Në Teatrin e Tetovës së shpejti do të jepet premiera e “Anatomia e Revolucionit”, ja çfarë e pret publikun periudhën në vijim

Teatri i Tetovës pritet të ketë agjendë të ngjeshur për sa i përket programit që do të shfaqë në periudhën në vijim. Në proces përgatitjeje tashmë është shfaqja “Anatomia e revolucionit” bazuar në veprën “13” të Mike Bartlet, nën regji të Butrint Pashës, shkruan Portalb.mk. Drejtori i Teatrit të Tetovës, Hasim Memishi, për Portalb.mk tha se kanë […]

Prill 21, 2025 - 08:00
 0  4
Në Teatrin e Tetovës së shpejti do të jepet premiera e “Anatomia e Revolucionit”, ja çfarë e pret publikun periudhën në vijim
Teatri i Tetovës - Biletaria. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Teatri i Tetovës pritet të ketë agjendë të ngjeshur për sa i përket programit që do të shfaqë në periudhën në vijim. Në proces përgatitjeje tashmë është shfaqja “Anatomia e revolucionit” bazuar në veprën “13” të Mike Bartlet, nën regji të Butrint Pashës, shkruan Portalb.mk.

Drejtori i Teatrit të Tetovës, Hasim Memishi, për Portalb.mk tha se kanë paraparë aktivitete të shumta për këtë vit.

“Projektet që i kemi paraparë për këtë vit janë “Anatomia e Revolucionit” bazuar në veprën “13” të Mike Bartlet me regji të Butrint Pashës, dhe “Marat sade” me regji të Afërdita Nuhiut. “Skena nga familja (jo) bashkëkohore me regji të Marjan Georgieski, gjithashtu kemi edicionin e dhjetë të Festivalit të Teatrit dhe dy shfaqje tjera që do të finansohen nga Komuna e Tetovës, njëra për të rinj dhe tjetra për fëmijë, për të cilat jemi duke punuar për përzgjedhjen e teksteve dhe të regjisorëve. Kemi filluar me provat e shfaqjes “Anatomia e revolucionit” me të cilën presim të hapim sezonin teatror për këtë vit”, tha Memishi.

Fotografi nga provat. Foto: Teatrit të Tetovës (Facebook)
Fotografi nga provat. Foto: Teatrit të Tetovës (Facebook)

Memishi theksoi se Teatri i Tetovës ka publik të konsoliduar dhe vizitohet në masë të madhe nga qytetarët, duke potencuar se kjo ndodh sidomos në premiera dhe në reprizat e para të shfaqjeve.

Memishi gjithashtu deklaroi se me shfaqje për fëmijë synojnë ta përmbyllin vitin kalendarik.

“Do të ketë edhe shfaqje për fëmijë, me të cilën synojmë të përmbyllim vitin kalendarik”, tha Memishi.

Memishi tha se shfaqja “Anatomia e revolucionit” pritet që premierën ta ketë në fillim të qershorit.

“Vepra “Anatomia e revolucionit” flet për protestat dhe revolucionin, ngacmon publikun për të protestuar dhe për të bërë revolucion”, tha Memishi.

Regjisori nga Kosova, Butrint Pasha për Portalb tha se kjo shfaqje ka për synim të motivojë secilin shikues të mos besojë në mrekulli, por të gjejë heroin brenda vetës, dhe tu ringjallet gjykimi kritik vetanak.

“Me kënaqësi të veçantë kam zgjedhur të punoj këtë shfaqje në Teatrin e Tetovës, një vepër që e kisha ndër vite në sirtar, pasi që konsideroj që ky qytet e ka të njohur protestën dhe konsideroj që më shumë se kurrë më parë e ka të nevojshme që ta thërras prapë. Motivi për të bërë këtë shfaqje vie nga një thënie e Frojdit: “Rritja ndodh prej çlirimit”. Jodomosdoshmërisht protesta nënkupton kaos, apo mosbindje, por një nevojë për ndryshim”, tha Pasha.

Ai shtoi se shoqërisë shqiptare në përgjithësi i janë pakësuar heronjtë, ata persona që dikur ishin në krye të kauzave të mëdha, kundër shtypjes dhe padrejtësive.

“Por sot, në liri të plotë të vendimmarrjes ndaj mirëqenies tonë, hezitojmë dhe zgjedhim heshtjen në mjegullën e pakënaqësisë. Kjo shfaqje ka për synim të motivoj secilin shikues të mos besoj në mrekulli, por të gjej heroin brenda vetës, dhe tu ringjalljet gjykimi kritik vetanak”, tha Pasha.

Pasha gjithashtu potencoi se revolucionet kanë shënjuar momente kthese në historinë e njerëzimit.

“Vepra flet për disa familje të klasave të ndryshme që përfshihen në protestat e organizuara nga Xhoni (Lideri i paqes), për të penguar shtetin britanik që të dërgoj trupat ushtarake në Iran, me motivin që ky shtet ka një bombë bërthamore që do ta përdor kundër shteteve perëndimore”, tha Pasha.

Në këtë projekt janë të angazhuar tetëmbëdhjetë aktor të ansamblit të Teatrit të Tetovës, që po punojnë aktivisht që të sjellin një dramë aktuale për publikun e Tetovës dhe jo vetëm.

Përndryshe, aktorët e Teatrit të Tetovës ende funksionojnë në kushte jo të mira pune. Ata me vite e presin objektin e ri të Teatrit dhe Bibliotekës të Tetovës që premtohet për 15 vite, ndërsa ka filluar të ndërtohet në 11 vitet e fundit. Punimet vazhdimisht janë zvarritur, ndërsa nuk pritet të përfundojnë në afatin e paraparë i cili ishte për në fund të këtij viti. 

Gjatë kësaj periudhe që punimet janë zvarritur, subjekte dhe persona të caktuar kanë përfituar miliona në mënyrë të paligjshme nga ky projekt. Më 18 dhjetor 2024 Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dorëzoi në Gjykatën Penale në Shkup aktakuzë kundër një personi dhe propozim aktakuzë kundër një personi juridik dhe tre personave fizikë. Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020, dyshohet se kanë arritur përfitime pasurore të mëdha në shumë prej 832.983.064,00 denarë (mbi 13 milionë euro). Ky rast për momentin po endet nëpër gjykatat e vendit.