Në RMV është përgatitur udhëzues për mësimdhënësit lidhur me sfidat e nxënësve në rrjetet sociale
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, informoi se është përgatitur udhëzues për mësimdhënësit në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme lidhur me sfidat me të cilat ballafaqohen nxënësit në rrjetet sociale, veçanërisht në rrjetin social Tik-Tok. Udhëzimi, siç tha ai, është ndarë me shërbimin pedagogjik në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe janë zhvilluar […]
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, informoi se është përgatitur udhëzues për mësimdhënësit në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme lidhur me sfidat me të cilat ballafaqohen nxënësit në rrjetet sociale, veçanërisht në rrjetin social Tik-Tok. Udhëzimi, siç tha ai, është ndarë me shërbimin pedagogjik në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe janë zhvilluar disa takime me përfaqësues të Ministrisë, transmeton Portalb.mk.
“Ky udhëzues do t’u drejtohet të gjithë mësuesve në të gjitha shkollat, për të folur me fëmijët për sfidën që ndodh me rrjetet sociale, sepse këto janë mjete me mundësi të pakufizuara, por fatkeqësisht asnjëri prej nesh nuk është trajnuar ndonjëherë se si t’i përdorë ato siç duhet. Këtu e filluam udhëzimin dhe do ta postojmë në faqen tonë të internetit, nëse nuk është postuar tashmë, ka gjithashtu një kod QR në të që ju çon në ueb-faqe të dobishme ose mjetet që prindërit mund të përdorin për të kufizuar qasjen për secilin prej fëmijëve, që do të thotë se mund të kufizojnë ueb-faqet apo aplikacionet specifike në familje, nuk mund të shkarkohen apo përdoren”, tha Andonovski në konferencën e sotme për media.
Ky, sipas ministrit, është hapi i parë. Hapi i dytë, tha ai, është krijimi i një qendre për internet më të sigurt që do të sigurojë më tej burime dhe ndihmë për fëmijët. Andonovski pret që kjo qendër të themelohet deri në fund të vitit dhe aktualisht, siç tha ai, është duke u bërë studimi i fizibilitetit.
Masa e tretë dhe sipas Andonovskit, jo aq popullore, është ndalimi i plotë i këtyre aplikacioneve. Ministri thotë se ai personalisht është kundër shkeljes së neutralitetit të rrjetit dhe mbajtjes së anës në ndalimin e aplikacioneve. Ai vlerëson se në këtë mënyrë ka shumë gjasa që fëmijët të kalojnë në një rrjet tjetër.
“Shteti nuk duhet të jetë ai që do të ndalojë vazhdimisht aplikacionet dhe në këtë mënyrë do të shkelë parimet demokratike të shoqërisë, por nëse vërejmë se masat që po marrim tani nuk janë të mjaftueshme, sigurisht që mund ta mbajmë të drejtën me disa ndryshime në ligjin për Komunikime Elektronike të marrim edhe të tilla masa”, tha ministrja e Transformimit Digjital.
Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut së fundmi u ngrit alarmi për rrjetin TikTok nga lëndimet që u shkaktuan te fëmijët në sfidën e ashtuquajtur “Supermen”, por ministri i Digjitalizimit, Stefan Andonovski deklaroi se Qeveria nuk planifikon ta kufizojë përdorimin e TikTokut. Një nismë e ngjashme për kufizim të TikTokut në RMV u propozua edhe në vitin 2023, por nuk u bë asgjë konkrete ndërsa e njëjta mbeti në harresë.
Nga sfidat e TikTokut në RMV janë regjistruar disa raste me dëme te të rinjtë.
Gjatë vitit 2022 një vajzë në moshë të re pësoi djegie nga rryma pasi ishte ngjitur në një vagon për të bërë foto dhe i njëjti u shkëput dhe iu afrua rrjetit elektrik.
Alarmi në 2022 u ngrit edhe për sfidën e TikTokut ku të rinjtë shtriheshin në rrugë dhe prisnin derisa t’ju afrohej automjeti i parë dhe më pas të ikin.
Portalb.mk ka trajtuar tashmë përdorimin e rrjeteve sociale nga ana e të rinjve në vend. Sipas ekspertëve, depresioni dhe anksioziteti i të rinjve vjen nga keqpërdorimi i rrjeteve sociale.