Mbi 500 mjekë e braktisën vendin brenda një viti
Sipas të dhënave të fundit nga Regjistri i Licencave të Odës së Mjekëve, Maqedonia ka 509 mjekë më pak këtë vit sesa vitin e kaluar, zbuloi ministri i Shëndetësisë Azir Aliu në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Aliu vuri në dukje se Ministria e Shëndetësisë ka hartuar një Strategji Kombëtare për personelin e […]
Sipas të dhënave të fundit nga Regjistri i Licencave të Odës së Mjekëve, Maqedonia ka 509 mjekë më pak këtë vit sesa vitin e kaluar, zbuloi ministri i Shëndetësisë Azir Aliu në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Aliu vuri në dukje se Ministria e Shëndetësisë ka hartuar një Strategji Kombëtare për personelin e nevojshëm mjekësor, por gjithashtu se po punohet për shpërndarjen e shërbimeve shëndetësore me qëllim uljen e përqendrimit të pacientëve në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”.
“Për fat të keq, është bërë normale që çdo pacient të përfundojë në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”. Deri në 70 përqind e pacientëve atje marrin shërbime shëndetësore, ndërsa ata duhet t’i marrin ato në nivelin parësor dhe sekondar”, tha ministri.
Ai shtoi se organizata e re pritet të zvogëlojë numrin e pacientëve në kompleksin klinik qendror dhe të shkurtojë kohën e pritjes për ekzaminime dhe ndërhyrje.
Lidhur me ndryshimet e mundshme të personelit, Aliu deklaroi se analiza e profileve dhe proceseve është përfunduar, dhe se pas saj kryeministri do të duhet të vendosë nëse do të pasojë një riorganizim i qeverisë.
“Si ministër, po kryej punën time”, shtoi ai.
Kujtojmë se në vitin 2024, sistemi i kujdesit shëndetësor primar në Maqedoninë e Veriut shënoi ulje të ndjeshme si në numrin e kontratave të lidhura ashtu edhe në numrin e mjekëve të përgjithshëm. Sipas të dhënave të publikuara në Fondit për Sigurim Shëndetësor, numri i përgjithshëm i kontratave të lidhura në kujdesin shëndetësor primar ishte 2.077, që përfaqëson një ulje prej 55 kontratash krahasuar me vitin 2023. Gjithashtu, numri total i mjekëve në këtë sektor në vitin 2024 ishte 2.796, që është 45 më pak se një vit më parë. Vetëm në kategorinë e mjekëve të përgjithshëm, këtë vit janë regjistruar 1.499 mjekë aktivë, 8 më pak se në vitin 2023.