Mickoski me 7 minuta fjalim kundër Ahmetit e Taravarit në tubimin me gratë e partisë | VIDEO
Në tubimin e mbajtur për 20-vjetorin e themelimit të Unionit të Grave të VMRO-DPMNE-së, lideri i kësaj partie, Hristijan Mickoski, mbajti një fjalim të fuqishëm shtatë minutësh me kritika të The post Mickoski me 7 minuta fjalim kundër Ahmetit e Taravarit në tubimin me gratë e partisë | VIDEO appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Në tubimin e mbajtur për 20-vjetorin e themelimit të Unionit të Grave të VMRO-DPMNE-së, lideri i kësaj partie, Hristijan Mickoski, mbajti një fjalim të fuqishëm shtatë minutësh me kritika të ashpra ndaj liderit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, si dhe liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, tranmsmeton Flaka.
Mickoski e cilësoi largimin e Taravarit nga qeveria si “një kujtesë për të gjithë” se ndërsa disa punojnë me parime dhe sinqeritet, të tjerët, sipas tij, janë të përkushtuar ndaj kalkulimeve politike dhe interesave personale. Ai tha se kalkulimet e Taravarit do të dështojnë në afat të gjatë dhe e akuzoi për lojëra politike, duke e quajtur “vegël të BDI-së”.
“Duan që unë të harroj si Bujar Osmani e shiste identitetin tim maqedonas,” tha Mickoski, duke shtuar se nuk do të pranojë kurrë që numrat e këshilltarëve të jenë më të rëndësishëm se parimet dhe programi politik.
Në një ton të drejtpërdrejtë dhe emocional, ai theksoi se ai vetë qëndron pas fjalës dhe premtimeve që jep, edhe nëse i shkakton dëm politik. “Për mua, fjala dhe parimet nuk kanë çmim,” deklaroi Mickoski, duke shtuar se ndonëse është i zhgënjyer nga Taravari, nuk ka humbur besimin në njerëzit dhe në ndershmërinë.
Ai akuzoi Ahmetin për ndikim manipulues mbi Taravarin dhe paralajmëroi se hyrja e ASH-së në partneritet me BDI-në mund të çojë në margjinalizimin e saj. “Do të vijë dita kur ai sërish do të kërkojë të jetë pjesë e koalicionit me ne. Dhe unë mezi e pres atë ditë,” përfundoi Mickoski, ndërsa tubimi shpërtheu në duartrokitje.
Mickoski theksoi se qeveria e ardhshme do të jetë më e fortë dhe më e bashkuar dhe se beteja politike që po zhvillohet nuk është etnike apo ideologjike, por është një betejë morale “mes banditëve dhe qytetarëve të ndershëm të Maqedonisë.”
Flaka ua sjell fjalimin integral të Mickoskit, shoqëruar edhe me video nga fjalimi i tij:
Sa i përket largimit të Arben Taravarit nga qeveria, është një kujtesë për të gjithë ne se ndërkohë që ne veprojmë me sinqeritet dhe parime ndaj njerëzve dhe ndryshimeve, ata nuk janë të interesuar për ide, vizion dhe ndryshim, por për diçka tjetër. Dua t’i them atij se kalkulimet e tij nuk do të dalin mirë në afat të gjatë për partinë e tij. Dhe se me këtë sjellje të hyrjes dhe daljes nga qeveria, që është e barabartë me atë “si deri më tani”, nuk do të kalojë shumë kohë derisa edhe partnerët e tij aktualë nga BDI ta kuptojnë se partneriteti i tyre është i përkohshëm dhe normalisht se do të zgjasë derisa të marrin ndonjë ofertë më të mirë ose derisa të ketë ndonjë tjetër shantazh, dhe do t’i thonë faleminderit, jo shumë larg nga tani. Unë nuk ndjek një politikë të tillë. Ndoshta tingëlloj naiv, por siç e them gjithmonë, ndryshimet fillojnë nga ne, dhe ne duhet të jemi ajo që duam të arrijmë, dhe ajo që qytetarët presin nga ne – njerëz të sinqertë, që nuk bëjnë kalkulime dhe nuk luajnë lojëra, që nuk qëndrojnë në pushtet me intriga, shantazhe dhe keqpërdorime, por që thonë gjithmonë të vërtetën dhe qëndrojnë të përkushtuar dhe parimorë ndaj fjalës së dhënë. Nëse nuk jemi të përkushtuar ndaj fjalës, atëherë çdo gjë është e kotë. Dhe unë do të jem i tillë.
Shumë më thoshin ta largoj shpejt Taravarin, ai do të ulet në dy karrige, të mbetet në qeveri, ndërsa njëkohësisht BDI të mos kandidojë kundër tij në pesë komuna dhe ta forcojë atë në bazë. Ajo që BDI kërkon prej tij është të shpallë se në listën e këshilltarëve do të shkojë i vetëm, që BDI të mund të numërojë më shumë këshilltarë në krahasim me VLEN. Nëse ndodh kjo – megjithëse jam i bindur se nuk do të ndodhë. Imagjinoni çfarë strategjie? Si mund të më bindin numrat e këshilltarëve se duhet t’i marr nga BDI në qeveri dhe jo parimet, programi dhe qëllimet e përbashkëta!? A mendojnë ata se unë do të harroj si Bujar Osmani shiste identitetin tim maqedonas? A mendojnë se kështu do të kalojë kjo gjë? Por ja që Arbeni ka vendosur të bëhet vegël e BDI-së dhe të mbajë në jetë politike të gjithë ata për të cilët ai vetë ka folur më së keqi. Për të ardhur keq. Por nëse kështu kanë vendosur, le të vazhdojnë, unë nuk jam i shqetësuar – vetëm mund të jem i zhgënjyer. Por kjo nuk do ta ndryshojë besimin tim tek njerëzit dhe fjala e tyre. Unë jam një optimist i pandreqshëm. Unë besoj në njerëzit dhe besoj në fjalën e tyre.
Miqve që më thoshin ta largoj më herët nga qeveria, unë u thosha: “Lëreni Taravarin të mendojë, të rrotullohet si peshk në tokë të thatë, të shpikë justifikime, dhe pastaj do ta shoh si do përpiqet të transferojë fajin për largimin nga ne”. Dua ta shoh si do të më shikojë në sy pas gjithçkaje që kemi kaluar si miq. Turpi është i tij. Ai duhet të shpjegojë, jo unë. Ne kemi ndërgjegje të pastër. Tek unë, fjala është fjalë. Nëse jap fjalë dhe premtoj, duhet ta përmbush, edhe në dëm timin. Nuk mund të fitosh gjithmonë në jetë – ndonjëherë edhe humb. Kjo është ajo që na bën ndryshe, që i dallon njerëzit dhe i bën ata që janë.
Por duket se BDI ka metodat e veta të bindjes. Të gjithë i dimë cilat janë ato. Duket se Ahmeti është aq i zoti dhe orator saqë ka impresionuar një mjek të mirë për të bërë një kthesë të tillë dhe të rrezikojë që për dy ose tre vjet partia e tij të margjinalizohet, e njerëzit e tij të harrohen ose të asimilohen në BDI. Sepse, nëse tani në VLEN nuk kanë hapësirë siç thotë Taravari, çfarë hapësire do të kenë kur të hyjnë në partneritet me Artanin, Bujarin, Selën dhe të tjerët? Si do të ulen aty dhe si do t’i shohin në sy, pas gjithçkaje që kanë thënë para meje? Por ai ka llogaritë e veta, ose ndoshta Ali është vërtet bindës, e ka mahnitur, impresionuar, për të mos thënë magjepsur, dhe ai ka vendosur se më e rëndësishme është të ketë 5 kryetarë komunash dhe t’i bëjë shërbime BDI-së, sesa të qëndrojë në fjalë dhe parime.
Dikush do të thotë se gjithçka ka çmimin e vet – por kjo nuk vlen për mua. Për mua fjala dhe parimet nuk kanë çmim. Por kjo është ajo që është.
Qeveria vazhdon më e fortë dhe më e bashkuar në këtë fazë të re të organizimit tonë, dhe kjo betejë kundër politikanëve që përdorin intriga, shantazhe, korrupsion – nga të cilët qytetarët janë lodhur – do të vazhdojë. Sepse kjo nuk është një betejë etnike apo fetare. Nuk është as ideologjike. Kjo është një betejë themelore: në njërën anë janë banditët, dhe në anën tjetër është Maqedonia dhe të gjithë qytetarët e saj të ndershëm – maqedonas, shqiptarë, turq, romë, serbë, boshnjakë dhe të tjerë.
I uroj fat Taravarit. Ai e zgjodhi rrugën e vet. Askush nuk mund t’i bëjë dëm dikujt aq sa mund të bëjë vetes. Këtë kam për t’ia rekomanduar atij dhe të gjithë atyre që janë si ai. Do të vijë dita kur do të takohemi sërish, qoftë përmes VLEN ose në ndonjë kombinim tjetër. Ai do të përpiqet përsëri, e ndjej këtë. Të gëzojmë shëndet e jetë – më besoni që atë ditë mezi po e pres.
The post Mickoski me 7 minuta fjalim kundër Ahmetit e Taravarit në tubimin me gratë e partisë | VIDEO appeared first on Flaka, në çdo lajm... .