Mickoski e uroi Filipçen: E shtrij dorën e bashkëpunimit kur janë në pyetje interesat e vendit
Kryeministri Hristijan Mickoski sot, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, i ka uruar punë të suksesshme liderit të ri të LSDM-së, Venko Filipçe, dhe i ka thënë të jetë opozitë konstruktive dhe të punojë në interes të qytetarëve dhe atdheut, transmeton Portalb.mk. Mickoski përsëriti qëndrimin se e shtrin dorën për bashkëpunim me të gjithë kur […]
Kryeministri Hristijan Mickoski sot, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, i ka uruar punë të suksesshme liderit të ri të LSDM-së, Venko Filipçe, dhe i ka thënë të jetë opozitë konstruktive dhe të punojë në interes të qytetarëve dhe atdheut, transmeton Portalb.mk.
Mickoski përsëriti qëndrimin se e shtrin dorën për bashkëpunim me të gjithë kur janë në pyetje interesat e shtetit dhe qytetarëve.
“Ne thamë se nuk do të ndërhyjmë, nuk duam t’u bëjmë të tjerëve atë që nuk duam që të tjerët të na bëjnë neve. Dhe në ekspozenë time në parlament kam thënë se sa herë që është fjala për interesat e Maqedonisë dhe të qytetarëve maqedonas, unë i jap dorën. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Kështu vendosi anëtarësia e LSDM-së, nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta respektojmë atë vendim sepse nuk kemi të drejtë dhe nuk duam të përzihemi në punët e brendshme të partive tjera politike”, tha Mickoski.
Venko Filipçe dje u zgjodh lider i ri i LSDM-së me pak më shumë se 9 mijë vota.
“Pas përfundimit të votimit në orën 20:00 në 77 qendra votimi, kanë mbërritur rezultatet paraprake, të cilat janë 95 përqind të përpunuara. Prej tyre Venko Filipçe ka 9052 vota, Aleksandar Baidevski 905 vota, Jovan Despotovski 2705 dhe Sllavjanka Petrovska 190 vota. 174 fletë votimi janë të pavlefshme. Rezultatet përfundimtare do t’i shpallim brenda 48 orëve pasi të ketë kaluar afati për kundërshtime dhe ankesa”, tha kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Viktorija Avramovska-Madiq në një konferencë për media mbrëmë dhe shtoi se votimi është zhvilluar në procedurë të drejtë dhe demokratike të zgjedhjeve të brendshme partiake.
Menjëherë pas fjalimit të saj, Filipçe ka folur edhe nga foltorja në selinë e partisë. Ai vlerësoi se me këto zgjedhje LSDM-ja dëshmoi se ka kapacitet demokratik dhe profesionalizëm të lartë.
“Unë vlerësoj që u zhvillua një ditë zgjedhjesh pa të meta dhe një proces zgjedhor plotësisht legjitim. Dua të përgëzoj edhe bashkëpartiakët e mi që ishin pjesë e kësaj gare zgjedhore. Më vjen mirë që patëm zgjedhje konkurruese me shumë kandidatë. Besoj se të gjithë mësuam diçka nga kjo fushatë dhe kontributi i të gjithëve ishte i rëndësishëm. LSDM edhe një herë demonstroi kapacitetin e saj demokratik, të cilin si kryetar i ardhshëm do ta ushqej dhe do ta avancoj”, tha ai.
Thirrja për zgjedhjen e liderit të ri u shpall pasi LSDM pësoi humbje katastrofike në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, kur fitoi gjithsej 18 mandate parlamentare.