Mega Parku në Çair mbetet projekt i bukur vetëm në letër, pamjet nga terreni janë dëshpëruese (Galeri)

Mega parku në Çair vazhdon të mbetet një premtim i parealizuar i autoriteteve. Për të mos mjaftuar me kaq, në hapësirat e këtij parku nuk ka as mirëmbajtje adekuate dhe të rregullt, pamjet nga terreni më shumë i ngjajnë një vendi të braktisur se sa një parku. Qytetarët kërkojnë zgjidhje, ndërsa Komuna e Çairit dhe […]

gusht 24, 2024 - 09:00
 0  10
Mega Parku në Çair mbetet projekt i bukur vetëm në letër, pamjet nga terreni janë dëshpëruese (Galeri)
Ujë i mbledhur më mes të parkut në Çair. Foto nga Portalb.mk

Mega parku në Çair vazhdon të mbetet një premtim i parealizuar i autoriteteve. Për të mos mjaftuar me kaq, në hapësirat e këtij parku nuk ka as mirëmbajtje adekuate dhe të rregullt, pamjet nga terreni më shumë i ngjajnë një vendi të braktisur se sa një parku. Qytetarët kërkojnë zgjidhje, ndërsa Komuna e Çairit dhe Qyteti i Shkupit qëndrojnë indiferent ndaj premtimit e tyre, shkruan Portalb.mk.

Ajo çfarë vërehet në hapësirat e Mega Parku-t janë mbeturina, kullosë e pakositur, gjethe gjithandej, pllaka betoni të dëmtuara, gropa të mbushura me ujë, shatërvan jofunksional.

Nuk ka as ulëse të mjaftueshme apo kontejnerë për mbeturina, shtyllat e basketbollit ishin pa rrjeta ndërsa golat ishin me rrejta të shqepura.

Këto janë pamjet nga ky park.

Këto pamje janë përditshmëri për çairastit, të cilët për Portalb.mk u shprehën se kërkojnë që nëse nuk ndërtohet siç u premtua “Mega Parku” të paktën të ketë mirëmbajtje hapësira aty.

Banori Nehat Ameti theksoi se duhet të vendosen gjoba për ndotësit.

“Në Evropë i respektojnë ligjet sepse ka gjoba te xhepi, këtu duhet të vendosin një ligj për këta persona që hedhin mbeturina vend e pa vend, dhe çdo qytetar që ndot parkun të paguajë një gjobë prej 100 eurosh. Mendoj se duhet të raportojmë çdo person që hedh mbeturina në park, në mënyrë që të ndihmojmë në ruajtjen e pastërtisë” tha Ameti.

Një qytetare tjetër u shpreh se parku ka nevojë për më shumë mirëmbajtje dhe pajisje.

“Parku i cili përdoret kryesisht nga fëmijët dhe të moshuarit duhet të pastrohet më shpesh se një herë në javë. Nevojiten më shumë ulëse, vijat e bardha për çiklistët dhe mjete për këndin e lojërave sepse janë vjetruar”, tha qytetarja.

Harun Shabedini theksoi se parku duhet të ujitet rregullisht, sepse një pjesë e parkut nuk ka gjelbërim të mjaftueshëm.

“Për fat të mirë parku është pastruar disi këto ditë, shpesh është në gjendje të mjerueshme. Duhet të vendosen më shumë kosha për hedhjen e mbeturinave, të ketë më shumë gjelbërim kjo pjesa tjetër, dhe të mbjellin më shumë pemë. Është mirë që parku të mirëmbahet edhe nga ne banorët, sepse ne e shfrytëzojmë këtë hapësirë, dhe mos t’i hedhim mbeturinat në tokë, por kur të largohemi nga parku t’i marrim me vete ose t’i largojmë”, tha Shabedini.

Nga Komuna e Çairit theksojnë se rikonstruimi i mega parkut ka filluar në bashkëpunim të Qytetit të Shkupit prej Komunës së Çairit, ndërsa pas përfundimit të Mega Parkut, Qyteti i Shkupi ka bërë dorëzimin e kompetencave te Ndërmarrja Publike e Parqeve dhe Gjelbërimeve.

“Ne si komunë e Çairit jemi të hapur për çfarëdo lloj bashkëpunimi dhe instalimi te rekuizitave të reja në atë park” thane nga Komuna e Çairit.

Ndërmarrja Publike “Parqe dhe Gjelbërime” arsyetohet, thonë se mega parku në Çair mirëmbahet rregullisht, sipas planit dhe programit të punës dhe se ekipet çdo ditë kositin, mbledhin dhe largojnë mbeturinat dhe mbeturinat, si dhe ujitin gjelbërimin gjatë natës.

“NP Parqe dhe Gjelbërim në pajtim me Vendimin për Bashkëpunim Ndërkomunal me Komunën e Çairit, realizoi plotësisht projektin në zonën e parkut, si dhe një pjesë e aktiviteteve të përmbajtjeve përcjellëse. Nëse komuna e Çairit dëshiron përmbajtje shtesë në hapësirën e parkut, të njëjtën gjë mund ta realizojë me mjete të veta ose duhet të paraqesë në Qytetin e Shkupit kërkesë për bashkëpunim të ri ndërkomunal, me të cilin do të ndahen mjete të reja”, thane nga NP “Parqe dhe Gjelbërime”.

Nga Qyteti i Shkupit nuk përgjigjen për premtimin e dhënë për ndërtimin e mega parkut.

Për këtë park janë bërë premtime, por në terren ka pak realizim.

Danella Arsovska i fitoi zgjedhjet në vitin 2021 me programin “Për Shkup modern”, i cili mes tjerash parashikonte dhe ndërtimin e këtij mega parku me rekuizita moderne. Ndërkaq Visar Ganiu me programin “Zgjidh jetë voto blertë”, i cili parashikonte hapësira më të mëdha gjelbërimi në komunë.

mars të vitit 2023, Qyteti i Shkupit së bashku me Komunën e Çairit në kuadër të programit “Për Shkupin Modern” e promovuan mega parkun prej 30 mijë metra katrorë në Çair, gjegjësisht në rrugën Brigada Maqedonase-Kosovare.

Në promovimin e këtij parku, sipas projektit , u tha se do të vendosen dy kënde të reja sportive, dy kënde lojërash për fëmijë, dy kënde për kafshët shtëpiake, një kënd për sport apo fitnes, 26 pushimore, korsi për këmbësorë, shatërvanë dhe se do të ketë 500 penë dhe fidanë të rinj, rrjet hidranti të ri dhe lulishte.

Më pas në shtator të vitit 2023, kryetari i Çairit, Visar Ganiu nëpërmjet një postimi në Facebook, rikujtoi se po vazhdojnë punimet për “Mega-parkun” dhe i rikujtoi premtimet.

Nga ajo që Portalb.mk vërtetoi në terren, “Mega-parku” i Çairit është larg nivelit dhe dukjes, të cilën autoritetet e Shkupit dhe Çairit ua kanë premtuar qytetarëve.