Ministria ia mori kompetencat kryetarit të komunës për çerdhen, reagoi Komuna e Vrapçishtit
Komuna e Vrapçishtit ka reaguar ndaj Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë në lidhje me kompetencat e Kryetarit të Komunës së Vrapçishtit rreth funksionimit të çerdhes, transmeton Portalb.mk. “Ky vendim është marrë në kundërshtim me normat ligjore pozitive dhe përbën ndërhyrje në kompetencat e përcaktuara me ligj të vetëqeverisjes lokale, respektivisht të Kryetarit të […]
Komuna e Vrapçishtit ka reaguar ndaj Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë në lidhje me kompetencat e Kryetarit të Komunës së Vrapçishtit rreth funksionimit të çerdhes, transmeton Portalb.mk.
“Ky vendim është marrë në kundërshtim me normat ligjore pozitive dhe përbën ndërhyrje në kompetencat e përcaktuara me ligj të vetëqeverisjes lokale, respektivisht të Kryetarit të Komunës”, reaguan nga Komuna e Vrapçishtit, duke paralajmëruar që do të ndjekin hapat për ‘të eliminuar këtë padrejtësi’.
Ata raportuan që MPSDR-ja i ka marrë kompetencat kryetarit Isen Shabani në lidhje me menaxhimin e institucionit parashkollor “Pranvera” në Vrapçsisht.
Nga ana tjetër, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë i hodhu poshtë në tërësi pohimet e kryetarit të komunës së Vrapçishtit, se kompetencat në pjesën e emërimit të ushtruesit të detyrës drejtor dhe drejtorit të institucionit parashkollor “Pranvera” – Vrapçisht, i janë hequr në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.
“Kryetarit të komunës iu dha një vërejtje se ushtruesi i detyrës drejtor në institucion nuk i plotëson kushtet për të qenë drejtor, prandaj ai duhej të emëronte një person të përshtatshëm për ushtrues detyre nga radhët e të punësuarve në institucion. Pavarësisht vërejtjes, kryetari i komunës, vetëm disa ditë pas shkarkimit të ushtruesit të detyrës drejtor, e emëroi përsëri të njëjtin person në këtë pozitë, duke shkelur kështu dispozitat e ligjit”, tha ministri Fatmir Limani.
Ai shtoi se emërimi i ushtruesit të detyrës drejtor dhe i drejtorit është një detyrim ligjor i tij si kryetar komune, të cilin, në këtë rast, nuk e ka respektuar.
Ai shtoi se në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe në interes të funksionimit të ligjshëm dhe të papenguar të institucionit parashkollor, Ministria ia hoqi kompetencat në pjesën e emërimit të ushtruesit të detyrës drejtor dhe të drejtorit të institucionit për një periudhë njëvjeçare, duke e shkarkuar ushtruesin e detyrës drejtor dhe duke emëruar një drejtor në përputhje me ligjin.