Mbaroi rigjykimi për zjarrin në spitalin modular: Të akuzuarit kërkojnë të lirohen nga akuza, familjarët kërkojnë të hetohen shkaqet, aktgjykimi më 16 maj 

Në Gjykatën e Tetovës, prokuroria, të akuzuarit dhe avokatët e tyre, si avokatët e të dëmtuarve i thanë fjalët përfundimtare në rigjykimin për zjarrin në spitalin modular ku u dogjën 14 pacientë. Të akuzuarit nuk akuzohen për shkaqet e zjarrit por për vepra të tjera. Aktgjykimi do të shpallet më 16 maj në ora 12:00. […]

maj 12, 2025 - 14:00
 0  4
Mbaroi rigjykimi për zjarrin në spitalin modular: Të akuzuarit kërkojnë të lirohen nga akuza, familjarët kërkojnë të hetohen shkaqet, aktgjykimi më 16 maj 
Seanca e fjalëve përfundimtare e rigjykimit për zjarrin në spitalin modular të Tetovës. Foto: Poralb.mk

Në Gjykatën e Tetovës, prokuroria, të akuzuarit dhe avokatët e tyre, si avokatët e të dëmtuarve i thanë fjalët përfundimtare në rigjykimin për zjarrin në spitalin modular ku u dogjën 14 pacientë. Të akuzuarit nuk akuzohen për shkaqet e zjarrit por për vepra të tjera. Aktgjykimi do të shpallet më 16 maj në ora 12:00. Familjarët kërkojnë hetim dhe proces për shkaqet e zjarrit dhe dënim të fajtorëve të vërtetë, shkruan Portalb.mk. 

Prokuroria Publike kërkoi që drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi dhe Institucioni Publik Shëndetësor Spitalor Klinik në Tetovë, si person juridik, të shpallen fajtorë për veprën penale “krime të rënda kundër sigurisë publike”.  

Prokurori shpjegoi se provat materiale dhe gojore të paraqitura, si dhe dëshmitë, vërtetojnë se të pandehurit, dy drejtorët, nuk vepruan sipas rregulloreve të përcaktuara dhe nuk instaluan aparate kundër zjarrit në spitalin modular. 

Ndërkaq avokatët e familjarëve të viktimave të zjarrit iu bashkëngjitën fjalëve përfundimtare të Prokurorisë Publike. 

Avokati i Spitalit të Tetovës, theksoi se nga materialet dhe provat e prezantuara, “Prokuroria nuk ka arritur të tregojë se Spitali i Tetovës është fajtor për veprën me të cilën akuzohet”, dhe se si institucion nuk ka qenë përgjegjës direkt për projektin e ndërtimit të spitalit modular. 

Ai kërkoi që gjykata të sjell aktgjykim lirues për Spitalin e Tetovës. 

Edhe përfaqësuesja e Spitalit të Tetovës, Adile Rexhepi kërkoi që spitali të lirohet nga kjo aktakuzë. 

Avokati i Florin Besimit mes tjerash në fjalën e tij tha se ende pas pesë viteve nuk ka përgjigje se kush është përgjegjës për zjarrin dhe kush duhet të përgjigjet për viktimat. 

Ai tha se klienti i tij duhet të lirohet nga aktakuza, siç theksoi se Besimi, sipas kontratës së menaxhimit, nuk ishte i detyruar të instalonte aparate kundër zjarrit dhe se ai nuk e kishte nënshkruar procesverbalin për dorëzimin e spitalit modular.  

Florin Besimi iu bashkëngjit fjalëve të avokatit të tij. 

Avokati i Artan Etemit gjithashtu beson se duhet të ketë një lirim nga akuzat. Ai vuri në pah se Prokuroria nuk arriti të dëshmojë për fajësinë e Etemit.  

Ndërkaq Artan Etemi tha se që nga fillimi ka ndjerë përgjegjësi morale dhe jo penale.  

“Për këtë kam dhënë edhe dorëheqje nga pozita kur ndodhi rasti. Përkrah të gjitha tezat e mbrojtësit tim, të Florin Besimit dhe të Spitalit të Tetovës. Nuk kam të them diçka më shumë, se nuk dua në emër të drejtësisë të na bëhet padrejtësi neve si të akuzuar në këtë rast. Kërkoj lirimin tonë nga kjo akuzë”, tha Etemi.  

Me këtë mbaroi edhe seanca e fundit për këtë rigjykim. Gjykatësi i lëndës, Rexhep Musa njoftoi se aktgjykimi do të shpallet më 16 maj (e premte) në ora 12:00. 

Pas mbarimit të seancës, disa nga familjarët e viktimave para mediave deklaruan se nuk janë të kënaqur me këtë proces, sepse nuk janë të thirrur në përgjegjësi fajtorët e vërtetë për shkaqet e zjarrit. 

Mumin Ismaili i cili e humbi nënën nga zjarri, tha se sot e ndjejnë përsëri dhimbjen e asaj ditës që u dogjën më të dashurit e tyre.  

“Jemi të dëshpëruar nga drejtësia e Maqedonisë së Veriut. Dua të ju them të gjithë njerëzve që jetojnë në Maqedoni, pavarësisht çfarë etnie janë, nënat, baballarët, fëmijët tonë u dogjën, mos të ndodhin edhe raste tjera. Apeli jonë ka qenë prej në fillim, katër vite kaluan nga ky rast, drejtësia të del njëherë e përgjithmonë. Nuk ka akuzë për djegien e spitalit, është një akuzë a ka pasur ose nuk ka pasur aparate kundër zjarrit. Presim të ketë drejtësi”, tha Ismaili. 

Familjarja Qanie Selmani tha se duhet të ketë hetim për shkaqet dhe fajtorët e zjarrit. 

“Presim të del e vërteta, ne që kemi qenë aty familjarët, nuk kemi parë asgjë kundër zjarrit ato tre javë që kemi qenë. Duam që del e vërteta në shesh, të shpallet se kush ka qenë fajtori aty, se nuk mund të merr flakë kot spitali”, tha Selmani. 

Edhe Ibin Emshiu i cili humbi babain dhe vëllain tha se drejtësia duhet të sillet për këtë rast, sepse me këto zvarritje po i vrasin disa herë. 

“Dikush flet për kabllon, dikush për aparatet kundër zjarrit, kanë kaluar katër vite ende merren me këto gjëra. Unë vetëm një gjë mund ta them, kablloja fajet, aparati kundër zjarrit, ku janë njerëzit?”, tha Emshiu. 

Kush dhe për çfarë u akuzuan?

Në këtë rast akuzohen ish drejtori mjekësor i spitalit Florin Besimi, ish drejtori Ekonomik Artan Etemi dhe Spitali i Tetovës si person juridik.

Besimi dhe Etemi, akuzohen për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa ISHP Spitali Klinik i Tetovës për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Rasti rigjykohet pasi Gjykata e Apelit të Gostivarit e ka kthyer lëndën në Gjykatën Themelore në Tetovë. 

Megjithatë, të akuzuarit nuk akuzohen për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale.

Në ndërkohë, Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po zhvillon një hetim tjetër për këtë rast, i cili është në procedurë para hetimore.

Rigjykim me nëntë seanca 

12 maj 2025 u thanë fjalët përfundimtare.

22 prill 2025 u prezantuan dëshmitë e dhëna nga dëshmitarët në gjykimin paraprak.

Më 8 prill 2025 u lexuan provat nga ana e avokatëve të  akuzuarve.

Më 3 prill 2025 prokurorët publikë paraqitën provat, ndërsa nga prokuroria dhe mbrojtja e të akuzuarve u morën në pyetje ekspertët të cilët kanë bërë ekspertizë menjëherë pas zjarrit.

Më 18 mars 2025 prokuroria ka paraqitur titujt e provave dhe prezantoi video dëshmitë, për të cilat pati kundërshtime nga avokatët, të akuzuarit thanë se nuk ndjehen fajtorë. Nga kjo seancë u ndryshua gjykatësi, në vend të Jordan Vellkovskit erdhi Rexhep Musa.

Më 15 janar 2025 seanca u anulua pasi gjykatësi Jordan Vellkovski ishte në pushim mjekësor.

Më 5 nëntor 2024 seanca u shty për shkak të mungesës së gjyqtarit Jordan Vellkovski. 

Më 25 shtator 2024 seanca nuk u mbajt për shkak të mungesës së avokatit të njërit prej të akuzuarve. 

Më 26 qershor 2024 seanca u shty për shkak të mungesës së përfaqësuesve të Spitalit Klinik të Tetovës. 

Pse erdhi deri te rigjykimi?

Pas gjykimit të parë në Gjykatën e Tetovës i cili përfundoi në qershor 2023, ku në bankën e të akuzuarve ishin ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit dhe Spitali i Tetovës, Gjykata e Apelit në Gostivar në maj 2024 vendosi që ta kthejë nga fillimi procedurën ndaj drejtorëve, pasi aktgjykimi i parë ka qenë i paqartë.

Prokuroria ka kërkuar që drejtorëve tu jepen dënime më të ashpra, ndërsa aktgjykimi lirues për mjekun të anulohet dhe lënda të kthehet në rigjykim.

Në rigjykim është kthyer një pjesë e lëndës kundër dy ish drejtorëve të spitalit të Tetovës. Ndërsa aktgjykimin lirues për mjekun Boban Vuçevski e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit në Gostivar.

Nga Gjykata e Apelit në aktgjykim kanë theksuar se Gjykata e Tetovës “nuk ka vepruar me kujdesin e duhur që të mund t’i vërtetojë me siguri të gjitha faktet juridike relevante”.

“Aktgjykimi është i paqartë, i pakuptueshëm dhe i papërshtatshëm për shqyrtim”, thuhet në atkgjykimin e Apelit.

Gjykimi i parë, jo për shkaqet e zjarrit

Në lidhje me zjarrin në modular pati një proces të gjatë gjyqësor me disa seanca, megjithatë askush nuk u thirr në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.

Drejtorët u dënuan në shkallën e parë sepse në spitalin modular nuk ka pasur aparate për fikjen e zjarrit, ndërsa mjeku u lirua nga përgjegjësia sepse në spitalin për Kovid-19 kishte futur njerëz nga jashtë.

Prokuroria ngriti aktakuzë për shkak se nuk ka pasur aparate për shuarjen e zjarrit, por jo edhe për shkaqet e zjarrit.

Dokumentari i IRL-së, nxori në pah “të palarat”

Dokumentari “Vrasje në Tetovë”, të cilin IRL e publikoi në gusht 2023 tregoi një sërë lëshimesh gjatë ndërtimit të spitalit modular që sollën deri tek shpërthimi i zjarrit, edhe pse autoritetet u përpoqën ta përshkruajnë atë si një aksident të shkaktuar nga një lidhje e shkurtër e kabllos vazhduese. Lëshime u konstatuan edhe në specifikimin teknik, në ndërtim, por edhe më pas në hetim. Në vend se si ndërtim, spitali është evidentuar si pajisje urbane, për të cilën nuk ka nevojë të respektohet ligji për ndërtim.

Çfarë ndodhi?

Me 8 shtator 2021 në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një zjarr i tmerrshëm i cili mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.

Shkaku i zjarrit i atribuohet kabllos së djegur ku shkëndija bëri që zjarri të përhapet dhe brenda pak minutash i gjithë spitali mori flakë.

Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit, familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta ku është kërkuar të hapet proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit.