Mickoski: Bullgarët tani janë problem të futen në kushtetutë, pasi të hyjmë në BE jo

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski ka deklaruar se futja e bullgarëve në kushtetutën e vendit tani është problematike, por nuk do të jetë pasi vendi të bëhet pjesë e BE-së, raporton Portalb.mk. Mickoski ka thënë se është mirë të negociohet, por sipas tij është më mirë të negociohet dhe mos të bëhet asgjë […]

tetor 8, 2024 - 16:00
 0  6
Mickoski: Bullgarët tani janë problem të futen në kushtetutë, pasi të hyjmë në BE jo
Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski ka deklaruar se futja e bullgarëve në kushtetutën e vendit tani është problematike, por nuk do të jetë pasi vendi të bëhet pjesë e BE-së, raporton Portalb.mk.

Mickoski ka thënë se është mirë të negociohet, por sipas tij është më mirë të negociohet dhe mos të bëhet asgjë që është bërë më parë si lëshim identiteti.

“Më së miri është kështu, dhe atëherë gjithçka do të ishte normale për ne nëse do të varej vetëm nga kriteret e Kopenhagës dhe plotësimi i kushteve që përmbajnë klasterët. Më së miri do të ishte kështu. Tani kemi problem që bullgarët të hyjnë në Kushtetutë, por nuk kemi problem që të hyjnë kur të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian. Dhe tani kemi problem”, theksoi Mickoski.

Ai shtoi se RMV-ja i ka bërë shumë lëshime Bullgarisë vite më parë.

“Nuk duhet të jemi më naivë. Kemi bërë shumë lëshime këto dekada më parë, siç nuk i ka bërë askush dhe nëse ka dëshirë, ka edhe mënyrë si e gjithë kjo të përfundojë. Ne nuk ofrojmë diçka që është përtej mendjes së shëndoshë, ne ofrojmë një kompromis konstruktiv për të cilin jemi të gatshëm të diskutojmë”, theksoi ai.

Duke folur rreth asaj se pse ndryshimet kushtetuese janë problem të miratohen para se të fitohen garanci të qarta se nuk do të ketë pengesa të reja nga ana e Bullgarisë në rrugën drejt BE-së, theksoi se është problem edhe fakti se Bullgaria nuk i lejon maqedonasit të regjistrojnë atje, qoftë edhe një organizatë joqeveritare, ndërsa Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk ka asnjë vendim të vetëm për të drejtat e shkelura të bullgarëve në RMV, kundrejt atyre 14 në favor të maqedonasve në Bullgari.

“Një vend anëtar i BE-së, nënshkrues i Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, nuk dëshiron ta përmbushë këtë. Ku ta marr garancinë se në gjashtë muaj nuk do të ketë veto të re për diçka tjetër”, tha Mickoski.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese si kusht për të ecur përpara në rrugën eurointegruese, gjegjësisht për të hapur negociatat me Komisionin Evropian. Ato nënkuptojnë që përpos kombeve tjera, të shtohen edhe bullgarët në të si popull shtetformues.

Më 19 korrik të vitit 2022, u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe BE-së, gjë që duhej të shënonte fillimin e negociatave po të mos ishte obligimi për ndryshimet kushtetuese.

Ky obligim parashihet me marrëveshjen e korrikut të vitit 2022 ndërmjet Bulgarisë dhe Maqedonisë, e cila bazohet në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike mes dy vendeve.

Pasi u arrit kjo marrëveshje, Sofja hoqi veton për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut në këmbim të kushtit për ndryshimet kushtetuese.

Në ndërkohë, më 25 shtator 2024 ambasadorët e vendeve të BE-së një zëri vendosën të fillojnë negociatat me Shqipërinë për anëtarësim në BE më 15 tetor në Luksemburg, në kuadër të Konferencës Ndërqeveritare “BE-Shqipëri”. Me këtë Shqipëria do të vazhdojë rrugën drejt BE-së kurse RMV-ja mbetet në vend.