Integriteti i zgjedhjevenë kohën e TikTok-ut dhe fushatave virale: Si e dëmtojnë procesin zgjedhor kërcënimet informative?
Kontrollimi i hapësirës së informacionit është një luftë e vazhdueshme. Kërcënimet informative kanë qenë gjithmonë një pengesë për demokracinë dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme përgjatë gjithë historisë njerëzore. Por, me shfaqjen e internetit dhe rrjeteve sociale numri i sulmeve informative është rritur në mënyrë drastike dhe ndikimi i tyre ndaj proceseve demokratike është […]


Kontrollimi i hapësirës së informacionit është një luftë e vazhdueshme. Kërcënimet informative kanë qenë gjithmonë një pengesë për demokracinë dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme përgjatë gjithë historisë njerëzore. Por, me shfaqjen e internetit dhe rrjeteve sociale numri i sulmeve informative është rritur në mënyrë drastike dhe ndikimi i tyre ndaj proceseve demokratike është bërë edhe më shkatërrues. Zgjedhjet, si një komponent i shtrenjtë dhe qenësor i jetës shoqërore sot në shoqëritë demokratike janë një nga mekanizmat më të cenueshëm– ato vazhdimisht janë nën sulmin e aktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, transmeton Portalb.mk.
Ishin këto konkluzionet e panelit të diskutimit me titull “Demokracia në rrezik: Integriteti i zgjedhjeve përkundër kërcënimeve informative – Përvojat në Ballkanin Perëndimor dhe BE dhe zvogëlimi i rrezikut” që u mbajt sot në kuadër të konferencës “Bashkë për të vërtetën: Një qasje gjithpërfshirëse e të gjithë shoqërisë për mbrojtjen e demokracisë”.
Diskutimi mblodhi së bashku folës nga disa vende të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, të cilët i ndanë përvojat e shoqërive të tyre sa i përket ndikimit të kërcënimeve informative pas zgjedhjeve demokratike.
Tragjedia në Koçan në të cilën humbën jetën 59 të rinj i nxiti PR dhe mekanizmat e tjerë që partitë politike zakonisht i përdorin para zgjedhjeve – spin, kahëzimin e emocioneve, thirrjen në rregulla dhe moral, etikën në media, madje i përfshinë edhe të ashtuquajturat “ferma të boteve” me gjuhë të urrejtjes dhe me kërcënime. Këtë e theksoi drejtoresha ekzekutive e Këshillit për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM), Biljana Georgievska.
Sipas saj instrumentalizimi i këtillë i tragjedisë nga ana e partive bëhet në bashkëpunim me disa nga mediat tradicionale dhe ato online, të cilat i përhapin narrativet e partive politike pa përpunim kritik.
“Përfshirja e të gjithë këtyre mekanizmave ishte rezultat i dhe i inicuar nga fatkeqësia, por koha kur ndodhi ishte vërtet e duhur – 6 muaj para zgjedhjeve lokale, periudhë kur tek ne fillon të zhvillohet një fushatë jozyrtare zgjedhore”, tha Georgievska.
Siç shtoi ajo, as kjo tragjedi jo vetëm që nuk i bashkoi mediat në një thirrje të përbashkët për sigurinë e të gjithë qytetarëve të këtij vendi në të ardhmen, por edhe i ndau ato nga aspekti i shkallës së raportimit për tragjedinë.
“Ato madje shkuan edhe në ekstreme – disa kërkojnë largimin e kamerave, gjoja për mbrojtur privatësinë e viktimave dhe familjeve, të tjerë shesin pikëllimin për pëlqime dhe klikime”, shtoi drejtoresha ekzekutive e KEMM.
“Fabrika e PR” e të gjitha partive politike është lëshuar me rrezikun e dëmtimit të integritetit të zgjedhjeve të ardhshme, vlerësoi Georgievska.
Ajo theksoi se pa një rregullim të qartë procesi zgjedhor do vazhdojë të jetë në rrezik dhe theksoi se është i nevojshëm rishikimi urgjent i Kodit Zgjedhor dhe të bëhet dallimi mes mediave të përgjegjshme dhe atyre të papërgjegjshme.
Emilija Petreska-Kamenjarova nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA) theksoi se edhe pse mediat tradicionale i nënshtrohen monitorimit dhe kanë rregulla të qarta, për fushatat online nuk ka udhëzime precize.
Në zgjedhjet e fundit të dyfishta (parlamentare dhe presidenciale) në vend janë monitoruar mbi 5 milionë sekonda reklama radiotelevizive – shifër që sipas Petreska-Kamenjarova flet për vëllimin e mjeteve financiare të ndara për reklamim politik. Por, në hapësirën digjitale nuk ka pothuajse kurrfarë rregullimi.
“Ajo zbarztirë që ekziston është e mbushur me një fushatë që po bëhet gjithnjë e më e ashpër. Jemi dëshmitarë, shohim, ka hulumtime që tregojnë qartë se gjithnjë e më shumë fushatat po kalojnë në hapësirën online dhe se kemi një rritje të aktivitetit të funksionerëve në rrjetet sociale gjatë fushatës. Kjo rritje është aq e madhe sa që edhe ODIHR në raportin e tij për zgjedhjet e mëparshme tha se duhet të zbatohen rregulla të qarta në Kodin zgjedhor për pjesëmarrjen e funksionerëve në fushatat në rrjetet sociale”, tha Petreska-Kamenjarova.
Siç shtoi ajo, ASHMAA ka vendosur të iniciojmë një kod të sjelljes për fushatat online, por si organ rregullator nuk mund ta bëjë këtë vetëm. Ata kanë nevojë për bashkëpunim me palët e tjera.
Madalina Voinea nga Ekspert Forum, Rumani, ndau përvojën e vendit të saj me një kandidat në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, i cili edhe pse kishte zhvilluar një fushatë masive në internet, nuk ka deklaruar asnjë shpenzim për të. Ai paralajmëroi për dështimin institucional për ta rregulluar hapësirën digjitale dhe theksoi TikTok-un si “një nga mjetet më të fuqishme për komunikimin politik” në Rumani.
“Ka shumë zbraztira kur bëhet fjalë për lejimin e fushatave të tilla që të bëhen virale. Ka shumë pak masa për t’i parandaluar fushatat e tilla. Ajo që e zbuluam ne në hulumtimin tonë ishte se që nga shtatori janë aktivizuar rreth 30.000 profile – jo vetëm një muaj para zgjedhjeve, por edhe pas zgjedhjeve. Ka mungesë transparence kur bëhet fjalë për financimin e reklamave. Nuk ka informacion se sa para janë shpenzuar, për emrin e atij që e ka publikuar reklamën dhe ishte shumë e vështirë të definohej shtrirja e këtij problemi. Ne mund t’i shohim vetëm rrjetet e koordinuara dhe të gjithë e dimë se kjo është një përpjekje e koordinuar për të ndikuar në hapësirën informative,” theksoi Voinea.
Ajo sqaroi se në rrjetet sociale janë krijuar edhe shumë profile false, të cilat kanë publikuar satira dhe shaka mbi të cilat është ndërtuar fushata e komunikimit e kandidatit kontrovers.
“Kjo kryesisht ishte një fushatë ku u përdorën të njëjtat fjali, me emra dhe përmbajtje që ishin “copy-paste”. Ky ishte një tregues i qartë se kjo ishte një fushatë e koordinuar, por gjithashtu ishte edhe e papritur. Ishte e qartë se po aktivizohej dhe çaktivizohej. Pasi kandidatura e tij u anulua përfundimisht, profili i tij zyrtar tani është krejtësisht ndryshe. Gjithashtu, numri i profileve të tilla pothuajse u përgjysmua“, tha Voinea.
Ajo theksoi se Rumania para zgjedhjeve nuk kishte asnjë mekanizëm të vetëm për t’u përballur me kërcënime të tilla online, por pas zgjedhjeve filloi ngritja e kapaciteteve institucionale dhe adoptimi i praktikave të ngjashme me ato në BE.
“Ne i trajtuam me mirësjellje platformat. Kjo na kushtoi shumë. Ka ardhur koha që të flasim më pak për bashkëpunimin, ndërsa më shumë për harmonizimin. E ardhmja jonë është në rrezik”, përfundoi Voinea.
Tamara Brankoviq nga CRTA, Serbi, tha se ndryshe nga vendet e tjera ku për ndërhyrje në zgjedhje akuzohen aktorë të huaj, në Serbi problemi është “i brendshëm” dhe “vetë shteti është burimi më i madh i manipulimit dhe dezinformatave”.
“Ne parimisht jemi mjaft tradicionalë në mënyrën se si informojmë dhe qeveria dhe presidenti Vuçiç e përdorin qasjen në media për ta shkelur kushtetutën për ta centralizuar pushtetin. Vetëm në vitin 2024 Vuçiç u shfaq më shumë se 350 herë drejtpërdrejt në televizion me mbulim dhe transmetim të drejtpërdrejtë. Vit pas viti paraqitjet e tij televizive po bëhen gjtihnjë e më të shpeshta”, tha Brankoviç.
Ajo është e mendimit se është qenësore që qytetarëve t’u jepen mjete që do tu mundësojnë atyre të kuptojnë se diçka nuk është në rregull me procesin zgjedhor dhe se BE-ja duhet të përfshihet më aktivisht.
Bardhi Bakija nga “Sbunker”, Kosovë, i theksoi tendencat autoritare dhe fushatat dezinformative që vijnë nga kufijtë brenda vendit, siç tha ai sidomos nga veriu, por edhe nga narrativat ekstremiste globale. Analizat e tij tregojnë se pikëpamjet e dikurshme margjinale, tani përmes rrjeteve sociale po bëhen të zakonshme, sidomos tek të rinjtë.
“Cila do që të jetë përgjigjja jonë ndaj kësaj ne duhet të kemi parasysh se sa të avancuara janë metodat dhe strategjia e këtyre aktorëve. Një nga gabimet më të mëdha që mund të bëjmë këtu është që t’i nënvlerësojmë fushatat dezinformative, metodologjinë e tyre, sofistikimin e tyre dhe aftësinë e tyre për të ndikuar tek audienca e re,” paralajmëroi Bakija nga “Sbunker”.
Ky panel u moderua nga Nikolla Petroviq nga ISAC, Serbi, i cili theksoi se demokracia është shumë më tepër se zgjedhje të lira – është një luftë kundër kërcënimeve që e minojnë besimin tek institucionet, e sidomos kur ato kërcënime vijnë në formën e dezinformatave, manipulimit të fshehtë dhe spinit mediatik. Paneli u mbyll me një mesazh të qartë: shoqëritë demokratike duhet të jenë të përgatitura, elastike dhe të informuara për ta mbrojtur të vërtetën dhe integritetin e procesit zgjedhor.
- LEXO: Qasja e përbashkët dhe komunikimet strategjike duhet të jenë shtyllë ndaj luftës kundër dezinformimit
- LEXO: Harmonizim urgjent i kornizës rregullative në Ballkan me Ligjin për Shërbime Digjitale, qenësor për luftën kundër dezinformatave
- LEXO: Në Shkup filloi konferenca ndërkombëtare me fokus Verifikimin e Fakteve