Mickoski pas ndarjes së Shqipërisë nga RMV-ja për rrugën drejt BE-së: Mesazh i keq për ne, por nuk pranojmë kushte

Një mesazh i keq po dërgohet për qytetarët e Maqedonisë, tha kryeministri Hristijan Mickoski lidhur me vendimin e Bashkimit Evropian për të ndarë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Asnjë vend, vlerëson kryeministri, nuk ka bërë më shumë gjëra se ne në dy dekadat e fundit që nga […]

shtator 26, 2024 - 16:00
 0  9
Mickoski pas ndarjes së Shqipërisë nga RMV-ja për rrugën drejt BE-së: Mesazh i keq për ne, por nuk pranojmë kushte
Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së

Një mesazh i keq po dërgohet për qytetarët e Maqedonisë, tha kryeministri Hristijan Mickoski lidhur me vendimin e Bashkimit Evropian për të ndarë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Asnjë vend, vlerëson kryeministri, nuk ka bërë më shumë gjëra se ne në dy dekadat e fundit që nga fillimi i rrugës drejt anëtarësimit të plotë në Union, dhe të cilat nuk kanë asnjë lidhje me kriteret e Kopenhagës, transmeton Portalb.mk.

“Ne jemi i vetmi rast në të cilin marrëveshjet bilaterale janë kushte në Kornizën negociuese”, tha Mickoski në konferencën e sotme për media.

Në kurriz të lëshimeve kombëtare dhe identitare, pa garanci, shton ai, nuk duhet të pranojmë kushte.

“Për mua ky është një diktim. Nëse ky është kushti që Maqedonia të vazhdojë negociatat – atëherë jo, faleminderit. Ne duam të flasim, jemi të gatshëm të flasim aq sa duhet për të gjetur një zgjidhje. Le të përfundojmë procedurën, kemi një numër prej 80 deputetësh, por ato ndryshime duhet të jenë të vlefshme dhe efektive kur Bullgaria të ratifikojë protokollin e anëtarësimit për ne në BE. Unë e ofrova atë në Bruksel. Jam konstruktiv – po sugjeroj – po jam gati të flas”, tha kryeministri.

Ai thotë se nëse si qeveri do të mund ta respektonin Marrëveshjen e Prespës përkundër kritikave të opinionit dhe të përdornin prapashtesën “Veriut” për përdorim të jashtëm, atëherë edhe Brukseli duhet të pranojë Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, në të cilën, siç thotë ai, askund nuk thotë se kusht duhet të jetë ndryshimi i Kushtetutës.

“Kur flasim për veprim të vonuar, pra pas përfundimit të suksesshëm të negociatave dhe ratifikimit të protokollit të anëtarësimit, se jemi të gatshëm ta pranojmë atë, për shumicën në Bruksel ishte “çfarë është kjo tani”. Nuk ka asnjë ndryshim nga Marrëveshja e Prespës. Nëse lexoni Marrëveshjen e Prespës dhe Kushtetutën, do të shihni se të gjitha amendamentet që u miratuan në parlament hyjnë në fuqi kur Greqia ratifikon protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Pse nuk e shtuan edhe BE-në atëherë? Ndërsa pyetja e referendumit, nëse ju kujtohet, ishte nëse jeni për BE dhe NATO. Pse nuk e shtuan BE-në? Kjo është ajo që ne po kërkojmë”, shtoi Mickoski.

Mjaft, shton ai, me standarde të dyfishta në “shpinën e këtij vendi të vogël në zemër të Ballkanit”.

“Kjo nuk ka të bëjë me vlerat evropiane, ato përjetohen vetëm tek ne. Kaq mjafton. Jemi gati, duam të hyjmë, të negociojmë. Negociatat do të thotë fuqizim i institucioneve, pasurim i kapaciteteve, jo anëtarësim. Pse është kaq e vështirë të pranohet ky propozim i yni?”, shton kryeministri.

Ai i uroi Shqipërisë suksese dhe përfundim të shpejtë të procesit të negociatave. Ndoshta, siç thotë ai, një ditë rrugët e dy vendeve do të takohen sërish në trajektoren drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski vjen pas vendimit unanim të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së për të ndarë rrugën e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nga rruga drejt BE-së.

Ndarja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën eurointegruese ka qenë temë debati edhe para disa viteve, kur Holanda e pengonte procesin eurointegrues të Shqipërisë. Në atë periudhë kërkohej ndarja e Maqedonisë nga Shqipëria.