Trajanovski: Shpresoj që para Vitit të Ri, “Bechtel-Enka” të fillojë me ndërtimin e autostradave
Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski, thotë se shpreson që para ardhjes së Vitit të Ri, “Bechtel dhe Enka” të fillojë me ndërtimin e autostradave që janë pjesë e korridoreve 8 dhe 10. Ai thotë se para së gjithash duhet të përfundojë shpronësimi i nevojshëm dhe të dislokohen linja të caktuara elektrike […]
Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski, thotë se shpreson që para ardhjes së Vitit të Ri, “Bechtel dhe Enka” të fillojë me ndërtimin e autostradave që janë pjesë e korridoreve 8 dhe 10. Ai thotë se para së gjithash duhet të përfundojë shpronësimi i nevojshëm dhe të dislokohen linja të caktuara elektrike dhe telekomunikuese, në mënyrë që të fillojë ndërtimi, transmeton Portalb.mk.
Aktualisht, sqaron ai, po punohet intensivisht për shpronësimin e tokave për të cilat qeveria e mëparshme ka dhënë afate që të kryhen vitin e kaluar dhe mjetet për këtë qëllim janë përtej një miliard e treqind milionë eurove të planifikuara për ndërtimin e seksioneve.
“Është nënshkruar një marrëveshje e cila është specifike, e cila është bërë sipas një ligji të posaçëm dhe mendoj se, do të them sërish qeveria e kaluar, kanë vendosur afate për shpronësimin dhe dislokimin e linjave elektrike dhe telekomunikacionit që është kompetencë e Republikës së Maqedonisë dhe nuk i përkasin atyre miliardë e treqind milionëve, që duhet të përfundonin vitin e kaluar”, tha Trajanovski.
Trajanovski po ashtu tha se NPRrSh është duke e shqyrtuar problemin e banorëve të fshatit Oreovec të Prilepit, të cilët disa herë e kanë bllokuar rrugën afër Pletvarit për të penguar gërmimet e “Bechtel dhe Enka”, për shkak se, sipas tyre, minimi shkatërron statikën e shtëpive të tyre.
“Ne jemi duke e shqyrtuar këtë problem. E gjithë kjo është nga qeveria e kaluar, kështu që është një problem i trashëguar që duhet ta zgjidhim në të ardhmen”, tha Trajanovski.
Kujtojmë se në fillim të korrikut, ministrja e Financave e Maqedonisë së Veriut, Gordana Dimitrievska Koçoska tha se korridori 8 nuk është prioritet pasi nuk jep vlerë të shtuar.
Ministrja tha se nga ky projekt me buxhet të limituar dhe me mjete jo të mjaftueshme vendi nuk fiton vlerë të shtuar.
Më 8 mars 2023, Qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.
Projekti u zyrtarizua më 4 prill 2023 në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.
Më 22 prill 2023 u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D.
Ndërkaq më 1 qershor 2023 në Tetovë filluan aktivitetet punuese për korridorin 8.
Në lidhje me marrëveshjen për ndërtimin e këtyre korridoreve në opinion u ngrit alarmi për dyshime për keqpërodorime.