Ndërtimet e reja pa leje e rrezikojnë Studençishko Bllaton, UNESCO sërish me paralajmërim se trashëgimia e Ohrit është në rrezik

Pesë ndërtime të reja pa leje janë ndërtuar në më pak se dy vjet në zonën e Studençishko Bllatos, për të cilën ka vendim për mbrojtje të përkohshme. Për momentin edhe dy objekte të tjera po ndërtohen pa ndërprerje, edhe pse vitin e kaluar organizata civile Front 21/42 e ka raportuar rastin në pesë inspektorate […]

dhjetor 5, 2024 - 09:00
 0  4
Ndërtimet e reja pa leje e rrezikojnë Studençishko Bllaton, UNESCO sërish me paralajmërim se trashëgimia e Ohrit është në rrezik
Ndërtimet e reja pa leje në Studençishko Bllato. Foto: Front 21/42

Pesë ndërtime të reja pa leje janë ndërtuar në më pak se dy vjet në zonën e Studençishko Bllatos, për të cilën ka vendim për mbrojtje të përkohshme. Për momentin edhe dy objekte të tjera po ndërtohen pa ndërprerje, edhe pse vitin e kaluar organizata civile Front 21/42 e ka raportuar rastin në pesë inspektorate shtetërore dhe lokale. Nga kjo organizatë akuzojnë se edhe toka është transformuar në mënyrë të paligjshme, kështu që nga toka shtetërore dhe bujqësore parcelat janë kthyer në parcela private dhe ndërtimore, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Aktivitetet e paligjshme ndërtimore në Studençishko Bllato janë identifikuar në prill të vitit 2023, pas çka është alarmuar Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor dhe Inspektori Komunal i Ndërtimit, e më pas Këshilli Inspektues, Inspektorati Shtetëror Administrativ dhe Ndërtimor si dhe inspektorët lokalë nga Ohri. Nga Front 21/42 thonë se asnjë inspektorat nuk i ka zbatuar në mënyrën e duhur detyrimet ligjore, ndërsa nga shtatë procedura të gjashtë inspektorëve shtetërorë dhe dy lokalë për shkelje të disa ligjeve relevante dhe për një sërë veprash penale është përgatitur një vendim vetëm për një mbikëqyrje, por nuk është bërë asnjë mbikëqyrje kontrolluese, madje as edhe pas raportimit se gjendja në terren ishte përkeqësuar.

“Rezultati i gjithë kësaj ishte ngritja e pandërprerë e një kompleksi të ri urban në kuadër të Bllatos. Në vend që të hiqen në korrik të këtij viti u përfunduan pesë ndërtime pa leje, dy janë në ndërtim e sipër, me bazë për urbanizim të mëtejshëm. Falë moszbatimit të detyrës zyrtare nga ana e inspektorëve po përshkallëzohet degradimi i një nga nëntë pikat e nxehta më të rëndësishme për biodiversitetin e liqenit të Ohrit dhe e gjithë kjo në dobi financiare të autorëve të veprave penale”, thotë Iskra Stojkovska nga Front 21/42.

Ekologjistët thonë se toka është privatizuar në mënyrë të paligjshme falë personave përgjegjës nga Ministria e Financave dhe Avokatit të Shtetit. Parcelat me ndërtimet pa leje së bashku me parcelat e tjera përreth janë privatizuar si tokë ndërtimore në pronë shtetërore, ndërkohë që në realitet gjithmonë kanë qenë tokë bujqësore. Privatizimi është kryer nga persona përgjegjës të Drejtorisë për çështje pronësore dhe juridike në Ministrinë e Financave, të cilët kanë lëshuar Vendime për privatizimin e tokës ndërtimore për të cilën e dinin se është bujqësore dhe për të cilën nuk kanë pasur kompetencë të veprojnë, ndërsa privatizimi është bërë pa asnjë kompensim.

Ekologjistët thonë se në të gjithë këtë proces janë përfshirë edhe persona nga e njëjta ministri, ndërsa vendimet e paligjshme për privatizimin e tokës bujqësore shtetërore kanë marrë formë të prerë për shkak se Avokati i Popullit nuk ka ndërmarrë asnjë masë.

Për rastin e ndërtimeve pa leje dhe parcelave të privatizuara joligjërisht në Studençishko Bllato Front 21/42 ka dorëzuar kallëzime në Prokurorinë Themelore Publike për Krim të Organizuar, Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, kallëzime penale ndaj individëve të caktuar dhe njoftim pranë Këshillit inspektues.

“Mbetet të shihet nëse ndonjë nga këto raportime do të rezultojë me heqjen e ndërtimeve pa leje dhe anulimin e vendimeve të paligjshme për privatizimin e tokës”. Deri më tani përvoja na tregon se e vetmja mënyrë që të paktën të ngadalësohet shkatërrimi i pasurisë më të vlefshme natyrore dhe kulturore në vend është përmes komunitetit ndërkombëtar”, theksojnë nga Front 21/24.

Falë rastit para Konventës së Bernës u ndalua miratimi i propozimit për Ligjin për shpalljen e Studençisko Bllato për park natyror, i cili ndër të tjera u dha përparësi ligjore pronarëve të këtyre pronave të privatizuara ilegalisht me ndërtime pa leje të drejtën për të marrë pjesë në përcaktimin e aktiviteteve të lejuara në zonën në të cilën ndodhen objektet e tyre.

Dje në Strasburg Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës shqyrtoi batimin e rekomandimeve për çështjen e hapur për kërcënimet ndaj Liqenit të Ohrit dhe Parkut Kombëtar të Galiçicës. Nga Front 21/42 theksojnë se në vitin e kaluar shteti jo vetëm që nuk ka zbatuar asnjë nga 15 rekomandimet, por për katër prej tyre gjendja është edhe më e rëndë.

Javën e kaluar edhe Qendra e Trashëgimisë Botërore e publikoi Raportin e misionit të UNESCO-s nga viti 2024, në të cilin për të tretën herë ekspertët konkludojnë se Rajoni i Ohrit i përmbush kriteret për Trashëgimi Botërore në Rrezik. Ndërhyrjet joadekuate, urbanizimi, planifikimi joadekuat hapësinor, projektet infrastrukturore shkaktojnë dëme ireverzibile për shkak të të cilave Rajoni i Ohrit mund ta humbasë vlerën e tij të jashtëzakonshme universale në një periudhë afatshkurtër edhe afatmesme.