Premtimet për kthimin e të rinjve në RMV ende në mërgim, nuk ka plan konkret pavarësisht paralajmërimeve

Hartimi i planit për kthimin e të rinjve në Maqedoninë e Veriut dhe për tu ofruar atyre kushte të favorshme vazhdon të mbetet vetëm deklaratë e ministrit të Rinisë Fatmir Limani. Edhe pse kanë kaluar pesë muaj që nga paralajmërimi i këtij plani, nga Ministria nuk tregojnë nëse dhe kur do të jetë gati i […]

Jan 26, 2025 - 09:00
 0  5
Premtimet për kthimin e të rinjve në RMV ende në mërgim, nuk ka plan konkret pavarësisht paralajmërimeve
Foto e krijuar me Inteligjencë Artificiale në Bing dhe Canva

Hartimi i planit për kthimin e të rinjve në Maqedoninë e Veriut dhe për tu ofruar atyre kushte të favorshme vazhdon të mbetet vetëm deklaratë e ministrit të Rinisë Fatmir Limani. Edhe pse kanë kaluar pesë muaj që nga paralajmërimi i këtij plani, nga Ministria nuk tregojnë nëse dhe kur do të jetë gati i njëjti, shkruan Portalb.mk. 

Në gusht të vitit 2024 në një deklaratë për Portalb.mk, ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Fatmir Limani deklaroi se janë duke hartuar një plan për kthimin e të rinjve në vendlindjen e tyre dhe duke u ofruar kushte të favorshme. 

“Kemi ndërmarrë një analizë të thelluar mbi largimin masiv të të rinjve nga vendi… Ne jemi të angazhuar të ndryshojmë këtë situatë dhe të rikthejmë besimin e të rinjve tek institucionet tona”, pati thënë Limani.

Por sot që kanë kaluar pesë muaj që atëherë, nga Ministria e Politikës Sociale nuk tregojnë detaje konkrete nëse është hartuar ky plan dhe kur do të jetë gati.

Nga ministria përmes një përgjigjeje theksuan se do të vazhdojnë të punojnë për t’i motivuar të rinjtë të kthehen në RMV. 

Ministria e Politikës Sociale, Demografi dhe Rini thotë se janë duke punuar ende mbi zhvillimin e politikës demografike me fokus te të rinjtë. 

“Ministria vazhdon të punojë me përkushtim për realizimin me përkushtim në drejtim të realizimit të prioriteteve strategjike të kësaj Qeverie të cilat janë përcaktuar në vendimin për përcaktimin e prioriteteve strategjike të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë periudhës 2024 – 2028. Për realizimin e prioriteteve strategjike në sektorin rinor janë vendosur disa synime: përmirësimi i infrastrukturës rinore, organizimi dhe përfshirja e të rinjve në vendimmarrje dhe politika. Gjithashtu, zhvillimi i politikës demografike me fokus te të rinjtë, nxitja e migrimeve të kthimit, mbështetja dhe mbrojtja e familjeve dhe përmirësimi i sistemit në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, me synim të zbutjes së tendencave negative demografike”, thanë nga Ministria e Politikës Sociale. 

Mes tjerash theksuan se Strategjia Kombëtare për Rini 2023 – 2027 dhe Plani i Veprimit 2023 – 2025 janë ende të vlefshme, dhe vazhdojnë me zbatimin e Planit të Veprimit si dhe fillimin e punës për një Plan të ri të Veprimit 2026 – 2027. 

Ministria përmendi edhe disa aktivitete tjera por duke mos u përgjigjur konkretisht për hartimin e paralajmëruar të planit për kthimin e të rinjve në vendlindje. 

Kujtojmë që analiza e Portalb.mk në vitin 2024 tregoi se të rinjtë largohen në masë të madhe nga vendi për jetesë më të mirë, ndërsa shumë të rinj të tjerë kanë në plan të braktisin vendin. Papunësia, korrupsioni, politizimi, nepotizmi dhe standardi i ulët i jetesës janë vetëm disa nga arsyet që shtyjnë të rinjtë të marrin këtë vendim.