Mickoski: Autoritetet janë në terren në të gjitha marketet kryesore, po bëhet analiza, më shumë të hënën
Të gjitha institucionet tekstualisht, janë në terren në të gjitha marketet kryesore, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse inspektorët e tregut janë në terren për shkak të çmimeve të larta të produkteve, transmeton Portalb.mk. “Po, të gjitha institucionet dolën në terren. Më shumë informacione do të kisha nga […]
Të gjitha institucionet tekstualisht, janë në terren në të gjitha marketet kryesore, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse inspektorët e tregut janë në terren për shkak të çmimeve të larta të produkteve, transmeton Portalb.mk.
“Po, të gjitha institucionet dolën në terren. Më shumë informacione do të kisha nga e hëna, por mund të them që jemi pothuajse në të gjitha supermarketet kryesore dhe po bëhet një analizë e detajuar. Nga e hëna do të mund të ndaj më shumë informacion me publikun. Por mund të them se pjesa e asaj që na shqetësonte, pra frika jonë po bëhet e vërtetë dhe realitet, kështu që ne po veprojmë dhe do të vazhdojmë të veprojmë”, tha Mickoski.
Kryeministri shtoi se Qeveria po përpiqet të vendosë një balancë mes standardeve të qytetarëve dhe ekonomisë së tregut.
“Ne si qeveri kemi detyrimin të mbrojmë standardin e qytetarëve, por në të njëjtën kohë, natyrisht, të mos cenojmë ekonominë e tregut, rregullat e tregut etj. Mendoj se në këto momente duhet të punojmë të gjithë bashkë për të dalë fitues nga e gjithë kjo situatë dhe mendoj se do të dalim fitues”, tha ai.
Kjo deklaratë e Mickoskit vjen një ditë pas bojkotit të organizuar të marketeve të mëdha i shkaktuar nga ankesat e qytetarëve se çmimet, madje edhe të produkteve ushqimore bazë, po rriten çdo ditë.
Një numër i madh qytetarësh mbështetën dje bojkotin dhe të anashkaluan marketet e mëdha zinxhirore, si reagim ndaj çmimeve të larta të produkteve.
Ndërkaq, kryeministri Mickoski dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikoloski sot ishin në Koçan ku morën pjesë në ndarjen e banesave sociale.
Bojkot të marketeve ka pasur edhe në vendet e rajonit. Në Kroaci, më 24 janar, u mbajt bojkot i dyqaneve, rrjeteve të marketeve dhe pikave të benzinës për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve.
Thirrjet për bojkot të dyqaneve, pikave të karburantit, kafeneve dhe restoranteve u përhapen në mediat sociale një javë më parë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe arritën edhe në Maqedoninë e Veriut.