Mickoski: Janë të padrejta kushtet që i janë vendosur Maqedonisë së Veriut
Vendimi i Brukselit për ndarjen e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, për kryeministrin Hristijan Mickoski është mesazh i keq për popullin që jeton në vend. Ai thekson se janë të padrejta kushtet të cilat i imponohen Maqedonisë dhe vlerësoi se bëhet fjalë për diktat dhe porositi që “askush nuk duhet të […]
Vendimi i Brukselit për ndarjen e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, për kryeministrin Hristijan Mickoski është mesazh i keq për popullin që jeton në vend. Ai thekson se janë të padrejta kushtet të cilat i imponohen Maqedonisë dhe vlerësoi se bëhet fjalë për diktat dhe porositi që “askush nuk duhet të kushtëzoj për lëshime kombëtare”. Ai këmbëngul se, në kurriz të lëshimeve kombëtare dhe identitare, pa garanci, nuk duhet të pranojmë kushte.
Hristijan Mickoski, Kryeministri i RMV-së
“Për mua ky është diktat. Nëse ky është kushti që Maqedonia të vazhdojë negociatat – atëherë jo, faleminderit. Ne duam të bisedojmë, jemi të gatshëm të bisedojmë aq sa duhet për të gjetur një zgjidhje. Le të përfundojmë procedurën, kemi një numër prej 80 deputetësh, por ato ndryshime duhet të jenë të vlefshme dhe efektive kur Bullgaria të ratifikojë protokollin e anëtarësimit për ne në BE. Unë e ofrova atë në Bruksel. Jam konstruktiv – po, ofroj sugjerime – po, jam gati të bisedoj”.
Nga VLEN, që është pjesë e koalicionit qeveritar, presin informatat zyrtare nga Brukseli për të dhënë një qëndrim konkret rreth kësaj çështje.
Izet Mexhiti, VLEN
“T’i presim informatat zyrtare. Si do që të jetë, qeveria aktuale është e përkushtuar maksimalisht në rrugën drejt integrimit evropian. Po punojmë përdit, intensivisht në këtë drejtim dhe mbetet në prioritetet më të larta tona”.
Ndërkaq, opozita maqedonase bllokadën e re të eurointegrimeve ia adreson VMRO – DPMNE-së. Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe tha se, për herë të parë pas 30 vitesh, Qeveria bllokon vetveten.
Venko Filipçe, Lider i LSDM-së
“Tani Maqedonia mbetet e izoluar pa një plan dhe strategji të qartë se si do të ecim përpara. Në vetëm njëqind ditë, Qeveria varrosi shpresën e fundit, se një ditë do të jetë më mirë këtu. Politikat e VMRO-DPMNE-së, të cilat i shërbejnë vetëm përhapjes së populizmit dhe patriotizmit të rremë, sjellin vetëm izolim ndërkombëtar, stagnim ekonomik dhe tensione të brendshme”.
Përndryshe, vendimi i Brukselit është përjellur me reagime pozitive në Bullgari.