulevardit “Despot Stefan” përballë Institutit të Shëndetit Mendor, ku para pak kohësh një i ri u fut me makinë dhe goditi dy gra punonjëse të këtij institucioni shëndetësor gjatë një ceremonie përkujtimore për viktimat që humbën jetën në stacionin e trenit në Novi Sad.

Protestuan edhe punonjësit e Qendrës Spitalore Klinike “Zemun”, të cilët e bllokuan rrugën “Vërtllarska” në Beograd, me ç’rast u bënë homazh viktimave që humbën jetën nga shembja e strehës në stacionin e trenit në Novi Sad më 1 nëntor. Ata qëndruan në heshtje për 15 minuta, e pas kësaj e zhbllokuan rrugën dhe punonjësit që protestonin u drejtuan drejt vendeve të tre të punës.

Nesër, një heshtje prej pesëmbëdhjetë minutash do të mbahet në rrugën “Krunska” të Beogradit. Aty studentët do të mblidhen së bashku me Dr. Milla Paunoviq, e cila muajin e kaluar dha dorëheqje nga Poliklinika Studentore ku ishte e punësuar, në shenjë mbështetjeje për studentët.

Dr. Paunoviq atëkohë deklaroi se mungesa e mbështetjes për studentët në përmbushjen e kërkesave të tyre për respektimin e ligjit ishte pika e fundit në një sërë ngjarjesh që e nxitën atë për të dhënë dorëheqje.