Minçev ndryshoi llogaritjet për Balancuesin të bëra nga ministri paraprak: Përqindja e maqedonasve rritet, e shqiptarëve ulet
Janë ndryshuar përqindjet e balancuesit, mjeti për punësim sipas nacionalitetit në institucionet shtetërore, njoftoi ministri i Administratës Publike Goran Minçev. Në gusht 2022, ministri i atëhershëm Admirim Aliti bëri një përllogaritje të re, duke numëruar diasporën nga regjistrimi i vitit 2021 dhe rriti përqindjen e punësimit të shqiptarëve në 29.54%. Siç tha Minçev sot në […]
Janë ndryshuar përqindjet e balancuesit, mjeti për punësim sipas nacionalitetit në institucionet shtetërore, njoftoi ministri i Administratës Publike Goran Minçev. Në gusht 2022, ministri i atëhershëm Admirim Aliti bëri një përllogaritje të re, duke numëruar diasporën nga regjistrimi i vitit 2021 dhe rriti përqindjen e punësimit të shqiptarëve në 29.54%. Siç tha Minçev sot në një konferencë për media, deri më tani nuk është respektuar Ligji për të punësuarit në sektorin publik, sepse në llogaritje është përfshirë edhe numri i popullsisë jorezidente, transmeton Portalb.mk.
“Ndryshimet në përqindjet e mjetit balancues janë bërë ekskluzivisht në përputhje me Ligjin për të punësuarit në sektorin publik, i cili më parë nuk ishte respektuar. Kjo do të thotë se në përllogaritjen e balancuesit do të përfshihet vetëm numri i popullsisë rezidente si pjesë e planeve vjetore të punësimit në institucionet e sektorit publik dhe popullsia jorezidente përjashtohet nga përllogaritja e balancuesit”, tha Minçev.
Kështu, sipas përllogaritjeve të reja në planet vjetore të punësimit në institucionet e sektorit publik, korrigjohen përqindjet: maqedonas nga 54,21% në 58,44%, shqiptarë nga 29,52% në 24,30%, turq nga 3,98% në 3,86%, romë nga 2,34%. në 2,53%, serbët nga 1,18% në 1,30%, për boshnjakët mbetet njëjtë dhe vllehët nga 0,44% në 0,47%.
Minçev tha se ministria e tij ka pranuar rreth 120 plane vjetore për punësim në institucionet e sektorit publik dhe vetëm pesë prej tyre kanë mendim pozitiv, ndërsa pjesa tjetër janë kthyer me vërejtje se institucionet duhet të veprojnë dhe t’i përputhen me përqindjet e reja.
Sipas regjistrimit të fundit, të mbajtur në shtator 2021, në territorin e Maqedonisë jetojnë 58,44 për qind maqedonas, 24,3 përqind turq, 2,53 përqind romë, 1,3 përqind serbë, 0,87 përqind boshnjakë dhe 0,47 përqind vlleh. 7.2 përqind, ose 132.260 qytetarë, janë të listuar nga burimet administrative dhe nuk përfshihen në përqindjet e kombësive. Sipas rezultateve të vetëregjistrimit, në diasporë janë 66,36 për qind shqiptarë dhe 24,45 për qind maqedonas.
Kur shtohet numri i popullsisë rezidente në Maqedoni dhe shtetasve nga Maqedonia të vetëregjistruar jashtë vendit, 54,21 për qind janë maqedonas, 29,52 për qind janë shqiptarë, 3,98 për qind janë turq, 2,34 përqind janë romë, 1,18 përqind janë serbë, 0,87 përqind janë boshnjakë dhe 0,44 për qind përqind janë vllehë.
Ligji për të punësuarit në sektorin publik, i cili filloi të zbatohet në vitin 2015, parashikon një mekanizëm për shpërndarjen e punësimeve të reja me përfaqësim adekuat dhe të drejtë të pjesëtarëve të komuniteteve, në nivel të secilit prej institucioneve në sektorin publik, bazuar në nevojat e vetë institucioneve të shprehura përmes Planeve Vjetore të Punësimit.
Kujtojmë se ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, në fund të majit 2023, tentoi që ta zgjidh problematikën e keqpërdorimit të përkatësisë etnike gjatë punësimit, duke nënshkruar një udhëzim me çka do të vendosej përkatësia etnike në dokumentet e gjendjes civile. Por, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi këtë udhëzim në fund të muajit shkurt të këtij viti.