Mickoski: Nuk do të ketë taksë për beqarët, ju kërkoj falje të gjithë atyre që ashtu më kuptuan
Kryeministri Hristijan Mickoski sot tha se nuk do të vendoset taksë për beqarët dhe se ju kërkon falje të gjithë atyre që ashtu e kanë kuptuar. Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas seancës së Komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së për deklaratën e tij se do të vendoset taksë për beqarët, tha se qëllimi ka […]

Kryeministri Hristijan Mickoski sot tha se nuk do të vendoset taksë për beqarët dhe se ju kërkon falje të gjithë atyre që ashtu e kanë kuptuar. Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas seancës së Komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së për deklaratën e tij se do të vendoset taksë për beqarët, tha se qëllimi ka qenë të provokohet debat publik për shkak se është i shqetësuar për gjendjen demografike në vend, njofton Portalb.mk.
Mickoski më 4 korrik në debatin “Trendet demografike, sfidat dhe zgjidhjet e mundshme” tha se Qeveria po shqyrton futjen e taksave shtesë për qytetarët beqarë në vend.
“Nuk do të ketë kurrfarë taksash dhe ju kërkoj falje thellësisht nëse dikush gabimisht më ka kuptuar. Por, ajo çfarë mund të konkludoj është se ne heshturazi po zhdukemi dhe vdesim dhe kjo po kalon pa u vërejtur, si fakt përgjithësisht i pranuar dhe ne po pajtohemi me këtë. Unë nuk mundem dhe do të ishte e papërgjegjshme nga ana ime që të pajtohem me faktin se në vitin 2016 kanë lindur 23.000 foshnje në Maqedoni, ndërsa në vitin 2024 – 16.000. Kjo është recesion prej 30 përqind. Në vitin 2021 kemi pasur 13.300 martesa, ndërsa tre vite më vonë në vitin 2024 – 11.1oo martesa, kjo është 17 përqind recezion”, tha Mickoski.
Mickoski konsideron se zgjidhja për këtë problem nuk është mbështetja financiare nga shteti për çdo fëmijë të lindur, për shkak se këtë, siç tha, e kanë treguar përvojat botërore.
Ndaj deklaratës së Mickoskit të 4 korrikut reaguan nga Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi duke thënë se kjo përbën shkelje të të drejtave të njeriut.
“Në vend që të ndëshkohen zgjedhjet personale përmes sistemit tatimor, nevojiten politika që mbështesin familjet e reja, kopshte të përballueshme, punësim të sigurt dhe zgjedhje të lirë të partneritetit dhe prindërimit”, thonë nga Rrjeti kundër diskriminimit.
