Ministria e Kulturës e RMV-së tha se pagesa e pagave është në rrjedhë dhe do të përfundojë sot

Ministria e Kulturës dhe Turizmit njoftoi sot se pagesa e pagave për punonjësit në institucionet e kulturës, në koordinim me Ministrinë e Financave, është në rrjedhë dhe do të përfundojë deri në fund të ditës. Ministria thekson se disa nga institucionet tashmë kanë marrë pagat dhe kanë paralajmëruar se do të dërgojnë ftesë për takime […]

Prill 24, 2025 - 17:00
 0  4
Ministria e Kulturës e RMV-së tha se pagesa e pagave është në rrjedhë dhe do të përfundojë sot
Ministria e Kultures. Foto nga Faton Curri

Ministria e Kulturës dhe Turizmit njoftoi sot se pagesa e pagave për punonjësit në institucionet e kulturës, në koordinim me Ministrinë e Financave, është në rrjedhë dhe do të përfundojë deri në fund të ditës. Ministria thekson se disa nga institucionet tashmë kanë marrë pagat dhe kanë paralajmëruar se do të dërgojnë ftesë për takime me përfaqësuesit e Sindikatës së Kulturës (SKRM), transmeton Portalb.mk.

“Ministria e Kulturës dhe Turizmit është plotësisht e angazhuar për zgjidhjen e problematikave që kanë të bëjnë me pagesën e pagave për sektorin e kulturës. Pagesa e pagave për punonjësit në institucionet e kulturës në koordinim me Ministrinë e Financave është në vazhdim dhe do të përfundojë sot”, thuhet në njoftim.

Ministria, shtuan ata, do të bëjë ftesë për një takim zyrtar me SKRM-në për të shqyrtuar të gjitha çështjet e hapura në frymën e respektit dhe partneritetit reciprok.

“Dialogu duhet të vazhdojë, sepse vetëm kështu mund të gjejmë zgjidhje afatgjata për stabilitetin e institucioneve të kulturës dhe dinjitetin e punëtorëve të kulturës”, theksojnë nga Ministria.

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, nga foltorja e Kuvendit deklaroi se menjëherë pas zgjidhjes së problemit të pagave, filloi komunikimi me SKRM-në dhe SASHK-un.

“Dje ishte komunikimi i parë, nga nesër po formojmë grupet e punës, po fillojmë të punojmë për problemet në kulturë dhe për atë marrëveshje kolektive që ka mbetur e pazgjidhur. Të zgjidhim të drejtat dhe detyrimet e artistëve. Shpresoj që shumë shpejt të gjejmë mirëkuptim nga të gjitha palët dhe të miratojmë një marrëveshje të re kolektive që do të jetë e dobishme për të gjithë”, tha Ljutkov.

Kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, theksoi se pagesa e pagave në kulturë bëhet në përputhje me Marrëveshjen Kolektive, edhe pse ajo është nënshkruar nga një ministër pa pëlqimin e Ministrisë së Financave dhe ka skaduar.

“Por përkundër kësaj, ne i kemi paguar pagat me rritje, në përputhje me Marrëveshjen Kolektive. Jemi të gatshëm të ulemi me përfaqësuesit e sindikatës për të negociuar një të re, në të cilën kultura do të fitojë një shkëlqim të vërtetë kulturor”, tha Mickoski.

Konfirmimin se deri në fund të ditës të gjitha institucionet dhe të punësuarit e kulturës do t’i marrin pagat nga foltorja e Kuvendit arriti edhe nga zëvendësministri i Financave, Nikolçe Jankulovski. Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes dhe ish-ministres së Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska se a është e vërtetë se problemi me pagimin e pagave për punëtorët e kulturës është në Ministrinë e Financave, ai tha se problemi me vonesat e pagave po përsëritet tash e disa vite.

“Për paga janë paguar rreth 87 milionë denarë, deri në fund të ditës do të paguhen të gjitha institucionet e kulturës, të gjithë punëtorët do të marrin pagën përkatëse. Ky problem po përsëritet disa vite. Ku ishit ju si ministrenë atë moment të thoni se çfarë problemi ishte”, tha Jankullovski duke iu drejtuar Kostadinovska-Stojçevskës.

Për shkak të vonesës së pagës së muajit mars, SKRM-ja më herët mbajti  këshill protestues, ku kërkoi kushte dinjitoze të punës, respektim të marrëveshjeve kolektive dhe menaxhim transparent.

Përkrahje të SKRM-së i dha edhe Federata e Sindikatave të Maqedonisë, ndërsa kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedelkov, kërkoi takim me ministrin Ljutkov, duke paralajmëruar mundësinë e grevës nëse nuk respektohen kërkesat e tyre.