Mucunski në Bruksel: Negociatat e vendit me BE-në duhet të vazhdojnë pa vonesë të imponuar nga kërkesë bilaterale
Ne duhet të gjejmë një mënyrë që do të lejojë vazhdimin e negociatave me Bashkimin Evropian, pa vonesa të imponuara në bazë të një kërkese dypalëshe, tha ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në takimet e veçanta me disa eurodeputetë gjatë vizitës së tij të parë në Bruksel. Mucunski, siç […]
Ne duhet të gjejmë një mënyrë që do të lejojë vazhdimin e negociatave me Bashkimin Evropian, pa vonesa të imponuara në bazë të një kërkese dypalëshe, tha ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në takimet e veçanta me disa eurodeputetë gjatë vizitës së tij të parë në Bruksel. Mucunski, siç njofton MPJ, u takua me eurodeputetët David McAllister nga Partia Popullore Evropiane (EPP), Tineke Strik nga të Gjelbrit dhe me eurodeputetin bullgar Ilhan Kuçuk nga radhët e liberalëve, i cili në mandatin e kaluar ishte reporter i progresin e vendit në Parlamentin Evropian, transmeton Portalb.mk.
Në takime, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme theksoi bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e shkëlqyera me Parlamentin Evropian, me theks të veçantë në përfitimet e procesit të bashkëpunimit parlamentar “Jean Monnet”.
Ai, duke falënderuar për mbështetjen që i është dhënë vendit në procesin e anëtarësimit në BE, shprehu pritjen që ajo të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.
“Është e rëndësishme të ruhet dhe të forcohet narrative pozitive në Parlamentin Evropian për të ruajtur momentin e zgjerimit të BE-së dhe për t’i dhënë mbështetje të fortë vendit për anëtarësim në Union. Tani, për shkak të rrethanave të ndryshuara gjeostrategjike, vendet anëtare të BE-së duhet të investojnë më shumë në përshpejtimin e duhur të procesit të anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, bazuar në meritat dhe arritjet e secilit vend”, theksoi Mucunski.
Duke theksuar specifikat e dosjes së anëtarësimit të vendit, veçanërisht për sa i përket kohëzgjatjes dhe fazave të procesit gjatë 20 viteve të fundit, ministri vuri në dukje se është e nevojshme të ruhet besueshmëria e procesit, e cila do të kontribuojë në integrimin gradual përpara anëtarësimit.
Si një mjet të mirë për këtë, Mucunski tregoi Planin e Rritjes së BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe zbatimin e tij nga të gjitha palët e përfshira.
“Negociatat e anëtarësimit në BE janë mënyra më e mirë për të siguruar pakthyeshmërinë e reformës sociale dhe zhvillimit demokratik në vend, dhe ne duhet të gjejmë një mënyrë që do të lejojë vazhdimin e negociatave me BE-në, pa vonesa të imponuara në bazë të kërkese bilaterale”, Mucunski
Ndryshe, me fitoren e VMRO-së, përkatësisht formimin e qeverisë së re, ka filluar edhe tensionimi i raporteve midis Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë dhe Greqinë. Me Bullgarinë, për shkak se kryeministri Mickoski tha mund të ketë ndryshim të Kornizës negociuese, e cila u kritikua ashpër nga Sofja. Ndërsa tensionet me Greqinë nisën kur presidentja Gordana Siljanovska Davkova, gjatë betimit nuk përmendi emrin kushtetues të vendit, Maqedoni e Veriut, por e përmendi emrin e dikurshëm, Maqedoni.
Kujtojmë se vendi duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.