Qeveria e RMV-së shpalli “Shportën e Vitit të Ri”, do të ketë çmime më të ulëta të mbi 650 produkteve
Pas mbi një muaji konsultimesh me biznesin, sot Qeveria shpalli “Shportën e Vitit të Ri”. Kjo iniciativë për “Shportën e Vitit të Ri” u iniciua nga prodhuesit, shpërndarësit dhe tregtarët e produkteve ushqimore dhe produkteve alkoolike dhe joalkoolike të cilët u ofruan të dorëzojnë listë të produkteve të tyre më të shitura gjatë festave të […]
Pas mbi një muaji konsultimesh me biznesin, sot Qeveria shpalli “Shportën e Vitit të Ri”. Kjo iniciativë për “Shportën e Vitit të Ri” u iniciua nga prodhuesit, shpërndarësit dhe tregtarët e produkteve ushqimore dhe produkteve alkoolike dhe joalkoolike të cilët u ofruan të dorëzojnë listë të produkteve të tyre më të shitura gjatë festave të Vitit të Ri që do të shiten me aksion me çmime më të ulëta prej 10 e më shumë përqind, njoftoi ministri i Ekonomisë Besar Durmishi, transmeton Portalb.mk.
“Shporta konsumatore e Vitit të Ri është ulje aksioni në çmimet e produkteve të caktuara ushqimore, pijeve alkoolike dhe joalkoolike që do të jetë e vlefshme për një muaj, respektivisht në periudhën nga 15 dhjetori i vitit 2024 deri më 15 janar të vitit 2025, një kohë kjo kur përfshihen disa festa. Me uljen e aksionit të çmimeve janë përfshirë produktet themelore ushqimore nga grupe të ndryshme të produkteve (bukë dhe drithëra, produkte buke, mish dhe përpunime të mishit, peshk, qumësht dhe produkte të qumështit, produkte konditore, fruta dhe perime të freskëta, të ngrira dhe të konservuara, pije joalkoolike (të gazuara dhe të pagazuara), pije alkoolike (verë dhe birrë), etj. Grupet e produkteve u përmblodhën në Listën e produkteve ushqimore në rangun e mbi 675 produkteve, të ofruara nga gjithsej 60 kompani dhe prodhues e shpërndarës”, tha ministri Durmishi dhe theksoi se produktet në listë që do të ofrohen në raftet e zinxhirëve tregtare, do të shënohen me një afishe dhe logon “Më pak harxhime, më shumë për ty”.
Me qëllim të promovimit të gjerë të iniciativës “Shporta e Vitit të Ri” dhe në mënyrë që qytetarët të mund të njoftohen me produktet që janë ofruar në Listë nga prodhuesit dhe shpërndarësit, do të ekzistojë ueb-faqe e veçantë “mojakosnica.mk“.
“Lista e produkteve ushqimore nuk është përfundimtare, ajo mund të plotësohet vazhdimisht me produkte të reja dhe kompani të reja para se të fillojë aksioni i “Shportës së Vitit të Ri”, si dhe gjatë kohëzgjatjes së aksionit”, tha ministri, duke shtuar se ky është aksion që rezulton pikërisht nga kompanitë që tregojnë përgjegjësinë e tyre shoqërore gjatë festave të Vitit të Ri dhe do të ofrojnë produkte më të lira për qytetarët.
Duke marrë parasysh se ky është aksion që rezulton nga kompanitë dhe nuk është vendim qeveritarë, Durmishi tha se nuk parashikohen dënime, respektivisht kontroll nëse janë ulur apo jo çmimet siç i kanë ofruar vetë prodhuesit dhe shpërndarësit, do ta bëjnë drejtpërdrejt qytetarët, Inspektorati Shtetëror i Tregut do të jetë në terren për të përcaktuar nëse janë shënuar të gjitha produktet që janë në listë me çmime të ulura në përputhje me Ligjin për konsumatorët. Ministria e Ekonomisë dhe Punës po punon vazhdimisht për miratimin e masave që do të nënkuptojnë shpenzime më të ulëta për qytetarët dhe mbrojtje të standardit jetësor. Kam nderin dhe kënaqësinë që për këtë aksion kemi pasur interesim të madh nga një numër i madh prodhuesish dhe shpërndarësish, gjithsesi me mbështetjen e tregtarëve. Shpresoj që në periudhën e ardhshme numri i produkteve në listë do të rritet dhe të gjithë së bashku do t’u dalim në ndihmë qytetarëve gjatë festave të Vitit të Ri dhe do të jemi të gjithë së bashku dhe me përgjegjësi shoqërore ndaj qytetarëve”, tha Durmishi.
Ndryshe, në tetor të këtij viti, për një muaj ishte në fuqi shporta e vjeshtës, në të cilën kishte kufizim të marzhit bruto të fitimit të disa prej produkteve ushqimore bazë me 10 përqind në tregtinë me pakicë dhe shumicë.
Shporta e vjeshtës zgjati deri më 31 tetor dhe më pas pati rritje çmimesh, ndonëse autoritetet njoftuan se do të kundërshtonin ashpër rritjen e çmimeve.
Kujtojmë se ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishinë konferencë për media me 1 nëntor prezantoi rezultatet e shportës konsumatore të vjeshtës. Sipas tij, masa u zbatua me sukses dhe sipas analizave të Ministrisë së Ekonomisë i dha rezultatet e pritshme. Por, përkundër masës, qytetarët në muajin tetor arritën të “kursejnë” hiç më shumë se 57 denarë nga harxhimet e nevojshme bazë për dallim nga muaji paraprak.
- LEXO: RMV, lista me mbi 600 produkte nga shporta e Vitit të Ri do të publikohet javën e ardhshme
- LEXO: Për Durmishin shporta e vjeshtës dha rezultat, edhe pse për harxhimet bazë qytetarët “kursyen”