Mickoski nuk tha se prioritet i tij do të jetë gazsjellësi me Serbinë
Ndonëse Hristijan Mickovski foli për intrakonektorë shtesë në Evropën Qendrore dhe Qendrore-Lindore, nuk mund të konstatohet se ai tha se prioritet i Qeverisë do të jetë kyçja në gazsjellësin në Serbi. Ky pretendim është i pasaktë. Kërkimet e shkrimeve në media, si dhe fjalimet e Mickovskit nuk japin rezultat se pas zgjedhjeve ai ka folur […]
Ndonëse Hristijan Mickovski foli për intrakonektorë shtesë në Evropën Qendrore dhe Qendrore-Lindore, nuk mund të konstatohet se ai tha se prioritet i Qeverisë do të jetë kyçja në gazsjellësin në Serbi. Ky pretendim është i pasaktë. Kërkimet e shkrimeve në media, si dhe fjalimet e Mickovskit nuk japin rezultat se pas zgjedhjeve ai ka folur fare për lidhjen me gazsjellësin në Serbi, e aq më pak se do të jetë prioritet i qeverisë së re, shkruan Vërtetmatësi.
Në një postim në rrjetin social Threads thuhet se mandatari i qeverisë së re dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka thënë se e ka prioritet lidhjen me gazsjellësit në Serbi. Kjo nuk është e vërtetë.
MICKO I JEP PËRPARËSI LIDHJES ME LINJAT E GAZIT NË SERBI (LEXO RUSI), DHE AMBASADORI AMERIKAN DHE AMBASADORI I BE-së NË RMV JANE TË QARTË – PËRPARËSIADUHET TË KETTË LIDHJA ME GREQINË(BE-NË) QË TË MERRET SIGURIA E NATO-s! -shkruan postimi.
Lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministri i ri, Hristijan Mickoski, mori pjesë në Forumin Energjetik të Maqedonisë, ngjarje që mbahet nga viti 2018 dhe ku ekspertë dhe palë të interesuara diskutojnë tema të ndryshme që kanë të bëjnë me energjinë.
Postimi që është objekt i këtij recensioni shpërndan një foto që është klip nga një reportim gazetaresk nga fjalimi e Mickoskit në këtë forum dhe pretendon se ai ka thënë se e ka prioritet lidhjen me gazsjellësit në Serbi, përkatësisht me Rusnë. Postimi pretendon gjithashtu se ambasadori amerikan ka deklaruar se lidhja me Greqinë duhet të ketë përparësi. Deklarata e parë është e rreme, e dyta është e vërtetë.
Mickoski në fjalën e tij në hapjen e Forumit të Energjisë së Maqedonisë që u mbajt së fundmi, nuk tha se prioritet i tij do të jetë gazsjellësi me Serbinë, e në fjalimin e tij nuk e përmendi fare këtë gazsjellës. Ai foli për prioritetet dhe përmendi se për Qeverinë e re do të jetë efiçenca energjetike, por edhe se përfundimi i gazsjellësit greko-maqedonas nuk do ta kompletojë tablonë pa interkonektorë shtesë për Evropën Qendrore dhe Qendrore-Lindore.
Sipas Mickoskit, paralelisht me tranzicionin energjetik, vendi do të duhet të ketë parasysh edhe aspektet sociale dhe do të duhet të kujdeset edhe për ngrohjen, sepse edhe ndotja duhet të jetë ndër prioritetet kryesore.
Ne mund të jemi të vegjël, por jemi të rëndësishëm kur bëhet fjalë për lidhjen me vendet fqinje dhe tregjet, ndaj them shpesh se jemi një pjesë shumë e rëndësishme për sa i përket rrjetit energjetik në këtë pjesë të botës. Prioriteti ynë më i madh në të ardhmen do të jetë balancimi i tregtisë së energjisë, nga njëra anë, sepse aktualisht jemi një vend importues, dhe krijimi i zgjidhjeve të qëndrueshme, nga ana tjetër, riorganizimi i tregut tonë të energjisë elektrike, në mënyrë që në vend të importit, ne të eksportojmë energji elektrike. Ajo do të balancojë portofolin tonë dhe do të kontribuojë në rritjen e produktit vendor dhe në mbështetje të ekonomisë, tha Mickovski.
Ndonëse foli për intrakonektorë shtesë për Evropën Qendrore dhe Qendrore-Lindore, nuk mund të konstatohet se prioritet i Qeverisë do të jetë lidhja me gazsjellësin në Serbi. Ky pretendim është i pasaktë. Kërkimet në shkrimet e mediave, si dhe fjalimet e Mickovskit nuk japin rezultat se pas zgjedhjeve ai ka folur fare për lidhjen me gazsjellësin në Serbi, e aq më pak se do të jetë prioritet i Qeverisë së re.
Nga ana tjetër, është i vërtetë pretendimi i ambasadores amerikane Angela Ageler se lidhja me gazsjellësin në Greqi duhet të ketë përparësi. Në të njëjtën ngjarje, ajo vlerësoi se vendi duhet të përfundojë gazsjellësin greko-maqedonas, i cili do të eliminojë, siç tha ajo, varësinë nga Rusia dhe kërcënimet për ndërprerje të caktuara të furnizimit.
Me interkonektorin, Maqedonia e Veriut do të mund të ndërtojë termocentrale me gaz dhe të lehtësojë kalimin nga qymyri në burime të tjera, theksoi Ageler, duke kujtuar se vendi ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për zbatimin e tranzicionit të gjelbër.
Meqenëse Mickovski nuk tha se e kishte prioritet lidhjen me gazsjellësit në Serbi, e as nuk foli për këtë, këtë postim e vlerësojmë pjesërisht të pavërtetë.