Naim Murseli në Psikiatri? – Deklarohet avokatja e tij
Mëngjesin e sotëm u raportua se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj, është dërguar në Klinikën e Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Tutje po raportohet se se ai është dërguar në Klinikën e Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Lidhur me këto raportime, Gazeta Insajderi […]


Mëngjesin e sotëm u raportua se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj, është dërguar në Klinikën e Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Tutje po raportohet se se ai është dërguar në Klinikën e Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Lidhur me këto raportime, Gazeta Insajderi ka kontaktuar me avokaten e Naim Murselit, Teuta Zhinipotoku.
Ajo shkurt tha se nuk është e njoftuar për ndonjë transferim të Naim Murselit në Klinikën e Neurologjisë.
“Nuk kam qenë e njoftuar për ndonjë transferim të klientit tim, z. Naim Murseli, në Klinikën e Neurologjisë për ekzaminim sot. Nëse do të ketë ndonjë informacion zyrtar apo zhvillim për t’u konfirmuar, do të ju njoftojmë me kohë”.
Theksojmë se Naim Murseli, i dyshuari kryesor për vrasjen e Liridona Ademajt, u deklarua i pafajshëm.
Pos tjerash, ai ka thënë se nëse vërtetohen pretendimet e Prokurorisë, ai vetë do të kërkojë dënim të përjetshëm për veten, shkruan Insajderi.
Me 4 qershor në Gjykatë u pranua kërkesa e Avokates se Naim Murselit, Teuta Zhinipotoku, që klientit të saj t’i bëhet ekzaminim i statusit mendor.
Ajo shtoi se ky ekzaminim është thelbësor për të vlerësuar nëse Murseli është në gjendje të ndjekë rrjedhën e shqyrtimeve gjyqësore dhe të konsultohet me avokatët e tij.
“Konsiderojmë se kur të arrihet sigurimi i kësaj prove, që do ta realizojë grupi i ekspertëve pranë QKUK-së dhe Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, atëherë në varësi të gjetjeve, të vazhdohet me procesin gjyqësor”, theksoi avokatja, duke shtuar se “ky proces kërkon maturi dhe paanshmëri, dhe pala mbrojtëse nuk kërkon trajtim të veçantë”.
