Mickoski premtoi: Garantoj se do të ketë “Ligj për përfaqësim të drejtë” dhe do ta mbroj personalisht
Kryeministri Hristijan Mickoski gjatë replikimit të deputetit të BDI-së Blerim Bexheti në pyetjet e deputetëve në Kuvend, tha se garanton se do të ketë Ligj për përfaqësim të drejtë dhe se të njëjtin do ta mbrojë personalisht e i cili do të jetë kushtetues dhe do të garantojë përfaqësim të vërtetë për të gjitha bashkësitë etnike, […]


Kryeministri Hristijan Mickoski gjatë replikimit të deputetit të BDI-së Blerim Bexheti në pyetjet e deputetëve në Kuvend, tha se garanton se do të ketë Ligj për përfaqësim të drejtë dhe se të njëjtin do ta mbrojë personalisht e i cili do të jetë kushtetues dhe do të garantojë përfaqësim të vërtetë për të gjitha bashkësitë etnike, raporton Portalb.mk.
“Unë mund t’ju them se do të ketë ligj për përfaqësim të drejtë. Unë personalisht do ta nxjerr këtu dhe do ta mbroj personalisht, i cili do jetë kushtetues dhe do të garantojë përfaqësim të vërtetë të drejtë të të gjitha bashkësive etnike. Ndërsa, në ndërkohë unë garantoj për përfaqësim të drejtë, ja ta dini se askush nuk do të ndihet i diskriminuar. Rrini të qenë, ligji do të vijë këtu. Unë isha ai që bashkë me kolegët e mi në Qeveri thamë se nuk do t’i bëjmë gabimet e së shkuarës, kur ligjet miratoheshin pa marrë parasysh kushtetutshmërinë ose kur ligjet miratoheshin në mënyrë të çuditshme, që sot të lë hapësirë për teza politike, në vend që të dilni dhe t’u kërkoni falje shqiptarëve pse janë sjellë zgjidhje politike gjysmake ju po më thoni mua se duhet të kërkoj falje. Po, kërkoj falje që më herët nuk shkuat në opozitë”, tha Mickoski.
Ai shtoi edhe se jep fjalën që ky vend do të jetë atdheu i shqiptarëve dhe të gjithë të tjerëve në mënyrë të barabartë.
“Gjithashtu ju jap fjalën se ky vend do të jetë atdheu i shqiptarëve, maqedonasve, serbëve, turqve, vllahëve, romëve, boshnjakëve dhe të gjithëve në mënyrë të barabartë. Derisa unë jam kryetar i Qeverisë, nuk do të bëjmë asgjë që, z.Blerim Bexheti, të cenojmë para së gjithash dinjitetin e individit dhe të njeriut dhe më pas atë kombëtar, sepse sot ndërtohen bulevarde, shkolla dhe çerdhe edhe në Haraçinë dhe Likovë, edhe në Tetovë edhe në Strumicë, edhe në Manastirë edhe në Prilep edhe gjithkund dhe do të ndërtohen edhe autostrada dhe korridore, sepse ky është qëllimi i kësaj qeverie, të tregojë se mundej më ndryshe pas 20 vitesh të Bashkimit Demokratik për Integrim në pushtet, se gjërat mund të ishin më ndryshe, para së gjithash për shqiptarët dhe për gjithë të tjerët. Unë ju respektoj edhe juve si shqiptarë dhe gjuhën shqipe dhe do t’ju respektoj gjithë jetën, sepse jemi fqinj dhe fqinjët mbështeten, nuk punojnë për interesa të huaja duke menduar se në këtë mënyrë përmes truqeve do të promovojnë vlerë të shtuar në karrierën e tyre. Keni bërë gabim! Gabim të madh dhe ai nuk duhet të zbehet. Nëse mendoni se do të harrohet, jo, e keni gabim. Askush nuk do të harrojë kurrë”, tha Mickoski.
“Zëvendëskryeministra nga kjo Qeveri dalin dhe thonë se kanë grupe pune, por asnjëherë nuk thanë kush punon në ato grupe. Ka një qasje talljeje me publikun për miratimin e Ligjit, pasi ishte në programin parazgjedhor të kësaj qeverie, dhe për të hequr “Balancuesin”. Nuk kemi asnjë informacion, as si deputetë, as si Kuvend, por as si publik deri ku është situata me këtë ligj, nëse është formuar grup pune, kur do të miratohet e kështu me radhë. Duhet të respektohet fryma e Marrëveshjes së Ohrit dhe të thuhet, pasi Qeveria ka program qeveritar, në cilin muaj do të jetë, pasi edhe Izet Mexhiti edhe Arben Fetai u lodhën duke thënë do të jetë këto dy javë, jo këtë të enjte, të enjten tjetër, kjo tashmë u bë humor, tha Blerim Bexheti.
Kujtijmë se edhe përkundër rëndësisë së madhe të miratimit të Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat në Maqedoninë e Veriut, ende në opinion nuk ka asnjë propozim ligj për të cilin mund të diskutohet publikisht. Madje, emrat e ekspertëve që punojnë në këtë ligj e që Portalb.mk ka muaj që po i kërkon, mbahen “top sekret” sikurse të punojnë në përpilimin e strategjisë së luftës ndër-shtetërore. Zgjidhja ligjore e cila duhet të zëvendësojë mekanizmin e “Balancuesit” që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese derisa t’i kalojë të gjithë fazat, mund të vonojë edhe më shumë se një vit. Dy zëvendëskryeministrat shqiptarë në qeveri, Arben Fetai dhe Izet Mexhiti janë bartës të këtij procesit dhe sipas tyre, ka disa muaj që ligji është në “fazën finale”.
Partneri shqiptar në koalicionin qeverisës, VLEN që nga ardhja në pushtet siguron se po punohet në ligj që do jetë më i mirë se “Balancuesi”, kurse kryeministri Hristijan Mickoski më 1 mars 2025 tha se ka gjasa që derisa t’i kalojë të gjitha ligji të vonojë edhe më shumë se një vit.
Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit “Balancues”, i cili deri tani ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk po mbahet llogari për përkatësinë etnike.
Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit.
- LEXO: Fetai i mban “top sekret” emrat e ekspertëve që punojnë në Ligjin për Përfaqësim të Drejtë, nuk përfillet as alarmi i Avokatit të Popullit
- LEXO: Derisa t’i kalojë të gjithë fazat, Ligji për përfaqësim të drejtë mund të vonojë edhe më shumë se një vit
- LEXO: FE me pyetje deri te VLEN: Ku mbeti ligji për përfaqësim të drejtë?