Sot fillon gjyqi për aksidentin rrugor ku u vra Frosina Kulakova
Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot (9 maj) do të fillojë gjykimi ndaj Vasil Jovanovit, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik” për aksidentin e trafikut në bulevardin “Aradhat Partizane” në Shkup në të cilin humbi jetën e reja Frosina Kulakova në janar, […]


Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot (9 maj) do të fillojë gjykimi ndaj Vasil Jovanovit, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik” për aksidentin e trafikut në bulevardin “Aradhat Partizane” në Shkup në të cilin humbi jetën e reja Frosina Kulakova në janar, transmeton Portalb.mk.
Sipas aktakuzës, më 29 janar 2025, Vasil Jovanov, pa leje drejtimi dhe nën ndikimin e alkoolit, drejtoi një automjet me shpejtësi prej 91 kilometrash në orë në bulevardin Aradhat Partizane në Shkup. Në një kalim për këmbësorë, në semafor të kuq, ai goditi Frosina Kulakovën, e cila po kalonte në semafor të gjelbër për këmbësorë.
Nga forca e goditjes, Frosina pësoi lëndime të rënda dhe vdiq në vend. Krimi për të cilin akuzohet Jovanovi mbart një dënim me burg deri në 20 vjet.
Çështja do të kryesohet nga gjyqtarja Snezhana Markovska.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur aktakuzë edhe kundër babait të Vasilit, Zoran Jovanov, për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 288, paragrafi 4, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Aktakuza i referohet periudhës nga 04.11.2022 deri më 30.01.2025, gjatë së cilës Zoran Jovanov i lejoi të birit Vasil Jovanov të drejtonte një automjet pasagjerësh “Peugeot 207”, edhe pse e dinte se i biri nuk kishte patentë shoferi dhe ishte kryerës i shumëfishtë i kundërvajtjeve rrugore, përfshirë aksidentin rrugor në të cilin humbi jetën 22-vjeçarja Frosina Kulakova.