Mickoski e paralajmëroi takimin me Taravarin: Bashkëpunimi i mundshëm mes Taravarit dhe BDI-së është i papranueshëm

Nesër pritet të mësohet fati i partnerëve të koalicionit në qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Pas deklaratave të Aleancës së Shqiptarëve- fraksioni i Arben Taravarit se në zgjedhje lokale do të shkojnë ndaras nga koalicioni VLEN, kryeministri, Hristijan Mickoski, sot para gazetarëve tha se nesër do të takohet me Taravarin, për t’u njoftuar drejtpërdrejt me […]

maj 4, 2025 - 19:00
 0  4
Mickoski e paralajmëroi takimin me Taravarin: Bashkëpunimi i mundshëm mes Taravarit dhe BDI-së është i papranueshëm
Hristijan Mickoski/ Foto: Qeveria

Nesër pritet të mësohet fati i partnerëve të koalicionit në qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Pas deklaratave të Aleancës së Shqiptarëve- fraksioni i Arben Taravarit se në zgjedhje lokale do të shkojnë ndaras nga koalicioni VLEN, kryeministri, Hristijan Mickoski, sot para gazetarëve tha se nesër do të takohet me Taravarin, për t’u njoftuar drejtpërdrejt me qëndrimin e ASH-së, transmeton Portalb.mk.

“Nesër do të takohemi. Do ta dëgjoj nga ai se cili është qëndrimi i tij”, tha Mickoski.

Sipas kryeministrit Mickoski, bashkëpunimi i mundshëm mes Taravarit dhe BDI-së është “i papranueshëm”.

Ndryshe, koalicioni shqiptar në qeveri VLEN pësoi përçarje. ASH-ja e Taravarit vendosi që në zgjedhjet lokale, të planifikuara për në fund të vitit 2025, të garojë me lista të veçanta. Pas këtij vendimi krerët e VLEN-it, konstatuan se Taravari, me këtë veprim e ka vetëpërjashtuar veten nga koalicioni.

Tani për tani, pikëpyetje mbetet fati i dy subjekteve politike për qëndrim më tej në qeveri. Muajin e fundit në disa paraqitje Mexhiti dhe Kasami ia kanë treguar derën e daljes nga qeveria ASH-së, por kjo e fundit thotë se gjithçka varet nga vendimi i Mickoskit.

Koalicioni VLEN përbëhej nga Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët (krahu i Arben Taravarit). Ky koalicion garoi bashkë edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në maj 2024, ku morën 14 deputetë dhe janë pjesë e Qeverisë.