Mickoski: Përfshirja e disa qindra qytetarëve në Kushtetutë nuk është problem, problemet vijnë më pas

Jam optimist dhe do të vazhdojmë të luftojmë. Nuk do të lejojmë që identiteti maqedonas dhe qytetarët maqedonas të humbin asnjë milimetër, pa dallim etnie, sepse të gjithë meritojmë një të ardhme të garantuar. Këtë e kam dëgjuar drejtpërdrejt nga ata më relevantët për zgjerimin brenda Komisionit Evropian, tha  kryeministri Hristijan Mickoski sot në pyetjet […]

dhjetor 5, 2024 - 15:00
 0  6
Mickoski: Përfshirja e disa qindra qytetarëve në Kushtetutë nuk është problem, problemet vijnë më pas
Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së

Jam optimist dhe do të vazhdojmë të luftojmë. Nuk do të lejojmë që identiteti maqedonas dhe qytetarët maqedonas të humbin asnjë milimetër, pa dallim etnie, sepse të gjithë meritojmë një të ardhme të garantuar. Këtë e kam dëgjuar drejtpërdrejt nga ata më relevantët për zgjerimin brenda Komisionit Evropian, tha  kryeministri Hristijan Mickoski sot në pyetjet e gazetarëve për nivelin e optimizmit për integrimet evropiane pas takimit me administratën e re në Bruksel, transmeton Portalb.mk.

Mickoski sot në konferencën për media në Qeveri, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, tha se kanë  plan dhe strategji të qartë të përbërë nga tri pjesë, të cilin e zbatojnë. Në kuadër të strategjisë, pjesa e parë po përcjell qëndrimet dhe argumentet tona, tha Mickoski.

Ai informoi se pardje, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Bruksel, ka pasur  takim të suksesshëm me Komisioneren e re Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, dhe pret që ajo së shpejti ta vizitojë Shkupin.

“Kemi një plan dhe strategji të qartë që po e zbatojmë për të gjashtën muaj radhazi, e cila është në tri pjesë. Një pjesë integrale e kësaj strategjie është një veprim i fuqishëm diplomatik ku ne do të përcjellim qëndrimet dhe argumentet tona. Kam pasur takim dypalësh me Marta Kos, e cila është komisionerja e re për Zgjerim. Kishim një takim shumë të suksesshëm, përmbajtjesor, e ftova të vijë në Shkup kur të ketë mundësi dhe mendoj se ajo vizitë do të ndodhë shumë shpejt”, tha Mickoski.

Ai përmendi se ka folur edhe me Antonio Kostën, i cili është presidenti i ri i Këshillit Evropian, si dhe me drejtorin e përgjithshëm të DG NEAR, Gert Jan Kopmann.

“Kërkojmë zgjidhje, debatojmë. Për gjithçka që përbën tezën tonë presim një antitezë. Deri më tani nuk kemi marrë antitezë, që do të thotë se kemi zbatuar tashmë fazën e parë të planit, që është se jemi në kërkim të zgjidhjeve”, shtoi kryeministri.

Siç tha ai, në fazën e dytë do të nxjerrin në sipërfaqe të vërtetën “reale”.

“Tani është shumë e rëndësishme që në fazën e dytë të planit të identifikohet nëse përfshirja e disa qindra qytetarëve në Kushtetutë do t’i japë fund problemeve tona, apo nëse janë vetëm dhjetë metrat e parë të kësaj gare prej 110 metrash. Është tashmë e qartë për të gjithë ne se ky nuk është problemi i vetëm, por problemet vijnë më pas. Nuk do të hyjmë në asnjë aventurë pa pasur një plan të qartë për të parë fundin. Patëm edhe një darkë shumë konstruktive, në të cilën ishin të pranishëm edhe liderë të tjerë nga Ballkani Perëndimor, në praninë dhe organizimin e Antonio Kostës. Mendoj se kemi një ekip të ri që po i njeh argumentet tona, pikëpamjet tona dhe do të vazhdojmë të luftojmë, sepse kemi të drejtë”, tha Mickoski.

Në fazën e tretë, theksoi ai, problemet do të zgjidhen në shtëpi.

“Faza e tretë e planit tonë është të thyejmë rekorde në shtëpi. Të zgjidhim problemet në shtëpi, të tregojmë se jemi të denjë të jemi në atë tavolinë, në bazë të qasjes së meritës, domethënë në bazë të asaj se sa do të japim, dhe jo sipas asaj nëse duhet të zgjidhim çështje nga shekulli 11 dhe 12, të cilat duhet të jenë kusht që ne t’i zhvillojmë në shekujt 21 dhe 22. Jam optimist dhe do të vazhdojmë të luftojmë. Nuk do të lejojmë që identiteti maqedonas dhe qytetarët maqedonas të humbasin asnjë milimetër, pavarësisht nga përkatësia etnike. Nuk do të jemi naivë, nuk kemi asnjë lëshim, nuk kemi premtuar asgjë, vetëm kërkojmë një qasje të ndershme. Për atë që themi si tezë dhe argument, nuk kemi dëgjuar deri tani antitezë. Do të luftojmë derisa të kemi sukses”, nënvizoi Mickoski.

Kujtojmë se komisionerja e re për zgjerim e BE-së Marta Kos në konferencën e organizuar nga “Miqtë e Evropës” në Bruksel tha se do të bëjë gjithçka që është e mundur që çështjet dypalëshe të mos bëhen pengesë e përhershme në rrugën drejt BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.