Maqedonia e Veriut nuk planifikon të bëhet pjesë e bashkëpunimit në mbrojtje midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës
Më 18 mars të këtij viti, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan deklaratë, përmes së cilës vendet premtojnë të angazhohen në forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, zhvillim që madje nxiti reagimin e Serbisë, e cila e cilësoi si provokim të hapur drejtuar Beogradit. Kroacia tha se bashkëpunimi është i hapur edhe për […]


Më 18 mars të këtij viti, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan deklaratë, përmes së cilës vendet premtojnë të angazhohen në forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, zhvillim që madje nxiti reagimin e Serbisë, e cila e cilësoi si provokim të hapur drejtuar Beogradit. Kroacia tha se bashkëpunimi është i hapur edhe për aleatë e partnerë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, që “duan të kontribuojnë në ndërtimin e stabilitetit, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajonin e Evropës Juglindore. Portalb.mk, pyeti Ministrinë e Mbrojtjes, nëse Maqedonia e Veriut planifikon të bëhet pjesë e kësaj tresheje, mirëpo, tërthorazi, përgjigjja ishte se nuk ka nevojë për një gjë të tillë, pasi tashmë vendi bashkëpunon me secilin vend në baza bilaterale.
Nga kjo ministri theksuan se prioritet për Mbrojtjen dhe Armatën e Maqedonisë është forcimi i stabilitetit dhe sigurisë rajonale, veçanërisht duke pasur parasysh sigurinë e brishtë të kontinentit evropian.
“Duke pasur parasysh këtë, vendi ynë kontribuon aktivisht në sigurinë rajonale me pjesëmarrjen e pjesëtarëve të Armatës së Maqedonisë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe operacionin e BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, EUFOR-ALTEA. Së bashku me vendet e rajonit, ne marrim pjesë aktive në një numër më të madh nismash rajonale të sigurisë, si Procesi i Bashkëpunimit të Ministrive të Mbrojtjes të Evropës Juglindore (SEDM), Karta SHBA-Adriatik (A5), Forumi i Shefave të Shtabit të Përgjithshëm (B9), Task Forca Mjekësore Ballkanike dhe RACVIAC – Qendra për Bashkëpunim në Siguri”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes për Portalb.mk.
Midis rreshtash, nga Ministria theksuan se vendi nuk e ka ndërmend të bëhet pjesë e nismës së lartcekur, pasi tashmë ekzistojnë bashkëpunime bilaterale, që sipas tyre është dëshmi e punës në zhvillimin e marrëdhënieve të mbrojtjes.
“Gjithashtu, ne bashkëpunojmë me secilin nga vendet e rajonit në baza bilaterale, individualisht, gjë që është dëshmi se po punojmë në mënyrë aktive në zhvillimin e marrëdhënieve të mbrojtjes me qëllimin kryesor – forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Kroacia tha se nismës mund t’i bashkohen të gjitha vendet që, po ashtu, duan t’i ofrojnë mbështetje Kosovës dhe Shqipërisë në rrugën e tyre evropiane dhe euroatlantike.
Qëllim i saj “nuk është krijimi i ndonjë aleance ushtarake”.
“Një aleancë e tillë – përveç anëtarësimit në NATO – as që është e nevojshme”, theksohej në përgjigjen me shkrim të Qeverisë kroate, dërguar Radios Evropa e Lirë.
Ndryshe nga Shqipëria dhe Kroacia, Kosova nuk është anëtare e NATO-s.
Në reagimet e tij të para ndaj nismës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me nënshkrimin e dokumentit, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova “kanë hapur një garë armësh në rajon” dhe “kanë shkelur marrëveshjen nënrajonale të vitit 1996”.
Çfarë përmban deklarata për bashkëpunim ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë?
Eksplorimi i zhvillimit dhe blerjes së kapaciteteve mbrojtëse përmes bashkëpunimit shumëkombësh, ndarja e ekperitzave më të mira në rekrutim, zhvillim dhe mbajtjen e personelit për të rritur kapacitetet parandaluese dhe mbrojtëse, stërvitje të përbashkëta, forcimi i hapave kundër kërcënimeve hibride, shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës për parandalim dhe mbështetja e Kosovës për marrjen e statusit të saj në Partneritetin për Paqe të NATO-s. Këto janë disa nga pikat që përfshin deklarata e bashkëpunimit.
Marrëveshja ka katër pika.
Pika e parë ka të bëjë me promovimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimin në industrinë përkatëse.
Aty thuhet se tri shtetet do të eksplorojnë zhvillimin dhe blerjen e kapaciteteve mbrojtëse përmes bashkëpunimit shumëkombësh, me qëllim që të rrisin gatishmërinë e forcave të tyre ushtarake. Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po ashtu zotohen që do të identifikojnë hapësira për bashkëpunim n industrinë e mbrojtjes, duke nxitur qasjen në burime dhe zinxhir furnizimi me qëllim që të kenë një industri konkurruese dhe të qëndrueshme të mbrojtjes.
Kjo pikë e marrëveshjes po ashtu parasheh investim në teknologji dhe inovacione të reja me qëllim që të kenë një qasje të unifikuar ndaj transformimit të sigurisë dhe mbrojtjes.
Pika e dytë adreson rritjen e ndërveprueshmërisë, përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve. Aty thuhet se do të ndahen praktikat më të mira të rekrutimit, zhvillimit dhe mbajtjes së personelit të kualifikuar ushtarak me qëllim që të rriten kapacitetet parandaluese dhe mbrojtëse.
Po ashtu, aty parashihet mundësia e edukimit dhe trajnimit individual përmes akademive dhe kolegjeve përkatëse të shteteve, “me qëllim që të ketë kuptueshmëri më të mirë nga ana strategjike të kërcënimeve dhe sfidave të përbashkëta”.
Marrëveshja parasheh stërvitje dypalëshe dhe trepalëshe për të përmirësuar ndërveprueshmërinë në bazë të politikave të NATO-s dhe BE-së, me qëllim që forcat e tyre ushtarake të jenë të përgatitura në mënyrë adekuate.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut viteve të fundit ka inverstuar mjaft në Mbrojtje, si dhe ka rritur buxhetin në 20.450.820.000 denarë. Krahasuar me buxhetin e miratuar për vitin 2024, i njëjti është rritur për 322.360.000 denarë.
Maqedonia e Veriut më 27 mars, mbushi plot 5 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020,vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.