Mungesa e shtigjeve, çiklistët që lëvizin në Çair rrezikojnë jetët e tyre, Komuna shkeli premtimet (VIDEO)

Në mungesë të parkingjeve dhe pengesave mbi shtigjet e kalimtarëve dhe të biçikletave, veturat “uzurpojnë” trotuaret e Çairit, si për parkim të “përkohshëm”, e deri te lënie të përhershme të veturave mbi to. Jo rrallë herë një çairas është ballafaquar me sfida të ndryshme, që shkaktojnë veturat për kalimtarët. Duke filluar nga vonesat deri në […]

qershor 1, 2024 - 09:01
 0  6
Mungesa e shtigjeve, çiklistët që lëvizin në Çair rrezikojnë jetët e tyre, Komuna shkeli premtimet (VIDEO)
Çiklist në Çair. Foto nga Portalb.mk

Në mungesë të parkingjeve dhe pengesave mbi shtigjet e kalimtarëve dhe të biçikletave, veturat “uzurpojnë” trotuaret e Çairit, si për parkim të “përkohshëm”, e deri te lënie të përhershme të veturave mbi to. Jo rrallë herë një çairas është ballafaquar me sfida të ndryshme, që shkaktojnë veturat për kalimtarët. Duke filluar nga vonesat deri në destinacionet a oraret e paracaktuara, konfrontimet fizike a verbale, e duke përfunduar me rrezik jete, a vetë humbjen e jetëve, siç ndodhi vite më parë, shkruan Portalb.mk.

Mjetet më ekonomike dhe më ekologjike të transportit janë biçikletat dhe monopatinat. Megjithatë, mungesa e shtigjeve të biçikletave e cila e pengon kalimin e lirë, pamundëson shfrytëzimin e tyre nëpër rrugët e Çairit. Ata që marrin “guximin” të ngasin të njejtat, posaçërisht të rinjtë, thonë që mes tjerash, e bëjnë për shëndetin e tyre fizik.

“Unë jam gjithmonë për aktivitete fizike, qoftë ajo ecje në këmbë, a biçikletë, në vend të shfrytëzimit të transportit publik, krijimin e kolonave në trafik e ndotjen e ambientit. Siç e dimë, kemi problem të madh me ndotjen e ajrit. Shtigje të biçikletave diku ka, shumë prej vendeve tjera nuk kanë. Mendoj se janë të nevojshme, ngase gjithnjë e më shumë studentët duan të ngasin biçikleta dhe të jenë aktiv fizikisht, ashtu që, po duhet!” tha një studente.

Parkingjeve të premtuara në fushatë zgjedhore program, nuk u’a sheh themelet, e lëre më ndërtesat, ndërkaq zgjerimit të rrugëve ku përfshihen edhe shtigjet e biçikletave si ajo “Cvetan Dimov”, “Xhon Kenedi” dhe “Brigada Maqedonase Kosovare”, u janë shtuar pengesa shtesë, dhe zgjerimi nuk ka ndodhur.

Në rrugën “Cvetan Dimov” përpos që nuk është realizuar zgjerimi i rrugës, vëren ndërtime të reja, “uzurpim” i pronës publike dhe parkim i pa lejuar mbi shtigjet e kalimtarëve. Vendosja e blloqeve të betonit, të cilat nuk dhanë efektin e duhur, shkaktojnë vonesa gjatë kalimit në këtë rrugë, në veçanti me transportin publik.

Studentët dhe banorët që nuk jetojnë në Çair, njashtu ngurojnë të shfrytëzojnë mjete tjera transporti, ngase ndjehen të rrezikuar. Në mungesë të shtigjeve të biçikletave, duhet të kalojnë në trotuare a rrugë kryesore, kështu pengojnë këmbësorët, dhe qarkullimin e lirë të trafikut, madje rrezikojnë veten.

“Ka shumë pak shtigje biçikletash në qytet. Do të ishte rrezik për këmbësorët dhe për automjetet, madje për vetë ne, të  ngasim biçikleta në trotuar apo në rrugë. Na duhen më shumë shtigje biçikletash, definitivisht!” tha një studente që banon aty gjatë studimeve.

Për të vazhduar më tej drejtë rrugës “Xhon Kenedi”, rrugë lidhëse mes disa lagjeve vërejmë se trotuaret janë të pakalueshme, shpesh sheh nëna me fëmijë që dalin në rrugë, bashkë me të rinjtë mbi biçikleta a nxënësit që vijojnë mësimet në Shkolla e Mesme të Qytetit të Shkupit “Cvetan Dimov”. I freskët është kujtimi kur në prag të iftarit kur një fëmijë humbi jetën në po këtë rrugë.

Këtu takuam Nafie Selmanin, çikliste mjaftë aktive në Çair, që shfrytëzon këtë transport alternativ, për çdo nevojë të saj. Shpesh ajo tha se përballet me rrezik për jetë, por që është e detyruar ta shfrytëzoj biçikletën. Uzurpimi i trotuareve dhe kultura e komunikacionit janë dy sfidat e saj, megjithatë ajo duket e vendosur në këtë drejtim.

“Fatmirësisht nuk kam ndonjë përvojë që është rrezikuar jeta ime, mirëpo duke i ditur kushtet, gjegjësisht mos pasjen e kushteve për përdorimin e biçikletave, mungesa e trotuareve, ose aty ku ekzistojnë trotuaret janë të uzurpuara me vetura siç është ky trotuari këtu. Unë realisht jam e detyruar të ngas biçikletë, për të arritur te vendi i punës që kam diku 4-5km, shkuarje ardhje janë diku 10km, që realisht pjesën më të madhe të rrugës, biçikletën e ngas në rrugë kryesore, ndërsa nëse ia shtojmë këtu kulturën e ulët të komunikacionit të disa shoferëve, gjithsesi jo të gjithëve, rreziku bëhet edhe më i madh, mirëpo unë dhe secili çiklist, jemi të vendosur para dy zgjedhjeve, ta ndërpresim ngasjen e biçikletave e të përdorim veturat që i kemi ose ndonjë mjet tjetër transporti, ose të rrezikojmë jetët tona pak a shumë dhe të shkelim rregullat e komunikacionit sepse unë jam e vetëdijshme që nuk është e lejuar ngasja e biçikletës në rrugë kryesore, por jam e detyruar ta bëj këtë dhe do të vazhdoj ta bëj. Mua më vjen keq që situata është kjo që është, fatmirësisht më ka ruajtur Zoti deri në këtë moment dhe pas 3 viteve çiklizëm aktiv unë jam shëndosh dhe gjallë” tha për Portalb.mk, Nafie Selmani.

Aty pranë gjendet edhe rruga “Brigada Maqedonase Kosovare”, vend i preferuar i investimeve të fundit përfshi këtu edhe Universitetin Ballkanik dhe qendrat tregtare. Banorët e këtij rrethi që preferojnë të kalojnë kohën mbi biçikleta a qendrat tregtare, punonjësit që frekuentojnë këtë rrugë për të arritur deri tek kompanitë e hapura së fundmi, përfshirë edhe studentët e rregullt që vijojnë studimet pranë Universitetit Ballkanik, e kanë pothuajse të pamundur kalimin me biçikleta në këtë rrugë.

Pengesa për çiklist, Brigada Maqedonase-Kosovare. Foto nga Portalb.mk
Pengesa për çiklist, Brigada Maqedonase-Kosovare. Foto nga Portalb.mk

Pengesat në rrugë si veturat e mbetjet nga ndërtimet që zhvillohen në këto lagje, pengojnë qarkullimin e lirë, dhe të njëjtit detyrohen të kalojnë nëpër rrugët ku qarkullojnë veturat. Transporti publik drejtë këtyre lagjeve ngeli peng i mosmarrëveshjeve të Qytetit të Shkupit. Rrugët me gropa pengojnë trafikun, ndërsa transporti alternativ si biçikleta është sfidë në mungesë të shtigjeve.

“Mere biçikletën e shko në Çair, aty ku jetoj unë, do të biesh në 10 gropa. Nuk jam prej atyre që ndot ajrin, më falni. Nuk më duhet leje për biçikletë. Shteti duhet të më paguaj për këtë që shfrytëzoj biçikletë, ndërkaq ato nuk më kanë siguruar rrugë. Vetëm ta dini. Shkoni e shihni, nga te dyja anët nuk ka shtigje biçikletash. Këtu nuk ka.” tha një banor i Çairit.

E njëjtë është situata edhe në lagjen Shkup-Veri. U vendosën pengesa plastike dhe u krijua mbase një nga dy shtigjet e biçikletave që ekzistojnë në komunën e Çairit. Shihen disa nga pengesat a mbetjet plastike të vendosura aty që janë lënë në harresë nga punonjësit që i mirëmbajnë ato, megjithatë nuk përjashtohen veturat e parkuara që pengojnë qarkullimin e lirë me biçikleta. Çairasit madje janë skeptik, dhe mendojnë se problemi nuk do të zgjidhet.

“Shtigjet e biçikletave mungojnë. Problemi nuk do të zgjidhet kurrë!”, tha një qytetar.

Biçikletë, Shkup-Veri. Foto nga Portalb.mk
Biçikletë, Shkup-Veri. Foto nga Portalb.mk

Një fëmijë në Çair nuk mund të mësojë të ngasë biçikletë, një i ri që synon shëndet më të mirë fizik a menaxhim të resurseve nuk mund të mendojë për transport alternativ si biçikleta a monopatinat, një qytetar nuk mund të lëvizë lirshëm, për shkak infrastrukturës aktuale. Nuk mund as të paralajmërojë pengesat me zile nëpër shtigjet e biçikletave ekzistente, ngase has në vesh të shurdhur, a shkaktoj konflikt verbal e fizik. Poqë se zgjedh ta lajmëroj si rast, edhe intervenimi policor do vonohet për shkak të pengesave të lartë përmendura, ndaj i njëjti ngel pa zgjidhje.

Sa për krahasim, fqinjët tanë nga lagja “Debar Maallo” ku rrugët llogariten si dytësore, ato qarkullojnë lirshëm, me vende të ndara sipas rregullave. Parkingje të përkohshme me pagesë, shtigje për kalimtarë, dhe shtigje për biçikleta. Pavarësisht se në të njëjtën gjenden 2 institucione qeveritare, 3 shkolla dhe dhjetëra lokale nate, që janë të preferuarat e qytetarëve të Shkupit, çdo gjë aty funksionon sipas rregullave. Pa lënë të harrohet Bulevardi “Arradhat Partizane” ku qytetarët mund të kalojnë me biçikletë për një kohë relativisht të vogël, një distancë tejet të gjatë për nevojat e tyre.

Çiklist në arradhat partizane. Foto nga Portalb.mk
Çiklist në arradhat partizane. Foto nga Portalb.mk

çdo fushatë zgjedhore, hasim premtime infrastrukturore, si parkingje, rrugë të gjëra, shtigje kalimtarësh a biçikletash. Kryetarët vijnë e shkojnë, por, situata ngelet e njëjtë. Kështu, edhe këtë mandat, nëse e krahason programin zgjedhor lokal “Zgjidh jetë, voto blertë” nga kandidati i atëhershëm dhe kryetari aktual i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, vërehet se nuk është punuar në këtë drejtim.

Komuna nuk iu përgjigj kërkesës së Portalbit për koment në këto pyetje:

  • Në cilën fazë të realizimit janë përgatitjet e shtigjeve të biçikletave në Komunën e Çairit (pyetja bazohet te premtimi nga faqja 24, i programit zgjedhor lokal të vitit 2021, “Zgjidh jetë voto
    blertë”, nga kandidati dhe kryetari aktual i Komunës së Çairit, Visar  Ganiu, te kapitulli “Infrastruktura dhe rrugët në komunë”) dhe cili  është afati i realizimit përfundimtar?
  • Qytetarët ballafaqohen me mungesë të parkingjeve, dhe veturat e  parkuara në mënyrë jo të rregullt pengojnë qarkullimin e lirë të  qytetarëve, në shtigjet aktuale për biçikleta dhe transportin publik.  Në cilën fazë të realizimit projektet e parkingjeve (pyetja bazohet te  premtimi nga faqja 21, i programit zgjedhor lokal të vitit 2021,  “Zgjidh jetë voto blertë”, nga kandidati dhe kryetari aktual i Komunës  së Çairit, Visar Ganiu, te kapitulli “Infrastruktura dhe rrugët në komunë”) dhe cili është afati i realizimit përfundimtar?
    A do të paraqiten edhe në programet tjera zgjedhore premtimet e njëjta?

Çairi mes retrospektivës kulturore-historike dhe urbanizimit modern

Arkitekti Tesnim Etemi, njashtu çairas e profesor në ShMNGjQSh “Zdravko Cvetkovski”, duke dhënë një retrospektivë për qytetin e Shkupit dhe komunën e Çairit, vendos theks të veçantë mbi mbetjet kulturore-historike, si dhe rëndësinë e tyre, duke harmonizuar me ide konstruktive që do konservojnë të njëjtat dhe ofruar mundësi potenciale për qarkullim të lirë. Idenë e urbanizimit e lidh po ashtu edhe me ndërgjegjësimin dhe edukimin e të rinjve, duke krijuar një vetëdije të qytetarit të mirëfilltë.

“Çairi, me rrugët e tij të ngushta dhe kaosin urban, përballet me sfidën e integrimit të infrastrukturës për biçikleta. Parkimi i veturave në trotuare dhe hapësira publike të kufizuara janë pengesa kryesore. Megjithatë, me një planifikim të kujdesshëm dhe zbatimin e masave efektive, është e mundur të krijohen rrugë të sigurta dhe të përshtatshme për biçikleta duke harmonizuar nevojat e këmbësorëve dhe transportit publik” shprehet ai.

Integrimi i rrugëve për biçikleta në Çair është një hap i rëndësishëm drejt një mjedisi më të sigurt dhe më të qëndrueshëm. Me një plan të mirë hartuar dhe zbatim të kujdesshëm, është e mundur të krijohen hapësira që respektojnë dhe përmbushin nevojat e këmbësorëve, përdoruesve të biçikletave dhe transportit publik, duke e bërë Çairin një model të urbanizimit të suksesshëm dhe të qëndrueshëm.

Zgjidhjet e mundshme për kaosin në Çair, sipas Etemit:

  1. Riorganizimi i parkimit të veturave: Zonat e dedikuara për parkim: Krijimi i parkimeve të dedikuara jashtë rrugëve kryesore do të ndihmonte në lirimin e hapësirës për rrugët e biçikletave dhe trotuaret. Ky parkim mund të organizohet në hapësira të papërdorura ose në parkime me shumë kate.
    Politikat e parkimit: Vendosja e politikave strikte për parkimin në rrugë, përfshirë gjoba dhe zbatimin rigoroz të rregullave të parkimit, do të dekurajojë parkimin e paligjshëm dhe do të krijojë një mjedis më të sigurt për të gjithë.
  1. Krijimi i infrastrukturës për biçikleta: Shtigjet e biçikletave: Krijimi i shtigjeve të ndara dhe të sinjalizuara për biçikleta në rrugët kryesore të Çairit. Këto rrugë duhet të jenë të sigurta dhe të qasshme, duke përfshirë edhe shenjat e qarta për ndarjen e trafikut.
    Biçikleta Publike: Implementimi i një sistemi të biçikletave publike me stacione në pika kyçe të lagjes, që do të inkurajojë përdorimin e biçikletave dhe do të zvogëlojë varësinë nga makinat private.
  1. Përmirësimi i infrastrukturës për këmbësorë:
    Trotuare më të gjera: Zgjerimi i trotuareve për të siguruar hapësirë të mjaftueshme për këmbësorët dhe për të parandaluar parkimin e veturave mbi to.Kalimet për Këmbësorë: Vendosja e kalimeve të sigurta për këmbësorët në çdo kryqëzim dhe sinjalizimi i duhur për kalimet e biçikletave.
  1. Përmirësimi i transportit publik:
    Rrjet i dendur i autobusëve: Përmirësimi i frekuencës dhe mbulimit të linjave të autobusëve për të bërë transportin publik një alternativë më tërheqëse dhe të besueshme. Stacione të Reja: Vendosja e stacioneve të reja dhe moderne të autobusëve në zonat strategjike të Çairit për të lehtësuar qasjen dhe përdorimin e transportit publik.
  1. Ndërgjegjësimi dhe edukimi: Fushata ndërgjegjësimi: Organizimi i fushatave për ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi rëndësinë e përdorimit të biçikletave dhe respektimit të rregullave të trafikut për një mjedis më të sigurt dhe më të shëndetshëm. Edukimi i fëmijëve dhe të rinjve: Edukimi i fëmijëve dhe të rinjve në shkolla mbi përfitimet e përdorimit të biçikletave dhe rregullat e sigurisë rrugore.

Implementimi dhe monitorimi: Planifikimi dhe zbatimi i koordinuar: Qyteti i Shkupit duhet të bashkëpunojë me ekspertë urbanistikë, planifikues të trafikut dhe komunitetin lokal për të zhvilluar dhe zbatuar një plan të integruar. Monitorimi i vazhdimit: Një grup ekspertesh  i posaçëm për monitorimin e zbatimit të planit do të sigurojë që çdo masë të zbatohet me sukses dhe të bëhen përmirësime të vazhdueshme bazuar në feedback-un dhe nevojat e njerëzve.