Ndryshoi orari për ndeshjet e fundit në Ligën e Parë në futbollin e Maqedonisë së Veriut

Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) ka ndryshuar oraret e ndeshjeve të kësaj jave në Ligën e Parë dhe Ligën e Dytë në futboll, për shkak se finalja e Kupës do të jetë afër, transmeton Portalb.mk. “Për shkak ndeshjes finale nga Kupa e Maqedonisë që do të luhet më 21 maj, Komisioni për ndeshje pranë […]

maj 13, 2025 - 20:00
 0  4
Ndryshoi orari për ndeshjet e fundit në Ligën e Parë në futbollin e Maqedonisë së Veriut
Stadiumi i futbollit në Shkup. Foto nga Faton Curri / Portalb.mk

Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) ka ndryshuar oraret e ndeshjeve të kësaj jave në Ligën e Parë dhe Ligën e Dytë në futboll, për shkak se finalja e Kupës do të jetë afër, transmeton Portalb.mk.

“Për shkak ndeshjes finale nga Kupa e Maqedonisë që do të luhet më 21 maj, Komisioni për ndeshje pranë FFM-së ka marrë vendim për ndryshimin e terminit për ndeshjet e javës së fundit në Ligën Parë dhe të Dytë në Maqedoni”, njoftoi Federata.

Ndeshjet e Ligës së Parë do të luhen të shtunën më 17 maj (17:00), ndërsa ndeshjet e javës së fundit në Ligën e Dytë do të luhen më 18 maj (17:00).

Për shkak largimit të Voska Sportit dhe Gostivarit, dy ndeshjet e parapara për këtë javë, Voska – Shkup dhe Vardar – Gostivar nuk do të luhen.

Më 7 maj, me fitoren kundër Rabotniçkit, Shkëndija siguroi pikët për t’u shpallur kampion në Ligën e Parë në futbollin e Maqedonisë së Veriut.

Kampioni i Ligës së Parë në sezonin 2023/24 në Maqedoninë e Veriut u shpall Struga Trim&Lum, pasi në javët e fundit u zhvillua një garë e ngushtë së bashku me Shkëndijën dhe Shkupin.

Në kuadër të Kupës së Maqedonisë, Struga në finale do të luan kundër Vardarit. Ndeshja do të luhet në Arenën Nacionale “Todor Proeski” më 21 maj. Në vitin 2024 në garën për Kupën e Maqedonisë, Tikveshi në finale ka fituar kundër ekipit të Voska Sportit.