Mickoski paralajmëron 100 milionë euro ndihmë për komunat
100 milionë euro investime për komunat ka paralajmëruar mandatari për formimin e Qeverisë së re, Hristijan Mickoski. Ai u bëri thirrje drejtuesve të komunave të jenë të gatshëm me projektet kapitale për të marrë pjesë në thirrjen për këtë vit, që sipas Mickosit, mund të hapet në shtator ose edhe në muajin gusht. Ndërkohë, për […]
100 milionë euro investime për komunat ka paralajmëruar mandatari për formimin e Qeverisë së re, Hristijan Mickoski. Ai u bëri thirrje drejtuesve të komunave të jenë të gatshëm me projektet kapitale për të marrë pjesë në thirrjen për këtë vit, që sipas Mickosit, mund të hapet në shtator ose edhe në muajin gusht. Ndërkohë, për vitin e ardhshëm Mickoski paralajmëroi investime për komunat në vlerë prej 250 milionë euro.
“Qytetarët janë ngopur me përralla, tregime dhe premtime për gjëra të mëdha dhe asgjë nuk ndodh. Qytetarët tanë kanë probleme thelbësore ekzistenciale, në qendrat e zonave më të mëdha urbane akoma ecin në baltë, as 20 për qind e territorit nuk është e mbuluar nga kanalizimet e organizuara, sistemet e kullimit të ujërave të zeza e mos të flasim për pastrimin e tyre. Kemi zona ku nuk kemi as ujë të pijshëm, janë rrënuar këndet e lojërave për fëmijë, e shihni gjendjen me demografinë në Maqedoni, në pak vite numri i fëmijëve që lindin është ulur për 30 për qind, kemi shkolla të rrënuara e lista të gjata pritjeje në kopshte”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.
Ndërkohë, kryetari i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale dhe njëherësh kryetar i komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski tha se komuna të caktuara, posaçërisht ato të drejtuara nga VMRO-DPMNE-ja i kishin duart e lidhura për shkak të refuzimit të projekteve nga Qeveria.
“Më shumë se 2 vjet e gjysmë kishim bllokadë nga pushteti qendror. Si BNJVL nuk gjetëm mirëkuptim nga ana e tyre, madje edhe në pjesën më themelore që është memorandum për bashkëpunim mes BNJVL-së dhe Qeverisë që duhet të firmoset dhe është nga karakteri formal ndërsa përmban problemet që bashkërisht duhet të zgjidhen, komunat me pushtetin qendror, kjo u refuzua të firmoset në periudhën e kaluar”, deklaroi Orce Georgievski, kryetar i BNJVL-së.
Georgievski përveç kritikave ndaj Qeverisë, a ankua edhe për mungesën e bashkëpunimit me Qytetin e Shkupit. Sipas tij komunikimi është i njëanshëm, pavarësisht nevojave për realizimin e shumë projekteve në të mirë të qytetarëve. /Alsat.mk