UT ka filluar procedurë për shkarkimin e Merita Mustafait pasi FNA bëri publike avancimin e saj të kundërligjshëm
Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) përmes një konference për shtyp kanë shpalosur disa shkelje në Universitetin e Tetovës (UT), mes të cilave theksojnë avancimin e kundërligjshëm të Merita Mustafait si asistente. Nga UT-ja thanë se ka filluar procedura për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për Merita Mustafain në universitet, shkruan Portalb.mk. FNA thekson se […]
Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) përmes një konference për shtyp kanë shpalosur disa shkelje në Universitetin e Tetovës (UT), mes të cilave theksojnë avancimin e kundërligjshëm të Merita Mustafait si asistente. Nga UT-ja thanë se ka filluar procedura për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për Merita Mustafain në universitet, shkruan Portalb.mk.
FNA thekson se përgjatë këtyre viteve në Universitetin e Tetovës ka pasur shkelje ligjore, staturare, akademike, njerëzore dhe morale.
Ata thonë se përkundër që Inspektorati i Arsimit refuzoi të ua dërgojë, ata e kanë siguruar raportin e inspektimit të fundit në UT, sipas të cilëve shkeljet e konstatuara mes tjerash janë:
- Merita Mustafai, aktualisht asistente në faultetin e Shkencave Aplikative ndërsa e njohur në opinion për shkak të posteve drejtuese në shtet, në Universitetin e Tetovës, është avancuar kundërligjshëm me thirrjen akademike ‘asistent’, pasi notën mesatare të ciklit të parë të studimeve e ka 7,7 – që bije ndesh me Ligjin për Arsim të Lartë.
- Ish-Rektori, aktualisht kryetari i Senatit, Vullnet Ameti para përfundimit të mandatit të dytë si Rektor në vitin 2021, nuk i ka filluar procedurat për zgjedhjen e Rektorit të ri me çka ka krijuar një situatë kaotike, duke e lënë Universitetin pa Rektor për 5 muaj e 9 ditë, në kundërshtim me Ligjin për Arsim të Lartë.
- Përkundër që ligji e kufizon në më së shumti 6 muaj, Universiteti i Tetovës afër 1 vjet, nga viti 2021 deri në 2022 ka qenë me u.d Rektor. As Reshat Qaili, as Kushtrim Ahmeti dhe as Vullnet Ameti nuk vepruan në përputhje me ligjin – përkatësisht asnjëri prej tyre nuk shpalli konkursin për Rektor në afat prej 30 ditësh.
- Që skandali të thellohet, Kushtrim Ahmeti në detyrën e u.d, Rektor është zgjedhur pa i plotësuar kushtet ligjore për këtë, edhe atë me thirrjen akademike profesor inordinar, që bije ndesh me Ligjin për Arsim të Lartë.
- Në vitin 2023, Universiteti i Tetovës pas reagimeve të Forumit për Ndryshime në Arsim anuloi konkursin e jashtëligjshëm për Rektor. Megjithatë, inspektorati ka gjetur se kjo nuk është kryer siç duhet, edhe atë është anuluar konkursi, por jo edhe aktet tjera që janë ndërlidhur me atë konkurs të jashtëligjshëm.
- Trupi më i rëndësishëm në një universitet është Senati – edhe në këtë organ brenda Universitetit të Tetovës është konstatuar se ka pasur zgjedhje të anëtarëve në formë të kundërligjshme, duke mos i zgjedhur anëtarët e ri para skadimit të mandatit të senatorëve paraprak. Kështu, për afër 11 muaj universiteti ka funksionuar me anëtarë të Senatit pa mandat të verifikuar.
- Gjithashtu, në periudhën 2021-2022 gjashtë fakultete kanë zgjedhur senatorë të ri para përfundimit të mandatit të senatorëve paraprak, që është në kundërshtim me Statutin.
“Në vend të takimeve që po i realizon MASh me këta shkelës, kërkojmë urgjentisht që menjëherë t’i merret thirrja akademike e kundërligjshme Merita Mustafait, të fillojë procedura për anulimin e vendimeve të marra nga Senati i përbërë nga anëtarë pa mandate të verifikuara, prokuroria të nisë hetim të plotë mbi shkeljet e konstatuara nëse ka elemente të kryerjes së veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare ndërsa MASh-it i rikujtojmë propozimin tonë për veting në Arsim të Lartë”, tha Blendi Hodai, drejtor i FNA-së.
Nga atje shtuan se nuk janë tragjike shkeljet, aq sa është mbrojtja dhe shpërblimi i vazhdueshëm i shkelësve.
Nga Universiteti i Tetovës për Portalb.mk thanë se sipas Zyrës për Çështje Juridike, Këshilli Mësimor – Shkencor i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara-UT, ka vepruar në bazë të vërejtjeve të Inspektoratit.
“Për rrjedhojë, Merita Mustafit ia ka anuluar thirrjen dhe ka filluar procedura për ndërprerjen e marrëdhënies së punës në Universitetin e Tetovës”, thanë nga UT-ja.
Kërkuam përgjigje edhe nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, por nga ky institucion deri në publikimin e këtij shkrimi nuk përgjigjën.
- LEXO: Inspektim i jashtëzakonshëm në Universitetin e Tetovës
- LEXO: Me notën mesatare 6.7 u emërua docent në Universitetin e Tetovës
- LEXO: FNA: Inspektorati konfirmoi denoncimin tonë – Agron Alili, i afërt me pushtetin, është avancuar kundërligjshëm në UT
- LEXO: FNA: Vazhdojnë shkeljet në UT, për tre profesorë kërkojmë hetim për vepra të kundërligjshme akademike (Video)