Projektet e Komunës së Tetovës të fituara nga Qeveria në pritje të zbatimit: Kontratat janë nënshkruar, punimet nuk kanë filluar
Projektet të cilat Komuna e Tetovës i fitoi nga thirrja e parë e Qeverisë ende nuk kanë filluar të implementohen në terren edhe pse janë të nënshkruara kontratat, shkruan Portalb.mk. Nga thirrja e Qeverisë Komuna e Tetovës ka fituar tre projekte për të cilat ka lidhur kontrata. Për projektin “Rikonstruksoni i tubacionit të sistemit të furnizimit me […]


Projektet të cilat Komuna e Tetovës i fitoi nga thirrja e parë e Qeverisë ende nuk kanë filluar të implementohen në terren edhe pse janë të nënshkruara kontratat, shkruan Portalb.mk.
Nga thirrja e Qeverisë Komuna e Tetovës ka fituar tre projekte për të cilat ka lidhur kontrata.
Për projektin “Rikonstruksoni i tubacionit të sistemit të furnizimit me ujë të qytetit nga burimi në Kodrën e Diellit deri te rezervuarit në Tetovë”, më 24 shkurt 2025 është lidhur kontratë me B.SHNPI “Pellagonia” – Gostivar në vlerë prej 65.254.495,60 denarëve (me TVSH), ku sipas kontratës punimet duhet të përfundojnë brenda 10 muajve që nga dita e lidhjes së kontratës.
Për projektin “Rikonstruimi dhe zgjerimi i rrjetit primar të ujësjellësit në lagjen Jashta Vardarit – Tetovë”, më 24 shkurt 2025 është lidhur kontratë me B.SHNPI “Pellagonia” – Gostivar në vlerë prej 15.104.118,00 denarëve (me TVSH), ku sipas sipas kontratës punimet duhet të përfundojnë brenda 10 muajve që nga dita e lidhjes së kontratës.
Për projektin “Ndërtimi i objektit të shkollës së mesme Gjoce Stojçevski”, më 25 Mars 2025 është përzgjedhur Shoqëria për ndërtim, tregti dhe shërbime LENDI GROUP DOOEL Shkup, por kontrata nuk është publikuar ende në sistemin elektronik të prokurimeve publike. Кy projekt, siç kanë njoftuar nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk është në vlerë prej 308 milionë denarëve.
Megjithatë, punimet nuk kanë filluar ende në terren për asnjërin nga këto projekte.
Udhëheqësi i Sektorit të Financave në Komunën e Tetovës, Nuredin Deari theksoi se për ndërtimin e shkollës tekstile presin nga Byroja e Furnizimeve Publike që të shqyrtojë procedurat pasi vlera është mbi 60 milionë denarë dhe bëhet kontroll më i detajuar.
“Punimet për njërin projekt, bisedohet për ujësjellësin Tetovë – Lisec ku sa të përmirësohen kushtet ajo besoj se do të fillojë, janë duke u bërë përgatitjet. Pjesa tjetër njëjtë është në lagjen jashtë vardarit, edhe aty besoj se së shpejti do fillohet me punime”, tha Deari,
“Kur e pyetëm për afat kohor se kur do fillojnë dhe të mbarojnë, Deari tha se janë të caktuara me kontratë, janë afate fikse që beson se do tu përmbahen.
“Punimet besoj se do të fillojnë brenda muajit prill”, tha Deari.
Megjithatë, kryetari i komunës Bilall Kasami thotë se te ndërtimi i shkollës tekstile do të ketë vonesë për shkak të procedurave.
“Nëse do të mbyllet ajo më shpejtë, jemi të gatshëm që të nisim më shpejtë, për shkak se bëhet fjalë për lokacion që mund të nisin më shpejtë punët, sa i përket ujësjellësit është terren malor dhe duhet të përmirësohen kushtet atmosferike që të nisin. Intenca jonë është që sa më shpejtë të nisim me këto projekte, sepse ndërkohë është veç se procesi i aplikimit për projektet e vitit 2025 dhe do të ketë shumë aktivitete ndërtimore, dhe duhet të bëjmë organizim të mirë që gjithë ato të realizohen brenda vitit 2025”, tha Kasami.
Mjetet për këto projekte, siç sqaroi Deari, tërhiqen kur realizohen punët, pra dorëzohen situacionet dhe faturat dhe në bazë të atyre tërhiqen mjetet.
Kryeministri Hristijan Mickoski në fushatën parazgjedhore kishte premtuar marrjen e borxhit prej një vendi të huaj, duke e mbajtur të fshehur se për cilin shtet bëhet fjalë, që më vonë u zbulua se është Hungaria. Ai kishte paralajmëruar nismën e re për zhvillimin e komunave në vend duke siguruar 250 milionë euro.
Në ndërkohë Qeveria ka shpallur edhe thirrjen e dytë ku komunat mund të aplikojnë për mjete financiare për realizimin e projekteve infrastrukturore, thirrja është e hapur deri më 30 prill.
Këto projekte realizohen në vit zgjedhor.