Ministri i Sportit në Maqedoninë e Veriut nuk e ka paraqitur kompaninë e bashkëshortes te Komisioni antikorrupsion

Ministri për Sport, Borko Ristovski, për BIRN ka deklaruar se për shkak “lëshimit të paqëllimshëm teknik”, nuk e ka paraqitur firmën e bashkëshortes në listën e pasurisë që e ka dërguar në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, raporton Prizma, përcjell Portalb.mk. BIRN kërkoi sqarime nga ministri, pse NIBO Solution, kompania e bashkëshortes, Nikolina Ristovska, […]

shtator 23, 2024 - 21:00
 0  8
Ministri i Sportit në Maqedoninë e Veriut nuk e ka paraqitur kompaninë e bashkëshortes te Komisioni antikorrupsion
Qeveria e Maqedonisë së Veriut 2024. Foto: Qeveria

Ministri për Sport, Borko Ristovski, për BIRN ka deklaruar se për shkak “lëshimit të paqëllimshëm teknik”, nuk e ka paraqitur firmën e bashkëshortes në listën e pasurisë që e ka dërguar në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, raporton Prizma, përcjell Portalb.mk.

BIRN kërkoi sqarime nga ministri, pse NIBO Solution, kompania e bashkëshortes, Nikolina Ristovska, nuk është përfshirë në listën e pasurisë. Kompania e formuar në verën e kaluar me veprimtari në sektorin e minierave dhe gurorëve.

Ristovski deklaroi që lista anketuese është plotësuar në periudhën kur ishte në kaos, për shkak formimit të ministrisë së re.

“Listën time anketuese e ka plotësuar kabineti im, për shkak se në afat ligjor të paraparë për çështje administrative, kemi pasur vetëm një kompjuter funksional. Në atë kaos, është bërë lëshim i paqëllimshëm, pasi absolutisht as nuk mund të fshihet, por as nuk dua të fshihet diçka në raport me gjendjen e pasurisë”, deklaroi Ristovski.

Ai u bë ministër në qershor të këtij viti, ndërsa në listën anketuese ka deklaruar veturën xhip Tojota dhe disa orë dore në vlerë mbi 80 mijë euro.

Ristovski ka qenë hendbollist profesionist dhe përfaqësues i Maqedonisë së Veriut me një karrierë të pasur në ekipe evropiane. Vitin e kaluar ai ishte drejtor në ekipin e hendbollit Vardar.

Në vitin 2019 edhe zyrtarisht është përfshirë në politikë, kur u bë bashkëpunëtor i kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijna Mickoski, në sferën e sportit. Pastaj aktivisht ka marrë pjesë edhe në aktivitete partiake në fushatën parazgjedhore.

Ndryshe, SKUP Maqedoni bëri një analizë të fletëve anketuese të ministrave të Qeverisë aktuale për të parë se cilët ministra nuk e kanë deklaruar vlerën e një pjese të pasurisë së tyre. Ministrat nga kabineti i Hristijan Mickoskit e deklarojnë pasurinë e tyre në mënyrë jotransparente, gjë që lë hapësirë ​​për manipulime më vonë, edhe pse gjendja e tyre pronësore duhet të jetë tërësisht transparente, në mënyrë që të mund të identifikohen më lehtë funkcionerët e korruptuar.

Plotë 826 institucione nuk i kanë dorëzuar informacionet e duhura në Komisionit Shtetëror Kundër Korrupsionit. Kjo ngre alarmin për mungesë serioze të transparencës dhe mund të interpretohet si përpjekje për fshirjen e parregullsive të mundshme, thuhet në raportin e Antikorrupsionit.