Muzikë dhe urrejtje: Si një këngë shqipe shkaktoi tensione etnike në një festë studentore në Shkup
Një festë studentore në Shkup në pranverë shkaktoi polemika dhe gjuhë urrejtjeje në rrjetet sociale për shkak se kah fundi i saj u lëshua një këngë në gjuhën shqipe. Pavarësisht natyrës gjithëpërfshirëse të organizatës, e cila ka anëtarë me origjinë të ndryshme etnike, grupi nacionalist i quajtur “Patriotsko Drushtvo” në Instagram, i cili prezantohet si […]
Një festë studentore në Shkup në pranverë shkaktoi polemika dhe gjuhë urrejtjeje në rrjetet sociale për shkak se kah fundi i saj u lëshua një këngë në gjuhën shqipe. Pavarësisht natyrës gjithëpërfshirëse të organizatës, e cila ka anëtarë me origjinë të ndryshme etnike, grupi nacionalist i quajtur “Patriotsko Drushtvo” në Instagram, i cili prezantohet si “grup i patriotëve ambicioz plot me entuziazëm”, e kritikoi lëshimin e këngës në gjuhën shqipe, gjë që ndezi gjuhë urrejtjeje ndaj organizatës studentore, shkruan Portalb.mk.
Autore: Despina Kovaçevska
Agjenës së kujt i pengon bashkimi i studentëve dhe si nacionalizmi i maskuar si “patriotizëm” vazhdon ta ushqejë urrejtjen dhe diskriminimin etnik?
Çfarë ndodhi në të vërtetë në festën studentore?
Në lidhje me festën në fjalë ne biseduam me nënkryetarin e Parlamentit Studentor Universitar të UKM-së, Aleksandar Ristoski, dhe ombudsmanin e studentëve, Savçe Gjosheva. Si pjesë e organizatorëve të ngjarjes ata na treguan se çfarë kishte ndodhur atë mbrëmje dhe hedhin dyshime mbi qëllimet e personave që e kanë regjistruar qëllimisht vetëm këngën në gjuhën shqipe, e jo edhe këngët e tjera që janë lëshuar në atë festë.
Në këtë aktivitet disaorësh u mbajtën leksione për vallëzimeve latine, ndërsa pas përfundimit të pjesës zyrtare studentët u argëtuan me një laramani muzikore.
Të nesërmen në rrjetin social Instagram grupi i ashtuquajtur “Shoqëria Patriotike” postoi një video të festës, në të cilën dëgjohet një këngë në gjuhën shqipe, e shoqëruar me tekstin “Ja çfarë ndodh në Parlamentin Studentor Universitar” dhe një flamur shqiptar.
“Me Parlamentin Studentor Universitar organizuam një festë ku ishin të ftuar më shumë studentë dhe atë natë ishte e planifikuar të dëgjonim muzikë kryesisht latine dhe dëgjuam kryesisht muzikë latine sepse koncepti ishte vallëzimi latin, por kah fundi i mbrëmjes ne lëshuam edhe shumë këngë në gjuhën maqedonase, serbe, shqipe, madje edhe këngë turke”, tha Ristoski.
“Parlamenti Studentor Universitar nuk përbëhet vetëm nga maqedonasit, por edhe nga bashkësitë e tjera etnike, kështu që, për t’i plotësuar dëshirat dhe për t’u argëtuar me shokët tanë, ndodhi edhe kjo. Kjo gjë nuk duhet dënuar, sepse këngët e tilla shërbejnë thjesht për ta relaksuar atmosferën dhe për ta shtuar argëtimin”, sqaron Gjosheva.
Parlamenti Studentor Universitar në UKM postoi një video me reagim në të cilin e dënon veprimin e grupit nacionalist, duke thënë se postime të tilla vetëm sa e nxisin intolerancën etnike.
“Si qytetarë akademikë ne duhet ta dënojmë këtë veprim dhe çdo veprim tjetër që do të promovojë intolerancë dhe diskriminim mbi bazë etnike. Ne qëndrojmë para jush me idenë që në këtë vend jetojmë të gjithë bashkë”, thuhet në videon e PSU UKM, nën të cilën sërish u radhitën komente negative plot me gjuhë të urrejtjes.
Gjosheva dhe Ristoski thonë se janë befasuar nga reagimet që kanë pasuar nga grupi në Instagram, pasi më parë nuk kanë pasur incidente të ngjashme– ky është rasti i parë i tillë me të cilin po përballen.
“Nuk jemi përballur me një incident të tillë më parë dhe po, është e vërtetë që Parlamenti Studentor Universitar dhe i gjithë komuniteti akademik përbëhet nga komunitete të ndryshme etnike dhe mendoj se komente dhe incidente të tilla nuk i shërbejnë të mirës së përgjithshme dhe zhvillimit të një komunikimi më të lehtë mes bashkësive etnike, por përkundrazi, vetëm sa na largojnë”, thotë Gjosheva.
Nënkryetari i Parlamentit Studentor Universitar, Ristoski, beson se në të ardhmen nuk do të ketë ndonjë problem, sepse thotë se brenda organizatës nuk kanë probleme etnike, por kanë një bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Megjithatë, ai shprehu shqetësimin e tij për atë se si ky rast mund të ndikojë tek anëtarët e Parlamentit nga bashkësitë e tjera etnike.
“Ky është problemi im më i madh dhe më vjen keq që ata ndihen kështu. Dhe ne bëjmë gjithçka që ata të ndihen mirë dhe ta dinë se të paktën ne jemi këtu për ata, jemi miq dhe se komentet negative nuk janë një opinion i përgjithshëm, por thjesht i individëve apo disa përjashtimeve”, thotë Ristoski.
Çfarë ndikimi ka gjuha e urrejtjes te personi ndaj të cilit drejtohet?
Dr. Bllagica Rizoska Vaniq është trajnuese Gestalt, terapiste, supervizore dhe profesoreshë e praktikës klinike në Universitetin American College në Shkup. Ajo është e mendimit se hapësira mediatike, e sidomos interneti dhe rrjetet sociale, mundësojnë përhapjen e urrejtjes, para së gjithash për faktin se njerëzit që komentojnë “nga tastiera” në një farë mënyre nuk e kanë ndjenjën e përgjegjësisë se po bëjnë diçka reale.
“Megjithatë, nga ana tjetër, ai që i përjeton komentet negative, i përjeton shumë realisht dhe këtu qëndron rreziku. Po, mediumi do ta përcjellë atë material, por ai që e përjeton, e përjeton shumë personalisht, shumë thellë dhe ato ndjenja janë shumë reale. Është njësoj sikur dikush ta kërcënojë ose ta nënvlerësojë, ta ofendojë para publikut dhe në një farë mënyre pasojat i vuan viktima e rastit apo ai që nuk ka gjetur mekanizëm për ta mbrojtur veten”, thotë Prof. Dr. Rizoska Vaniq.
Një nga organizatorët e festës ishte edhe ombudsmani i studentëve Gjosheva, e cila për këtë arsye u përball me një numër të madh të komenteve negative në rrjetet sociale, përfshirë këtu edhe gjuhë të urrejtjes. Ajo na tregoi se si e bëri të ndjehej ky sulm.
“Nuk më ngjalli një ndjenjë të mirë, u ndjeva si shënjestër dhe si ja, dikush po të pështyn pa të njohur dhe pa ditur se çfarë vlerash ke. Fillimisht më dukej e çuditshme se pse dikush e bën një gjë të tillë, por pastaj e kuptova, meqë kishte më shumë komente, se ata u bashkuan me të njëjtin qëllim, që të shpifin, të provokojnë dhe të shajnë”, tha Gjosheva.
Polarizimi si pasojë e gjuhës së urrejtjes
Profesoresha Rizoska Vaniq është e mendimit se kur përballemi me një vendim lidhur me atë nëse duhet të mbështetemi në perceptimin tonë, i cili na thotë se ne mund të vendosim dhe të krijojmë një marrëdhënie me dikë që ka një kombësi të ndryshme ose një prejardhje të ndryshme etnike – nga njëra anë është perceptimi ynë se një gjë e tillë është e mundur, ndërsa nga ana tjetër është konflikti me një grup të cilit ne i përkasim dhe që thotë se “nuk është ashtu”.
Në një rast të këtillë, krijohet një përçarje dhe polarizim tek vetë personin në lidhje me atë se çfarë është e vërtetë – ajo që personi e ndjen dhe e përjeton, apo ajo që ia thekson dhe ia thotë vazhdimisht grupi ku përket.
“Nuk mendoj se dikush urren për shkak të përkatësisë kombëtare, fesë apo ngjyrës së lëkurës. Ne me sa duket urrejmë për shkak të disa karakteristikave që dikush i ka, edhe pse sfondi është i ndryshëm dhe zakonisht përfundon tek bindjet me të cilat jemi rritur dhe bindjet që i kemi për atë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, kush bën mirë dhe kush bën keq”, thotë Prof. Dr. Rizoska Vaniq.
Çfarë nënkuptojmë me gjuhë të urrejtjes?
Gjuhë e urrejtjes është çdo formë e të shprehurit që nxit diskriminim, armiqësi ose dhunë kundër një personi ose grupi për shkak të racës, fesë, përkatësisë etnike, gjinisë ose faktorëve të tjerë. Ajo mund të manifestohet në forma të ndryshme, si fyerje, shaka ofenduese, kërcënime, stereotipe ose gjuhë dehumanizuese. Gjuha e urrejtjes përshkallëzohet në përhapje të frikës, nxitje të dhunës dhe nxitje të një klime diskriminimi dhe armiqësie. Megjithatë, ende nuk ka një definicion universal për gjuhën e urrejtjes sipas Ligjit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut.